data: ora: dhe ekonomisë në lidhje me tarifat e shërbimit ... · 385/6 – 2017, sistemi bankar...
TRANSCRIPT
Adresa: Rruga “Nikolla Jorga”, ndërtesa 9, kati II, Tiranë, mobile: +355676089890, e-mail: [email protected], web: www.nchb.al
R E P U B L I K A E S H Q I P Ë R I S Ë
DHOMA KOMBËTARE E PËRMBARUESVE GJYQËSORË PRIVATË
Nr. 522/1 Prot. Tiranë, më 8.6.2018
Data:___________Ora:____
Lënda: Përcillet mendimi dhe qëndrimi i Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve
Gjyqësorë Privatë mbi projektudhëzimet e përgatitura nga Ministria e Financave
dhe Ekonomisë në lidhje me tarifat e shërbimit përmbarimor gjyqësor privat.
Drejtuar: MINISTRISË SË DREJTËSISË
Për dijeni: MINISTRISË SË FINANCAVE DHE EKONOMISË
Për dijeni: KRYEMINISTRIT
E nderuar znj. Ministre!
Në zbatim të detyrimit ligjor të parashikuar në nenin 47 të ligjit nr. 10 031, datë 11.12.2008
“Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, i ndryshuar, Dhoma Kombëtare po dërgon
para Jush mendimin, por dhe qëndrimin e saj institucional në lidhje me dy
projektudhëzime të dërguara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) për
bashkëfirmosje, me të cilat propozohet të ndryshohen tarifat aktuale të aplikuara nga
shërbimi përmbarimor gjyqësor privat.
Këto projektakte të propozuara nga MFE, bashkë me relacionin përkatës, i cili sugjeron
qëllimin, objektivat dhe argumentimet lidhur me nevojën për ndryshimin e udhëzimeve
aktuale, bashkë me përparësitë dhe efektet e pritshme të ndryshimit të tyre, janë analizuar
nga Dhoma me shqetësimin dhe kujdesin e duhur që ky mendim të përbëjë një qëndrim
të argumentuar juridikisht dhe objektivisht, i huazuar sa nga shqetësimet e përditshme të
veprimtarisë së funksionarëve - përmbarues gjyqësorë privatë, por më shumë nga përvoja
profesionale dhe eksperienca e tyre tashmë e konsoliduar në ekzekutimin e titujve
ekzekutivë përgjatë 10 viteve të ekzistencës së shërbimit përmbarimor gjyqësor privat.
Adresa: Rruga “Nikolla Jorga”, ndërtesa 9, kati II, Tiranë, mobile: +355676089890, e-mail: [email protected], web: www.nchb.al
Ky dokument, paraqitet para Jush si mendim dhe qëndrim i konsoliduar i Dhomës, e cila
përfaqëson shërbimin përmbarimor gjyqësor privat në marrëdhënie me Ministrinë e
Drejtësisë, organet e tjera shtetërore apo organizmat ndërkombëtarë dhe është një
dokument që përmbledh në formë të integruar mendimin e pothuajse të të gjithë
përmbaruesve gjyqësorë privatë, që ushtrojnë veprimtari aktive, të cilët kanë diskutuar,
komentuar dhe dërguar opinionet e tyre rreth projektakteve të propozuara nga MFE-ja,
mendime të cilat janë të pasqyruara si vendimmarrje e Këshillit Drejtues të Dhomës
Kombëtare, i formalizuar në këtë qëndrim.
Arsyeja e vetme e vonesës së dërgimit të mendimit dhe qëndrimit të Dhomës Kombëtare
rreth ndryshimeve që parashikojnë projektudhëzimet e MFE-së, është diskutimi i gjatë
ekspertize brenda dhe jashtë organizatës sonë, me qëllim që mendimi i formalizuar me
këtë shkresë, të vijë para Jush sa më i plotë dhe i trajtuar profesionalisht.
Bashkë me parashtrimin e mendimit dhe qëndrimit tonë, po rendisim disa fakte që do të
ndihmojnë vlerësimin Tuaj lidhur me propozimet e ardhura nga MFE:
-Është fakt që, udhëzimet me nr. 385/7, datë 28.6.2017 “Për caktimin e tarifave për
shërbimet e ofruara nga shërbimi përmbarimor gjyqësor privat” dhe nr. 385/6, datë
26.6.2017 “Për caktimin e nivelit minimal dhe maksimal të zbatimit të vlerës së tarifës së
suksesit për veprimet përmbarimore të ofruara nga shërbimi përmbarimor gjyqësor
privat”, janë prej më se 1 viti në fuqi dhe nuk ka patur asnjë ankesë në lidhje me
nivelin e tyre, nga ndonjë grup interesi, individ, entitet, institucion publik privat apo
shtetëror në rolin e kreditorit apo debitorit, përveç se Shoqatës Shqiptare të Bankave
(AAB).
-Është fakt që, udhëzimet e miratuara në qershor 2017 janë nxjerrë 6 muaj në vonesë të
autorizimit ligjor, por në konformitet të plotë me parashikimet në referim të neneve 47
dhe 48 të ligjit nr. 10 031, datë 11.12.2008 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”,
i ndryshuar, pjesë e paketës ligjore të ndryshuar dhe miratuar bashkë me ligjin nr. 109/2016
nga Kuvendi i Shqipërisë, referuar strategjisë qeveritare dhe planit të veprimit për uljen e
“kredive të këqija”.
-Është fakt që, prej qershorit 2017, pas hyrjes në fuqi të udhëzimeve nr. 385/7- 2017 dhe
385/6 – 2017, sistemi bankar në mënyrë unanime, vendosi përmes strukturës përfaqësuese
të tij (AAB-së) bojkotimin e shërbimit përmbarimor gjyqësor privat dhe ndërmarrjen e
një moratoriumi mbi mosekzekutimin e titujve ekzekutivë nga ana e këtij shërbimi.
-Është fakt që, propozimi i MFE-së për shtesat dhe ndryshimet në nivelin e tarifave fikse
të shërbimit përmbarimor gjyqësor privat, është pothuajse i njëjtë në ngjashmëri – “copy
paste” me propozimet e janarit 2017, të diskutuara, por dhe të përcjella në rrugë
elektronike, nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në drejtim të Dhomës Kombëtare për këtë
qëllim.
Adresa: Rruga “Nikolla Jorga”, ndërtesa 9, kati II, Tiranë, mobile: +355676089890, e-mail: [email protected], web: www.nchb.al
Këto janë fakte, të cilat duhen konsideruar si premisa të rëndësishme për mbajtjen e një
qëndrimi ligjor dhe rigoroz të ministrit të Drejtësisë kah ligjit dhe të vërtetës. Mungesa
e një relacioni serioz dhe profesional që duhet të bashkëshoqëronte dërgimin e
projektudhëzimeve nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë është më
shqetësues se vetë propozimet për ndryshimin e akteve nënligjore që përcaktojnë
tarifat e shërbimit përmbarimor.
1. Kuvendi i Shqipërisë, në referim të ndryshimeve ligjore të kryera në nëntor 2016 dhe
në kuadër të masave ndaj problematikës së “kredive të këqija” në Shqipëri, ndërmori dhe
miratoi konfigurime të reja në nenet 47 dhe 48 të ligjit nr. 10 031, datë 11.12.2008 “Për
shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, i ndryshuar, si dhe në nenin 525 të Kodit të
Procedurës Civile. Këto ndryshime, lidheshin drejtpërdrejt me tarifat e shërbimit të
përmbarimit gjyqësor privat dhe lejojnë vetëm Dhomën Kombëtare të japë mendim në
lidhje me miratimin nga ministrat e Drejtësisë dhe Financave të udhëzimit mbi tarifat
fikse të shërbimit të përmbarimit gjyqësor privat dhe në asnjë rast sektorin financiar apo
Shoqatën Shqiptare të Bankave, si paraqitet në relacionin apo shkresën shoqëruese të
MFE-së.
2. Zyrtarisht, udhëzimet e përbashkëta mbi tarifat e shërbimit të përmbarimit gjyqësor
privat sipas ligjit duhet të miratoheshin brenda datës 11.1.2017 (30 ditë pas hyrjes në fuqi
të ligjit të amenduar), ndërsa formalizimi i tij më datë 26.6.2017, dhe 28.6.2018 u krye
me 6 muaj vonesë, edhe pse Dhoma Kombëtare e kishte propozuar mendimin e saj brenda
afatit ligjor një mujor dhe me këmbëngulje institucionale kërkoi respektimin e këtij afati
nëpërmjet shkresave me nr. 308, prot., datë 17.1.2017, nr. 385 prot. datë 12.5.2017, nr.
397 prot. datë 12.6.2017. Në asnjë rast për 6 muaj rresht ministri i Financave nuk
ndërmori asnjë kontakt, konsultim, diskutim në lidhje me projektudhëzimin e paraqitur
për mendim nga DHKPGJP-ja, duke marrë qartë edhe një pozicion refraktar sa i përket
mos përmbushjes së detyrimit ligjor për bashkëfirmosje apo paraqitjen e kundërshtimeve
institucionale në lidhje me këtë qëndrim.
3. Në relacionin e MFE-së, në një pjesë argumentuese mbi propozimet për
projektudhëzimin, citohet se FMN ka vlerësuar se: “Në qershor 2017, ministrat teknikë
të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Drejtësisë miratuan udhëzime të reja [...] të
cilët sollën përkeqësimin e procedurës së ekzekutimit”. Ky argumentim i cili besojmë se
është marrë dhe përdorur në kontekst të gabuar përkthimi apo vendosje, është ashtu
sikundër draft propozimi fillestar i AAB-së për udhëzimet, i njëjtë me qëndrimin refraktar
në vijimësi për 1 vit të kësaj shoqate, me referenca dhe insinuata të përfshirjes edhe të
konotacionit politik nga ana e këtij grupi interesi. Ministrat e Drejtësisë dhe të Financave
të qershorit 2017 të një qeverie shqiptare, në detyrë dhe të dekretuar nga Presidenti i
Republikës, kanë formalizuar një akt nënligjor të cilin pa asnjë ndryshim e kishte
miratuar, pas një procesi të zgjatur konsultativ edhe ministri paraardhës i Drejtësisë në
muajin prill të po këtij viti. Ashtu siç e kemi shprehur edhe publikisht: Ne, besojmë se
misioni i shërbimit përmbarimor është mision i shtetit të së drejtës dhe duhet të gjejë
mbështetje nga çdo qeveri demokratike shqiptare, përfshirë çdo ministër, kryeministër
apo deputet i çdo force politike qoftë ajo.
Adresa: Rruga “Nikolla Jorga”, ndërtesa 9, kati II, Tiranë, mobile: +355676089890, e-mail: [email protected], web: www.nchb.al
4. Miratimi i udhëzimeve që janë aktualisht në fuqi, ishin dhe mbeten reflektime rigoroze
të ligjeve përkatëse që ka miratuar Kuvendi i Shqipërisë, në harmoni të plotë me parimet
e akteve ndërkombëtare, në veçanti me rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe Kodin
Global mbi Ekzekutimin e Detyruar dhe ato sugjerojnë incentiva të qarta të mënyrës së
pagimit të përmbaruesit gjyqësor privat, brenda një balance të drejtë tarifash shërbimi dhe
mbështetur vetëm në parimet e transparencës dhe masës së arsyeshme të tyre. Në
relacionin e dërguar nga MFE nuk gjendet asnjë referencë apo model krahasues që do të
përligjte në një aspekt juridik apo ekonomik propozimin e kryer për ndryshimin dhe
reduktimin drastik të tarifave përmbarimore.
5. Projektaktet e përcjella nga MFE kanë një mungesë të theksuar në relacionin
argumentues të ndërmarrjes së një nisme të tillë. Në relacion referohet vetëm se, rishikimi
i tarifave është i domosdoshëm me qëllim adresimin e problematikave, të konstatuara
gjatë zbatimit të udhëzimeve të miratuara në periudhën qershor - korrik 2017 dhe se FMN
është shprehur se, udhëzimet në fuqi kanë sjellë përkeqësim në zhvillimin e procedurës
së ekzekutimit, duke penguar procesin e ekzekutimit të kolateralit dhe si të tilla duhen
shfuqizuar. Nuk ka asnjë argumentim ligjor apo ekonomik se përse shfuqizimet
formale të udhëzimeve kërkohen efektivisht dhe në çfarë aspekti e kanë penguar procesin
e ekzekutimit të kolateralit, si në atë praktik qoftë edhe në atë teorik.
Mbetet tërësisht e paqartë nga ana jonë se:
-Si janë analizuar për t’u rishikuar tarifat aktuale të aplikuara nga shërbimi
përmbarimor;
-Mbi çfarë analize paraprake është bazuar nevoja për ndërmarrjen e një nisme të tillë;
dhe
-Si mundet të propozohet një rishikim i tarifave aktuale, pa një analizë të kostos së
procesit të ekzekutimit dhe në mënyrë të njëanshme, kur shërbimi përmbarimor gjyqësor
privat operon nën monitorimin e Ministrisë së Drejtësisë, e cila deri sot rezulton të mos
ketë dërguar asnjë shqetësim apo ankesë lidhur me nivelin e tarifave nga ndonjë
subjekt kreditor apo debitor. Asnjë shqetësim, nuk është adresuar gjithashtu pranë
DHKPGJP-së, në këtë drejtim.
6. Sa i përket propozimit për vlerën e tarifës fikse të shërbimit përmbarimor,
konstatojmë se ai është përcjellë si propozim i bërë pas vlerësimit se, tarifat aktuale nuk
janë në përputhje me parimin e “lidhjes së veprimit me koston”. Për këtë qëllim, MFA ka
përcjellë propozimet për nivelin e tarifës fikse, me sqarimin se propozimi i bërë në paketë,
reflekton koston e shërbimit. Do të mbështesnim një nismë të tillë, nëse vërtet do të
shoqërohej me një analizë të kostos së vënies në ekzekutim të një titulli dhe nëse do të
shoqërohej me shembuj konkretë.
Por MFE, nuk ka bërë asnjë vlerësim të tillë, dhe as nuk mund ta bëjë pa të dhënat e
përcjella nga shërbimi përmbarimor gjyqësor privat. Nuk evidentohet, se si janë
përllogaritur kostot e shërbimit përmbarimor (shpenzimet e nevojshme, të domosdoshme,
risku etj.) dhe nuk janë sjellë shembuj tipikë konkretë të përllogaritjes së tyre, çka është
e domosdoshme për përcaktimin e nivelit të tarifave. Dhe përllogaritja nuk mund të bëhet
vetëm nga MFE, por kjo kërkon që të jepet një përllogaritje përmbledhëse dhe krahasuese
Adresa: Rruga “Nikolla Jorga”, ndërtesa 9, kati II, Tiranë, mobile: +355676089890, e-mail: [email protected], web: www.nchb.al
e këtyre kostove nga vetë aplikuesit në terren të shërbimit përmbarimor (shtetëror dhe
privat), nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Drejtësisë. P.sh., është i nevojshëm evidentimi
me shembuj konkretë i përllogaritjeve fiskale, me specifika të rasteve konkrete për
ilustrim, se sa mund të jetë kostoja e ekzekutimit në Tiranë, Durrës, Lezhë, Korçë,
Sarandë, Vlorë etj., duke përllogaritur një mesatare në shkallë vendi, risku apo
kompleksitet veprimesh përmbarimore dhe për të vlerësuar më pas nëse tarifat e
propozuara nga MFE-ja, reflektojnë kostot e nevojshme të shërbimit, ose jo.
Më poshtë po ju paraqesim një përmbledhje mbi kostot e përgjithshme dhe
shpenzimet e përafërta të ushtrimit të aktivitetit përmbarimor:
Në aspektin ekonomik, mundësimi i ushtrimit normal të veprimtarisë përmbarimore dhe
ofrimi i shërbimit publik nga përmbaruesit privatë të organizuar si persona fizikë apo të
organizuar në shoqëri përmbarimore, përveç pasjes së mjeteve themelore të aktivitetit si
janë zyra (me ambiente të përcaktuara për punë administrative, arkivim, ambient për
pritje palësh, sallë zhvillimi ankandi publik) dhe përbërësit e saj (kancelari, orendi,
pajisje elektronike, mjete logjistike etj.) përfshin edhe një sërë kostosh të detyrueshme të
cilat mbulohen nga vetë subjekti përmbarimor.
Aktiviteti tregtar i përmbaruesit privat bart kosto të detyrueshme që në momentin e
regjistrimit të tij si subjekt fizik apo juridik në QKB dhe përfshin kostot fillestare të
marrjes së ambientit me qira, kostove të investimit të ndërtimit të një zyre përmbarimore
sipas parametrave që kërkon Ministria e Drejtësisë, pagesa dhe kosto të detyrueshme që
lidhen me taksa dhe tarifa të pushtetit vendor dhe atij qendror, pagesat e menjëhershme
dhe periodike që përfshijnë: ujin, energjinë elektrike, sigurimin e aktivitetit, detyrimet
profesionale etj., të cilat në tërësinë e tyre mbulohen vetëm nga aplikimi i tarifave
përmbarimore në rastet kur përmbaruesi apo subjekti përmbarimor ka kontrata shërbimi
me kreditorët e ndryshëm persona fizikë apo juridikë – pra ofron shërbimin publik.
Në të gjitha rastet e ofrimit të këtij shërbimi, nëpërmjet kontratave tip të unifikuara nga
ministri i Drejtësisë, për kontraktimin e plotë të shërbimit, lëshohet fatura e tarifës fikse
të tij, referuar udhëzimit të tarifave. Por fatura tatimore gjatë ofrimit të shërbimit
përmbarimor, shoqëron edhe shumë veprime të ndryshme përmbarimore, si p.sh. shërbimi
postar shoqërohet me faturë tatimore; kryerja e ekspertimit të pasurive të luajtshme dhe
të paluajtshme nga ekspertët shoqërohet me faturë tatimore; shpalljet e ankandeve publike
në gazeta shoqërohen me fatura tatimore. Dhe të gjitha faturat tatimore brenda vlerës së
tyre bartin detyrimet tatimore si: tatimin mbi të ardhurat, TVSH-në, tatimin në burim,
tatimin mbi fitim, tatim dividentin etj., të cilat së bashku me kostot specifike për çdo
subjekt përmbarimor që lidhen me pagat e punonjësve të punësuar (staf ndihmës), pagesat
e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, përbejnë totalin e kostove dhe shpenzimeve që
bart një subjekt përmbarimor gjatë ushtrimit të aktivitetit të tij.
Të gjitha kostot mbulohen vetëm nga tarifat e shërbimit përmbarimor të përcaktuara dhe
fiksuara në udhëzimin përkatës të tarifave të ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të
Financave dhe Ekonomisë.
Adresa: Rruga “Nikolla Jorga”, ndërtesa 9, kati II, Tiranë, mobile: +355676089890, e-mail: [email protected], web: www.nchb.al
Në tabelë janë paraqitur përmbledhur dhe në formë të përgjithshme shpenzimet e
përafërta të ushtrimit të aktivitetit përmbarimor:
NR. QËLLIMI I SHPENZIMIT PËRSHKRIMI I SHPENZIMIT
1. Përmbaruesit si pjesë e sistemit të
drejtësisë, duhet të garantojnë një
ambient pune të përshtatshëm si
për funksionalitetin e kryerjes dhe
ofrimit të shërbimit, ashtu edhe për
pritjen e palëve të procesit
përmbarimor.
• Kostot e sipërfaqes së zyrës (qiraja);
• Kostot e investimit në pajisjet e
brendshme/mjetet e punës/mjete
motorike/kancelarike, etj.
2. Detyrim i parashikuar nga ligji Kostot e lidhura me punonjësit dhe
zbatimi i legjislacionit në fuqi për
çështjet e punësimit:
• Paga e përmbaruesit të punësuar;
• Pagesa e sigurimeve shoqërore,
shëndetësore sipas legjislacionit në fuqi;
3. Detyrim i parashikuar nga ligji Detyrimet tatimore:
• Tatimi mbi të ardhurat;
• TVSH;
• Tatimi në burim;
• Tatimi mbi fitimin;
• Tatim dividenti (për 43 shoqëri
përmbarimore);
• Pagesa e taksave etj.
4. Detyrim profesional i parashikuar
nga Ligji nr. 10 031/2008 dhe
Statuti i DHKPGJP-së
• Detyrime profesionale;
• Pagesa e kuotës vjetore ndaj Dhomës
Kombëtare;
• Tarifa, trajnimi vazhdues, etj.
5. Detyrime të parashikuara nga ligji
për ushtrimin dhe sigurimin e
veprimtarisë.
• Detyrime për sigurimin e veprimtarisë
profesionale;
• Polica e sigurimit të veprimtarisë
profesionale;
• Polica të tjera të sigurimit;
6. Shpenzime të lidhura me zyrën
përmbarimore.
Shpenzime të mirëmbajtjes së zyrës
përmbarimore.
7. Shpenzime të tjera operative të
lidhura me veprimtarinë
përmbarimore person fizik/shoqëri
përmbarimore.
Shpenzime/komisione bankare,
shpenzime kontabilisti dhe shërbimi
financiar, shpenzime kancelarie,
shpenzime të tjera operative.
Adresa: Rruga “Nikolla Jorga”, ndërtesa 9, kati II, Tiranë, mobile: +355676089890, e-mail: [email protected], web: www.nchb.al
Sa më sipër, korrelacioni ndërmjet qëllimit dhe përshkrimit të shpenzimeve të
përgjithshme dhe të përcaktuara rreth kostove përmbarimore, duhet studiuar në formë
më specifike për shumicën e rasteve kur shërbimi ofrohet nga subjektet që kryejnë
aktivitetin në kryeqytet, ku niveli i kostove dhe shpenzimeve është veçanërisht më i lartë,
referuar të dhënave të tregut të pasurive të paluajtshme, por edhe të tjera.
7. Lidhur me argumentimin e relacionit, për amendime që synojnë sipas MFE-së
vendosjen e rregullave të unifikuara standarde për shërbimin përmbarimor shtetëror dhe
privat, duke vendosur konkurrencë të drejtë në treg dhe duke balancuar sistemin, duhet
të theksojmë se shërbimi përmbarimor gjyqësor, në tërësi i nënshtrohet rregullave
standarde sa i përket procedurës së ekzekutimit, bazuar në dispozitat e Kodit të
Procedurës Civile dhe ky argument nuk mund të shërbejë për ndërmarrjen e nismës për
amendime në aktet nënligjore që normojnë vetëm tarifimin e shërbimit përmbarimor dhe
jo procedurat e zhvillimit të tij. Konkurrenca e drejtë në treg është vetëm një shembull i
pambështetur mbi të dhëna reale, për sa kohë përgjysmimi i tarifave të ofrimit të shërbimit
për përmbarimin shtetëror nuk e ndihmoi atë të bëhet atraktiv për kreditorin bankar apo
të tjerë për më se 1 vit, krahasimisht me shërbimin e përmbarimit privat.
8. Ndryshimet e propozuara nga MFE, në projektaktet e dërguara për bashkëfirmosje,
dukshëm sjellin një ulje drastike të tarifave të shërbimit të përmbarimit privat, të
parashikuara krahasimisht me udhëzimin aktual ashtu sikundër me atë vitit 2009. Mbetet
një pikëpyetje e madhe për të gjithë përmbaruesit gjyqësorë privatë që e kanë analizuar
projektudhëzimin, se si mund të kërkohet një ulje drastike e rendit të tillë tarifor kur,
indeksi i çdo shpenzimi është rritur për një dekadë dhe kur tarifat në profesionet e
tjera pësojnë rritje. Në Shtojcën nr. 1, të kësaj shkrese, do të gjeni një paraqitje grafike
të sistemit tarifor krahasues, referuar udhëzimeve të aplikuara nga shërbimi përmbarimor
gjyqësor (privat dhe shtetëror), nga viti 2009.
Në përcaktimin e tarifave përmbarimore, në përputhje me koston e ekzekutimit, duhet
mbajtur në vëmendje edhe vendi i ushtrimit të veprimtarisë së përmbaruesve gjyqësorë
privatë. Referuar të dhënave të “Regjistrit të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë”, nga
numri total prej 158 përmbaruesish gjyqësorë privatë - aktivë, 106 prej tyre ushtrojnë
aktualisht veprimtarinë në Tiranë, ku kostoja e shpenzimeve që lidhen me mundësimin
e veprimtarisë së ekzekutimit, është specifikisht më e lartë krahasuar me 52
përmbaruesit e tjerë që ushtrojnë aktivitetin të shpërndarë nëpër qytete të ndryshme të
vendit. Por përmbaruesit e qyteteve të ndryshme të Shqipërisë kanë një kosto tjetër
specifike – riskun e profesionit që ushtrohet larg kryeqytetit.
Grafikët e mëposhtëm e paraqesin më qartë këtë shpërndarje:
Adresa: Rruga “Nikolla Jorga”, ndërtesa 9, kati II, Tiranë, mobile: +355676089890, e-mail: [email protected], web: www.nchb.al
67%
33%
Vendi i ushtrimit të veprimtarisë së përmbaruesve
106 përmbarues që ushtrojnë veprimtarinë në Tiranë (si persona fizikë ose pjesë e një shoqëriepërmbarimore)52 përmbarues që ushtrojnë veprimtarinë në rrethe të tjera (si persona fizikë ose pjesë e njëshoqërie përmbarimore)
81%
19%
Shpërndarja e veprimtarisë së shoqërive përmbarimore
43 shoqëri përmbarimore ushtrojnë veprimtarinë në Tiranë
10 shoqëri përmbarimore ushtrojnë veprimtarinë jashtë Tirane
54%
46%
Shpërndarja e veprimtarisë së personave fizikë
45 persona fizikë ushtrojnë veprimtarinë në Tiranë
38 persona fiikë ushtrojnë veprimtarinë në qytete të tjera
Adresa: Rruga “Nikolla Jorga”, ndërtesa 9, kati II, Tiranë, mobile: +355676089890, e-mail: [email protected], web: www.nchb.al
9. Lidhur me argumentimin e relacionit se, shfuqizimi i udhëzimeve ekzistuese ndikon në
krijimin e një kuadri nënligjor efektiv, për mundësimin e mbledhjes së kredive të këqija,
duhet të theksojmë se ndryshimi i udhëzimeve, duke u justifikuar për këtë ndërhyrje me
mundësimin e mbledhjes së kredive të këqija, jo vetëm nuk qëndron praktikisht, por
është një goditje e rëndë për sistemin e drejtësisë, por edhe atë bankar në vend. Në
lidhje me reduktimin e kredive të këqija në vend, sipas njoftimeve të Bankës së
Shqipërisë, referuar masave të deritanishme të marra dhe rezultateve që sigurisht
përfshijnë edhe efiçencën e shërbimit përmbarimor, konstatohet se e kanë ulur me mbi
10% nivelin e tyre nga viti 2016 në 2017.
10. Referuar propozimet të MFE-së për ndryshime dhe shtesa në udhëzimin që parashikon
përcaktimin e nivelit minimal dhe maksimal të zbatimit të vlerës së tarifës së suksesit, e
gjejmë krejtësisht pa vend këtë ndërhyrje për sa kohë, rastet e aplikimit të tarifës së
suksesit, mbështeten dhe janë një marrëdhënie/marrëveshje e pavarur që dakordësohet me
vullnet të lirë midis kreditorit dhe përmbaruesit. Dhe në çdo rast, kjo
marrëdhënie/marrëveshje kërkohet dhe vlerësohet nga kreditori jashtë kontekstit ligjor të
përfundimit të një procedure ekzekutimi, pasi tarifa për suksesin nuk paguhet nga
debitori, por vetëm nga kreditori dhe është produkt vetëm i kësaj marrëveshjeje. Kjo
tarifë paguhet vetëm në fund, kur ekzekutimi ka sukses apo proporcionalisht me suksesin
e ekzekutimit. Sipas të dhënave që ka administruar Dhoma nga përmbaruesit gjyqësorë
privatë, për 1 vit të përdorimit të kësaj tarife, rezulton se kjo marrëveshje është përdorur
vetëm në 22 raste kontraktimi, një numër i pa konsiderueshëm për të marrë angazhim për
ndryshimin e këtij akti nënligjor.
E nderuar znj. Ministre,
Parimi i sigurisë juridike është një element shumë i rëndësishëm i shtetit të së drejtës.
Në kuadër të këtij parimi, mos cenimi i të drejtave dhe pritshmërive të ligjshme që
garantojnë aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi janë një standard tashmë që kërkohet të
respektohet nga të gjitha institucionet shtetërore, veçanërisht nga organet qendrore
shtetërore, siç është Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Nevoja për respektimin dhe zbatimin e këtij parimi bëhet më e domosdoshme në rastet
kur, kërkohet dhe propozohet të vendosen detyrime apo rregulla të reja për një profesion
të tërë si është shërbimi përmbarimor.
Respektimi i parimit të sigurisë juridike dhe propozimi apo kërkesa për miratim-
ndryshimin dhe bashkëfirmosjen e udhëzimit të tarifave për shërbimin përmbarimor
privat, mendojmë se kërkon jo vetëm respektimin formal të marrjes së mendimit nga
DHKPGJP-ja, por veçanërisht transparencë dhe diskutim serioz sa edhe teknik ndërmjet
nesh, por edhe me grupe të interesit, ekspertë të fushës ekonomike dhe juridike.
Ne mendojmë se në themel të ndryshimeve tarifore duhet të jetë një analizë e plotë
juridiko-financiare dhe se pasqyrimi i një analize thjesht financiare, apo thjesht juridike,
Adresa: Rruga “Nikolla Jorga”, ndërtesa 9, kati II, Tiranë, mobile: +355676089890, e-mail: [email protected], web: www.nchb.al
do të mbetet gjithmonë larg të vërtetës së aplikimit të tarifave dhe do të jetë gjithmonë
objekt rishikimesh, pretendimesh dhe paqëndrueshmërie nënligjore, ashtu si ka ndodhur
deri sot. Por duhet të nënvizojmë se pjesa direkt e prekur në çdo ndryshim të kuadrit
ligjor dhe nënligjor tarifor, është përmbaruesi gjyqësor, si profesion dhe shërbimi
përmbarimor në perspektivën e tij.
Tarifimi i një shërbimi me natyrë publike nuk është thjesht një çështje numrash, kostosh
dhe shpenzimesh në bilancin e çdo kreditori apo debitori, por është në çdo rast thelbi i
funksionimit të një shërbimi publik.
Për këto arsye, Dhoma Kombëtare shprehet njëzëri kundër vlerave regresive, kolapsuese
dhe denigruese të projektakteve të servirura nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë
mbështetur vetëm në një analize kostosh aspak të analizuara dhe sipërfaqësore.
Ulja e vlerave tarifore ashtu sikurse është paraqitur me projektaktet e dërguara nga
Ministria e Financave dhe Ekonomisë nën nivelin e udhëzimit aktual dhe nën nivelin e
udhëzimit nr. 1240/2, datë 15.9.2009 (10 vite më parë) nuk është më një masë për uljen e
kredive të këqija, por është një masë për të reformuar sistemin përmbarimor duke
marrë apriori dhe në mënyrë aksiomatike, të paprovuar dhe pavërtetuar që
shërbimi përmbarimor qenka çelësi i uljes apo ngritjes së kredive të këqija në
Shqipëri.
Kjo është e papranueshme, për sa kohë e kemi përsëritur mes komunikimesh të larmishme
institucionale që sistemi përmbarimor thjesht reflekton problematikën e kredive të këqija
që në fakt e ka gjenezën diku tjetër – tek sistemi bankar.
Për këtë arsye, nuk mund të pranojmë një reformim të sistemit përmbarimor për
një çështje ku shërbimi përmbarimor nuk është shkak determinues. Ndryshimet në
shërbimin përmbarimor dhe vlerat e tij të tarifimit duhet të orientohen proporcionalisht
me rolin që përmbarimi ka në çështjen e kredive të këqija, as më pak e as më shumë.
Për sa më sipër mendimi ynë përmblidhet përfundimisht si më poshtë:
- Është e papranueshme që vlerat tarifore të jenë ato që propozohen në
projektaktet e sjella për miratim nga MFE.
- Qëndrimi i DHKPGJP-së do të jetë i qartë dhe i prerë për moslejimin e
regresit të shërbimit përmbarimor gjyqësor privat në Shqipëri, për shkak të
vlerësimit jo proporcional të këtij shërbimi nga aktorët që luajnë rol
refraktar në këtë drejtim.
- Aplikimi vetëm i metodës financiare për kalkulimin e rendit tarifor të
shërbimit, pa kryerjen e një analize të hollësishme juridiko-financiare, do të
konsiderohet gjithmonë nga Dhoma si goditje e profesionit të shërbimit
përmbarimor gjyqësor privat, i cili është një shërbim jetik në shtetin e së
drejtës dhe ekonomisë së tregut.
Adresa: Rruga “Nikolla Jorga”, ndërtesa 9, kati II, Tiranë, mobile: +355676089890, e-mail: [email protected], web: www.nchb.al
Përtej këtij mendimi dhe qëndrimi institucional, shprehemi të hapur dhe të gatshëm për
çdo diskutim të detajuar në lidhje me këtë çështje.
Duke ju uruar punë të mbarë,
Me respekt!
KRYETARI I DHOMËS
Tedi MALAVECI
Adresa: Rruga “Nikolla Jorga”, ndërtesa 9, kati II, Tiranë, mobile: +355676089890, e-mail: [email protected], web: www.nchb.al
Shtojca nr. 1
SISTEMI TARIFOR KRAHASUES SIPAS RENDIT NË PËRQINDJE (%)
REFERUAR UDHËZIMEVE TË APLIKUARA NGA SHËRBIMI
PËRMBARIMOR GJYQËSOR (PRIVAT DHE SHTETËROR):
-në vitet 2009-2017;
-2017-2018;
-dhe në raport me rendin në përqindje (%) të propozuar aktualisht nga Ministria e
Financave dhe Ekonomisë.
A- SHËRBIMI PËRMBARIMOR GJYQËSOR PRIVAT
Vlera mesatare e tarifave që duhen paguar fillimisht nga kreditori dhe më pas i barten
debitorit sipas udhëzimit nr. 385/7, datë 28.6.2017, për shumat e vlerave të padisë nga
500 000 ALL deri 90 000 0000ALL sot është e rendit 7% - Shërbimi përmbarimor
gjyqësor (privat).
Vlera mesatare e tarifave përmbarimore sipas udhëzimit fillestar nr. 1240/5, datë
15.9.2009 (i shfuqizuar në vitin 2017) për të njëjtat shuma të vlerave të padisë ka qenë e
rendit 4.1% - Shërbimi përmbarimor gjyqësor (privat).
Vlera mesatare e tarifave përmbarimore sipas propozimit aktual - projektakt i Ministrisë
së Financave dhe Ekonomisë, për të njëjtat shuma të vlerave të padisë është e rendit 2.1%
- Shërbimi përmbarimor gjyqësor (privat).
B- SHËRBIMI PËRMBARIMOR GJYQËSOR SHTETËROR
Vlera mesatare e tarifave që duhen paguar fillimisht nga kreditori dhe më pas i barten
debitorit sipas udhëzimit nr. 1276/5, datë 27.7.2017, për shumat e vlerave të padisë nga
500 000 ALL deri 90 000 0000 ALL është e rendit 3.5% - Shërbimi përmbarimor
gjyqësor (shtetëror).
Shërbimi përmbarimor gjyqësor (shtetëror) për të njëjtën periudhë deri në 27.7.2017
ka vepruar brenda rendit tarifor 2% (për të gjitha shumat e vlerave të padisë).
Adresa: Rruga “Nikolla Jorga”, ndërtesa 9, kati II, Tiranë, mobile: +355676089890, e-mail: [email protected], web: www.nchb.al
PARAQITJA GRAFIKE:
Nga grafiku dhe rendi krahasues tarifor sa më sipër, konstatohen qartë faktet
shifrore të cilat janë premisë se:
➢ Degradimi i shërbimit përmbarimor gjyqësor privat nëpërmjet kërkimit të
ndryshimit të rendit aktual të tarifimit të tij, sipas propozimit të Ministrisë së
Financave dhe Ekonomisë nuk do të ishte një ngjarje e pamundur.
➢ Degradimi i shërbimit përmbarimor gjyqësor privat do të ishte një ngjarje e sigurt
nëse vullneti institucional dhe rregullator i Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë
së Financave dhe Ekonomisë do të realizonte një operacion fatal administrativ, atë
të ndryshimit përfundimtar dhe regresiv të sistemit tarifor të këtij shërbimi.
➢ Kurba zbritëse e grafikut është shenjë alarmi për parametrat regresive dhe
humbjen e vitalitetit të shërbimit përmbarimor gjyqësor privat, elementët jetikë të
të cilit tarifat, po rrezikohen.
➢ Shërbimi përmbarimor gjyqësor shtetëror, i cili ka patur dhe dukshëm ka një
avantazh sa i përket rendit krahasues tarifor (2% dhe 3.5 %) vijon të mos
konsiderohet dhe të mos mbahet në vëmendje, si alternativë e rëndësishme e
ofrimit të shërbimit publik, duke synuar në këtë mënyrë degradimin e këtij
shërbimi.
7%
4.10%
2.9%
3.50% Udhezimi Nr. 1276/5, date 27.07.2017
2% per te gjithe periudhen deri ne
27.7.20170%
1%
2%
3%
4%
5%
6%
7%
8%
Udhëzimi nr. 385/7, datë28.6.2017
Udhëzimi nr. 1240/5, datë15.9.2009
Propozimi i Ministrisë sëFinancave
Sistemi përmbarimor privat Sistemi përmbarmor shtetëror