-
1
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
Komisioni për Ekonominë dhe Financat
PROCESVERBAL
Tiranë, më 24.07.2020, ora 09:00
Drejton mbledhjen:
Milva Ekonomi – kryetare e Komisionit
Rendi i ditës:
1. Shqyrtimi i projektligjit “Për regjistrin e pronarëve përfitues”.
Marrin pjesë:
Milva Ekonomi, Arben Elezi, Xhevit Bushaj, Edlira Hyseni, Krenar Rryci, Evis
Kushi, Antoneta Dhima, Vullnet Sinaj, Blerina Gjylameti, Rolant Xhelilaj, Anastas Angjeli,
Senida Mesi, Ervin Bushati, Artur Roshi dhe Ylli Shehu.
Mungojnë:
Eljo Hysko dhe Reme Lala.
Të ftuar:
Belinda Ikonomi – Zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë
Arjana Dyrmishi – Përfaqësuese e Ministrisë e Financave dhe Ekonomisë
Arvid Uruçi – Përfaqësues i Drejtorisë Juridike në Ministrinë e Financave dhe
Ekonomisë
Pranvera Fagu – Drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Biznesit
Flogers Broqi – Drejtor Juridik i Qendrës Kombëtare të Biznesit
Entela Shehu – Juriste në Qendrën Kombëtare të Biznesit
HAPET MBLEDHJA
-
2
Milva Ekonomi – Mirëmëngjesi të gjithëve!
Fillojmë mbledhjen e radhës së Komisionit për Ekonominë dhe Financat.
Siç jeni njoftuar në postën tuaj elektronike, në rendin e ditës sot kemi shqyrtimin e
projektligjit “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, i cili ka ardhur nga Këshilli i Ministrave, i
propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë në bashkëpunim me Qendrën
Kombëtare të Biznesit, asistuar nga ekspertë gjermanë.
Projektligji vjen në kuadër të të gjitha përpjekjeve që po bën qeveria shqiptare në
luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Është një projektligj që ka dalë
edhe nga rekomandimet e ekspertëve të MONEYVAL-it dhe, gjithashtu, vjen në zbatim të
njërës prej direktivave të BE-së nr. 849/2015; si dhe direktivës nr. 648/2012; direktivës nr.
60/2005 dhe direktivës nr. 70/2006. Në zbatim të këtyre direktivave, grupi ndërinstitucional i
ngritur te Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hartuar këtë projektligj.
Për të diskutuar për këtë projektligj kemi ftuar zonjën Belinda Ikonomi,
zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë; zonjën Arjana Dyrmishi dhe zotin Arvid
Uruçi, përfaqësues i Drejtorisë Juridike.
Nga Qendra Kombëtare e Biznesit kemi ftuar zonjën Pranvera Fagu, drejtoreshë e
QKB-së; zotin Flogers Broqi, drejtor Juridik dhe zonjën Entela Shehu, juriste.
Relator i këtij projektligji për këtë çështje është caktuar zoti Ervin Bushati.
Unë po ia kaloj fjalën zonjës Belinda Ikonomi për të bërë një parashtrim të
projektligjit Për regjistrin e pronarëve përfitues” që ka ardhur në komision “
Zonja Ikonomi, fjala është për ju.
Faleminderit!
Belinda Ikonomi – Mirëmëngjesi!
Faleminderit, zonja kryetare!
Në fakt, ju përmendët disa nga elementet kryesore të këtij projektligji. Ky projektligj,
në fakt, parashikon krijimin e kuadrit ligjor në përputhje të plotë me direktivën, ashtu
sikundër edhe ju e përmendët.
Synimi i këtij projektligji është identifikimi dhe krijimi i një regjistri të posaçëm për
pronarët përfitues. Siç e përmendët edhe ju, ky projektligj vjen në kuadër të rekomandimeve
të Komitetit të Ekspertëve për Vlerësimin e Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe
Financimit të Terrorizmit dhe ka qenë në vëmendje edhe të grupit ndërinstitucional të punës
të ngritur nga Kryeministri.
-
3
Ky grup ndërinstitucional i ngritur nga Kryeministri, pasi shqyrtoi të gjithë
legjislacionin shqiptar, duke parë edhe praktikat më të mira të vendeve të rajonit dhe të BE-së
lidhur me krijimin e këtij regjistri hartoi dokumentacionin përkatës me rekomandimet;
falënderoj edhe QKB-në që mori përsipër hartimin e projektligjit edhe në mbështetje të
ekspertëve të GIZ-it.
Aktualisht, projektligji rregullon përkufizimet e fushës “pronar përfitues”; subjektet e
detyruara për të identifikuar dhe për të regjistruar subjektet përfituese; mënyrën e regjistrimit,
të dhënat që duhet të deklarohen pranë QKB-së dhe mënyrën e aksesimit të tyre, institucionet
që marrin të dhënat; mënyrën se si mbahen të dhënat, si bëhen ndryshimet dhe, pa dyshim,
edhe masat ndëshkuese në rast të mosplotësimit të elementeve të përshkruara.
Aktualisht, sipas legjislacionit përkatës në fuqi, të dhënat e subjekteve të regjistruara
në Republikën e Shqipërisë janë në QKB. Këtu po flas për subjektet tregtare, sepse për sa u
përket organizatave fitimprurëse ato janë aktualisht pranë gjykatave dhe pranë Drejtorisë së
Tatimeve. Po flasim për një numër subjektesh rreth 54 mijë, të cilat janë të regjistruara pranë
QKB-së dhe rreth 7 mijë organizata fitimprurëse, të cilat janë të regjistruara në gjykata dhe
kanë të dhënat edhe pranë tatimeve për sa i përket NIPT-it.
Në projektligj janë parashikuar edhe të dhënat që do të deklarohen. Është parashikuar
që brenda 30 ditëve nga miratimi i projektligjit subjektet raportuese duhet patjetër të fillojnë
të plotësojnë dokumentacionin dhe të krijojnë veçmas një dosje të qartë për identifikimin e
pronarëve përfitues. Ndërkohë, nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe
AKSH-it brenda datës 30 janar parashikohet krijimi i regjistrit dhe menjëherë pas krijimit të
këtij regjistri do të organizohet procesi i raportimit të të dhënave. Pra, sikurse ju e përmendët,
ky është një projektligj mjaft i rëndësishëm dhe ka qenë në diskutim për një periudhë
relativisht të gjatë dhe, le të themi, se jemi në rrugën e duhur dhe janë marrë të gjitha masat
nga ana e institucionit tonë, në mënyrë që menjëherë pas miratimit të këtij projektligji të
vazhdojmë me hapat e mëtejshëm për krijimin e regjistrit dhe zbatimin e detyrimeve nga ana
e subjekteve.
Për çdo pyetje teknike ne kemi këtu, siç e përmendët edhe ju, hartuesit e ligjit,
përfaqësuesit e QKB-së, të cilët janë të hapur për çdo pyetje që mund të dalin gjatë
mbledhjes.
Faleminderit!
Milva Ekonomi – Faleminderit!
Zonja Fagu, a keni nevojë të shtoni edhe ju diçka?
-
4
Pranvera Fagu – E gjithë panorama e ligjit është në rregull. E vetmja gjë që unë do
të shtoja është fakti pse ky regjistër është në QKB. Kjo për arsye se i gjithë legjislacioni u pa
edhe nga homologët tanë dhe u vendos që kjo të jetë në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Meqenëse regjistri i bizneseve dhe pronari përfitues kryesisht janë të lidhur në mënyrë të
drejtpërdrejtë me biznesin, u vendos që regjistri të jetë në QKB dhe jo vetëm kaq, por edhe
për shkak të infrastrukturës aktuale që ndodhet në QKB-në.
Milva Ekonomi – Faleminderit!
Zoti Bushati, fjala për ju.
Ervin Bushati – A dëgjohem?
Milva Ekonomi – Po, në rregull!
Ervin Bushati – Unë do të doja të fokusohesha te qëllimi, objektivat dhe efektet e
synuara të këtij projektligji.
Milva Ekonomi – Nuk dëgjoheni shumë mirë, ndaj gjeni një moment që t’ju vijë zëri
pa jehonë dhe pa ndërprerje.
Ervin Bushati – Mos ndoshta ka ndonjë mikron tjetër aty hapur.
Milva Ekonomi – Nuk shikoj që të ketë ndonjë mikrofon tjetër hapur.
Ervin Bushati – Aktualisht, referuar dispozitave ligjore në fuqi, subjektet e
regjistruara në Republikën e Shqipërisë dhe të dhënat e tyre, ndër të tjera, lidhur me objektin,
aktivitetin dhe gjendjen e ortakërisë, regjistrohen dhe administrohen në regjistrin tregtar në
QKB dhe në regjistrin e organizatave jofitimprurëse.
Ndërkohë, referuar rekomandimeve të MONEYVAL-it, është kërkuar ndërtimi i një
regjistri, në bazë të të cilit të identifikohet dhe të regjistrohet pronari përfitues i subjekteve
tregtare dhe organizatave jofitimprurëse të regjistruara në Republikën e Shqipërisë.
Republika e Shqipërisë deri me tani nuk ka një mekanizëm, cili të identifikojë se cilët janë
pronarët e vërtetë përfitues të subjekteve të regjistruara në të. Për këtë arsye, si dhe duke
pasur parasysh që ngritja e një regjistri, i cili do të bëjë të mundur regjistrimin e pronarëve
real përfitues, ka qenë një prej rekomandimeve të MONEYVAL-it për Shqipërinë, grupi i
punës i ngritur për zbatimin e këtyre rekomandimeve vlerësoi rëndësinë e ngritjes së këtij
sistemi.
Objektivat dhe efektet e synuara të projektligjit janë si më poshtë:
Përkufizimi i pronarit përfitues; subjektet e detyruara, të cilat duhet të regjistrojnë
pronarët përfitues; krijimi, funksionimi dhe administrimi i pronarëve përfitues; procedura
dhe mënyra e regjistrimit dhe mbajtjes së të dhënave të pronarëve përfitues, si dhe masat
ndëshkuese në rast të mosregjistrimit të pronarëve përfitues.
-
5
Për sa më sipër, ky projektligj përmbush një nga detyrat e caktuara nga grupi
ndërinstitucional i punës për zbatimin e rekomandimeve të MONEYVAL-it i ngritur nga
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me qëllim zbatimin e rekomandimeve të Komitetit
të Ekspertëve.
Po ndalem pak te përparësitë e projektligjit.
Me anë të këtij projektligji, nëpërmjet përkufizimit të pronarit përfitues, caktimit të
subjekteve që kanë detyrimin e regjistrimit të tyre pranë regjistrit të krijuar për këtë qëllim,
duke përcaktuar njëkohësisht edhe të drejtat e detyrimet e tyre, të institucionit të ngarkuar me
regjistrimin e të dhënave dhe administrimin e tyre...
Milva Ekonomi – Ervin, të lutem, sepse zëri vjen me shumë ndërprerje dhe është e
pamundur edhe të zbardhim në procesverbal se çfarë thua.
Duhet të gjesh një mënyrë që të mos lëvizësh shumë afër mikrofonit ose ta vendosësh
në një pozicion tjetër.
Ervin Bushati – Po, një minutë, ta provoj.
Milva Ekonomi – Tani nuk dëgjohesh fare.
Ervin Bushati – A dëgjohem tani?
Milva Ekonomi – Po, afrohuni edhe pak dhe jeni mirë.
Ervin Bushati – A ta nis edhe një herë nga fillimi?
Milva Ekonomi – Ato pjesët e para thuaji sa më shpejt.
Ervin Bushati – Atëherë, vetëm objektivat edhe një herë.
Objektivat dhe efektet e synuara të projektligjit janë si më poshtë:
Përkufizimi i pronarit përfitues; subjektet e detyruara, të cilat duhet të regjistrojnë
pronarët përfitues; krijimi, funksionimi dhe administrimi i pronarëve përfitues; procedura
dhe mënyra e regjistrimit dhe mbajtjes së të dhënave të pronarëve përfitues, si dhe masat
ndëshkuese në rast të mosregjistrimit të pronarëve përfitues.
Për sa më sipër, ky projektligj përmbush një nga detyrat e caktuara nga grupi
ndërinstitucional i punës për zbatimin e rekomandimeve të MONEYVAL-it, i ngritur nga
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me qëllim zbatimin e rekomandimeve kryesore që
vijnë nga Këshilli i Europës.
Për të gjitha këto arsye dhe, sipas të gjitha dokumenteve që kanë përpara të gjithë
anëtarët e komisionit, shpresoj që të miratohet me vota të plota, pasi është një nga
rekomandimet kryesore që na vijnë për gjithçka që ka të bëjë me integrimin më të mirë jo
vetëm të financave publike, por të të gjithë kuadrit ligjor të Republikës së Shqipërisë dhe BE-
së.
-
6
Faleminderit!
Milva Ekonomi – Atëherë, kush ka nevojë të bëjë pyetje apo diskutime? Po, zoti
Roshi, zonja Edlira.
Po, zoti Roshi.
Artur Roshi – Faleminderit, zonja kryetare!
Ky projektligj, në fakt, është në kuadrin e disa projektligjeve që ne kemi kaluar më
parë në komision për formalizimin e ekonomisë kriminale, të thuash, e cila kërkon ta
administrojë shteti. Për atë set ligjesh në tërësi dhe për mënyrën se si ka pasur qasje qeveria
për t’i bërë, unë jam shprehur kundër, sepse nuk kam si të shprehem pro për këtë projektligj,
që është hallka e fundit e zinxhirit të mbylljes së qarkut për pronat jo të legjitimuara deri më
sot ose për pronat e përfituara në mënyrë jo të rregullt.
Në qoftë se e kujtojmë, Artur Levis rreth viteve ‘55 ka hedhur idenë e ekonomisë së
dyfishtë: ekonomi moderne dhe ekonomi tradicionale. Ekonomia moderne ka qenë industria,
kurse tradicionalja ka qenë bujqësia. Pak a shumë këtë gjë po tenton të bëjë edhe qeveria, por
nuk e di se ku ta fusë këtë, pra mundohet të krijojë një ekonomi të dyfishtë, e cila u shkon
vendeve të prapambetura, por nuk besoj se është mënyra e duhur për ta bërë këtë. Mua më
ngjan me atë tregtinë e skllevërve në kohët e hershme në SHBA-të apo në pjesën e Afrikës ku
dënimi i vetëm që u bëhej kriminelëve ishte skllavëria. Pra, duke i shitur ata si skllevër në
tregun indian...
Milva Ekonomi – Zoti Roshi, do të bënit mirë të futeshit pak te direktivat e BE-së që
ta shikoni këtë gjë, se janë disa direktiva të BE-së që përshtaten këtu.
Artur Roshi – Në qoftë se kemi një zinxhir ligjesh, kjo është hallka e fundit dhe nuk
mund ta kapësh hallkën e fundit sipas direktivave të BE-së kur ke të gjithë zinxhirin me
direktivat e Rusisë, a e kuptoni, kryetare?
Milva Ekonomi – Ndërkohë, deri tani keni marrë pjesë aktive në disa diskutime për
projektligjet që kemi pasur. Kemi folur për shkëmbimin automatik të të dhënave, që ishte i
bazuar mbi të gjithë eksperiencën e vendeve të OECD-së. Ne miratuam marrëveshjen që
Shqipëria bëri pjesë në BEPS, që janë përsëri shkëmbime automatike të dhënash të shumë
vendeve për trajtimin e dyfishtë dhe të gjitha këto ishin në bazë rregulloresh ndërkombëtare.
Edhe ky projektligj vjen në bazën të rregulloreve ndërkombëtare, që kështu, të lutem shumë,
referoju projektligjeve ose rregulloreve edhe atyre që kemi kaluar, edhe rregulloreve që janë
tani të BE-së, më pas bëni gjithë këtë shpjegim se nuk shkon shpjegimi juaj.
Artur Roshi – Shpjegimi është konteksti dhe nuk më intimidon dot, zonja kryetare,
që një segment i vogël ka tendencë të afrohet me direktivat dhe se në çfarë mase afrohet ajo
-
7
me direktivat, kjo vlen për ta parë pastaj që unë të shprehem pro kësaj. Për të mos e zgjatur,
se ndoshta ju bezdisa, po ju them se vota ime do të jetë kundër, por komentet e mia nuk kam
se si t’i reduktoj, ashtu siç kundër doni ju, zonja kryetare. Kështu që po e mbyll këtu
diskutimin dhe vota ime është kundër.
Faleminderit!
Milva Ekonomi – Po, zonja Hyseni.
Edlira Hyseni – Faleminderit, kryetare!
Përshëndetje!
Në fakt, dua të them pak gjera dhe do ta nis, duke parashtruar, të paktën në syrin tim,
se prezantimi i një ligji të ri, që është me koncepte të reja, duhej të kishte qenë pak më i qartë.
Në fakt, nëse mendojmë se po dëgjojnë qytetarët, nuk është se kam kuptuar shumë se për
çfarë po flasim ne. Pronarët përfitues të subjekteve; pronarët përfitues të kujt, të çfarë? Të
cilave subjekteve tregtare? Unë mendoj se të paktën ato nenet e para, që përkufizojnë se për
çfarë ligji po flasin, pra para se të shkojmë tek objektivat, sepse të gjitha janë të rëndësishme,
të jenë më të qarta. As unë nuk e kam kuptuar qartë, edhe pse e lexova të gjithë ligjin se për
çfarë po flasim konkretisht dhe mirë do të kishte qenë të jepej të paktën një përkufizim më i
qartë se çfarë kuptojmë me pronarët përfitues të subjekteve dhe për çfarë regjistri po flasim.
Kaq e thjeshtë është dhe mua nuk më duk se kjo gjë u tha, sidomos në prezantimin që bëri
zëvendësministrja.
Në kuadër të kësaj, do të bëja pyetje që lidhen me parashikimin e deklarimeve që
bëhen në QKB. Unë nuk e kuptova nga ligji dhe as nuk u tha, këto deklarimet, që kanë një
afat, sepse duhej të nisnin brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, dhe i gjithë ky
dokumentacion dhe çfarëdolloj deklarimi që do bëhet do të ketë një jetë fizikisht apo online?
Domethënë, duhet të paraqiten 54 mijë subjekte tregtare dhe 7 mijë OJF kanë detyrimin, pak
a shumë ishte totali, që duhet të shkojnë pranë QKB-së të bëjnë veprime, apo do të jenë
online? A është QKB-ja gati sot për ta përballuar një fluks që do të sjellë ky ligj i ri, duke
pasur parasysh që deklarimi i pasqyrave financiare që bëhet deri më 30 korrik po ndesh
vështirësi, kohë të gjatë dhe shumë të komplikuar për bizneset që duan të deklarojnë bilancet
e tyre? Nuk e di se ku është problemi. A a kanë problem interneti, a kanë probleme me
formatimin, me pasqyrat financiare, jo presje dhjetore apo problematika të tjera? Realisht
biznesi ka terrorin e deklarimit të pasqyrave financiare në QKB. Pra, jemi në një situatë që
QKB-ja nuk po arrin ta menaxhojë më së miri apo t’ua lehtësojë bizneseve, subjekteve
tregtare detyrimin që kanë për deklarimin e bilanceve, ndërkohë që marrim përsipër një
angazhim të ri të deklarimeve të reja që do bëjnë dhe është mirë të shpjegohet edhe një herë
-
8
se cilat janë konkretisht subjektet, pronarët përfitues, pra ata që do të kenë detyrimin ta
zbatojnë këtë ligj.
Pyetja tjetër ka të bëjë me gjobat. Unë vura re se janë parashikuar gjoba shumë të larta
për mosrespektimin e detyrimeve që ligj sjell ky. Si janë gjykuar ato? Si është gjykuar masa e
tyre? Vlera kaq të larta janë në pak ligje te ne. Unë doja të dija: pse janë gjykuar të tilla?
Pyetja e fundit është: në këtë periudhë pandemie me një milion halle që ka qytetari
shqiptar, biznesi i përfshirë, a mendoni se është koha e duhur për një detyrim të ri për këtë
ligj, pavarësisht se ai i përmbush detyrat në sajë të angazhimeve që ka marrë, të cilat ju i
përmendët pak më lart, sepse ne jemi duke shtyrë disa ligje të tjera, që janë të kërkuara, të
nevojshme dhe të domosdoshme, por që nuk është kjo periudha, pasi jemi në kohë pandemie
dhe nuk do të ishte mirë që qytetarëve dhe biznesit t’u shtonim detyrime të reja?
Pyetja e fundit: a ka ndonjë përplasje apo pengesë, që mund të dalë lidhur me
zbatimin e ligjit të amnistisë, që besoj se do të kalojë së shpejti, dhe këtë detyrim të ri që
lidhet? A nuk do të ishte më mirë të bënim këtë, pastaj këtë tjetrën? A ka ndonjë lloj
mbivendosjeje të këtyre dy gjërave apo vështirësi, që mund t’i hasë njeri ligj tjetrit?
Ju faleminderit!
Milva Ekonomi- Fjalën dua t’ia kaloj përfaqësueses së QKB-së.
Pranvera Fagu- Faleminderit, zonja kryetare!
Fjalën time dua ta filloj me pasqyrat financiare. Nuk e di se cili është dhe nga është
marrë informacioni, por nën përgjegjësinë time personale dhe institucionale deklaroj para
jush se sistemi i pasqyrave financiare po ecën shumë mirë. Deri në këto momente ne kemi 10
mijë aplikime. Kjo do të thotë se në të njëjtën periudhë të vitit që shkoi nuk kemi qenë fare në
të tilla standarde, por kemi qenë afër 60% më pak, sepse vjet ishte sistemi për herë të parë,
ndërsa sivjet (përpos faktit që kemi 50% dhe pritshmëria është 18-20 mijë biznese, sepse jo të
gjitha bizneset kanë detyrimin për të deklaruar pasqyrat financiare), deri në këtë moment ka
vetëm një ankesë për dorëzimin e pasqyrave financiare. Këtë mund t’jua jap me protokoll, me
informacion dhe me të gjitha. Kështu që sistemi i pasqyrave, ndryshe nga vjet, që ishte një
gjë e re edhe për ne, edhe për biznesin, sivjet është futur në një rrugë shumë të mbarë.
Pyetjes së zonja deputete sesi do të bëhen aplikimet, dua t’i them se ne do t’i
përmbahemi rreptësishtë ligjit. Kodi i Procedurave Administrative ka dy forma: atë në
sportele dhe atë online. Ne po i krijojmë të gjitha mundësitë për t’u bërë aplikimi online, por
kjo nuk do të thotë që kur subjekti ka vështirësi, nuk e dorëzon dot online dhe nuk i ofrohet
shërbim në sportel. Sigurisht, po e përsëris, jemi për drejt online-it, drejt kanalit alternativ.
-
9
Nuk them që do të jemi kështu në pjesën praktike të gjësë, por këtë që po e deklarojmë ne e
kemi të përcaktuar ekzaktësisht edhe në ligj.
Pyetjes: a e menaxhojmë dot fluksin, dua t’ju them se po ta shikojmë me vëmendje
ligjin, ne ia kemi lënë akteve nënligjore (edhe ky si e gjitha pjesa e legjislacionit shqiptar, që
nuk është një legjislacion i determinuar deri në elementin e fundit në ligj, por ia lë gjithë
kohës akteve nënligjore), dhe do ta përcaktojmë atje. Paraprakisht dua t’ju them se kur është
hartuar ligji, sigurisht që është një nga gjërat më të rëndësishme që ne e kemi diskutuar dhe e
kemi marrë parasysh, koha që ne kemi lënë në dispozicion për t’u populluar regjistri nga ne
është kalkuluar shumë e mjaftueshme, sepse një pjesë të madhe të punëve do t’i bëjë vetë
QKB-ja. Pra, kur themi “pronar përfitues”, sipas përcaktimeve që ka ligji, ai që është 25%
pronar i kuotave në një shoqëri është automatikisht pronar përfitues, ai automatikisht do të
regjistrohet nga vetë QKB-ja për të menaxhuar fluksin. Sigurisht, është planifikuar që të ketë
edhe një asistencë për biznesin që si ka për të ardhur dhe ka për t’i raportuar të dhënat e
pronarëve përfitues.
Për sa i përket përkufizimit, unë dua t’ia kaloj fjalën Flogersit, si një nga hartuesit
kryesorë të ligjit.
Flogers Broqi- Faleminderit, zonja kryetare!
Në përgjigje të pyetjes së përkufizimit të pronarit përfitues, mendoj se kemi qenë të
kujdesshëm dhe kemi bërë maksimumin që të jetë sa më i qartë jo vetëm ne ekspertët e QKB-
së apo legjislacionit tregtar në Republikën e Shqipërisë, por së bashku me ekspertët e
MONEYVAL-it, të citët, siç e thatë edhe ju, GIZ-i na mundësoi që të kishim përkrah gjatë
hartimit të këtij projekti. “Pronar përfitues” do të thotë çdo individ, i cili zotëron të paktën
25% të kuotave apo të aksioneve ë një shoqëri aksionare apo është kontrolli i fundit efektiv.
Pronësia ndahet në direkte dhe indirekte. Pronësi direket kemi në rastin kur pronari përfitues
zotëron drejtpërdrejt 25% të aksioneve, ndërsa pronësi indirekte kemi në rastin kur një
kompani tjetër zotëron të paktën 25% në një kompani tjetër të regjistruar në Republikën e
Shqipërisë. Ndërkohë, në rastin e kontrollit efektiv jemi në ato raste kur një individ zotëron të
paktën 25% të votave ose në mënyrë de facto përcakton ose merr vendime në asamblenë
drejtuese, si në rastin e sh.p.k-ve apo në rastin e shoqërive anonime.
Në nenin 3 ne jemi munduar që përkufizimi të jetë sa më i qartë. Po ashtu janë edhe
rastet e OJF-ve, sepse, përveç shoqërive tregtare në këtë regjistër të ri që do të krijohet, do të
regjistrohen edhe themeluesit ose përfaqësuesit ligjor të OJF-ve, të cilët janë të klasifikuar si
pronarë përfitues të këtyre subjekteve. Ky regjistër do të mbajë edhe forma të tjera ligjore, siç
është trasti, ku, për hir të së vërtetës, në Republikën e Shqipërisë nuk është e lejuar që të
-
10
krijohet një trast, por kjo nuk do të thotë që ndalon një trast të vijë si pronar përfitues i një
subjekti që krijohet në Republikën e Shqipërisë.
Faleminderit.
Pranvera Fagu - Për sa i përket pyetjes tjetër, gjobave të larta, dua të sjell në
vëmendjen tuaj që vetë Komisioni i Ekonomisë në ligjin për regjistrimin e biznesit, kur kemi
sjellë një ndryshim dhe kemi thënë që gjobat për regjistrimin me vonesë në kontratat e
kalimit për shitjen e kuotave dhe aksioneve, e kemi sjellë 1 milion lekë, ju keni thënë do të
shkojë 500 mijë lekë. Më falni që po u referohem shifrave të vjetra! Ju e dini më mirë se unë
që ne kemi kontrolle të vazhdueshme dhe nga rekomandimet e MONEYVAL-it, në
kontrollet për përmbushjen e rekomandimeve të lëna, kjo pikë është quajtur e papërmbushur.
Kur flasim për pastrimin e parave, i gjithë qëllimi nuk ka një hap konkret për të sjellë
të ardhura, por qëllimi është që gjobat të jenë përvëluese, kështu është shprehur, duke u nisur
nga qëllimi i ligjit. Pra, nëse diskutojmë se sa i rëndësishëm është pastrimi i parave për një
vend, do të diskutojmë sesi kemi për ta arritur këtë lloj rëndësie. Duke qenë se gjobat duhet të
jenë të tilla, është parashikuar një gjobë e tillë, për më shumë mund ta mbështesë
zëvendësministrja e Financave.
A është koha e duhur për këtë ligj? Besoj se kjo është pyetje që duhet t’i drejtohet
legjislativit, nuk është pyetje për ekzekutivin. Më falni!
Pyetjes: a ka përplasje me amnistinë, besoj se do t’i përgjigjet zëvendësministrja.
Faleminderit!
Milva Ekonomi- Faleminderit!
Po, zonja Belinda.
Belinda Ikonomi - Në fakt, siç e sqaroi edhe drejtoresha e QKB-së, qëllimi i
vendosjes së gjobave është që ligji të respektohet dhe të ketë një lloj qasjeje ndëshkuese për
ato biznese që nuk raportojnë në kohën dhe procedurën e duhur.
Zonja deputete përmendi që nuk ka legjislacioni gjoba kaq të larta, por, në fakt,
legjislacioni ka gjoba kaq të larta dhe këtu mund t’i referohemi ligjit “Për parandalimin dhe
pastrimin e parave dhe financimit të terrorizmit”, ku niveli i gjobave është shumë i lartë dhe
gjobat për personat juridikë shkojnë nga 1 milion deri në 5 milionë lekë për rastet kur kemi
mosraportime të caktuara për subjektet e detyruara. Pra, siç e përmendi edhe drejtoresha e
QKB-së, janë rekomandime të MONEYVAL-it që gjobat të jenë në një nivel të tillë, në
mënyrë që të kenë impakt dhe të diktojnë sjelljen e subjekteve për të qenë korrekt ndaj
legjislacionit përkatës.
-
11
Për sa i përket pjesës nëse është momenti i duhur dhe, nëse ka ndonjë përplasje me
amnistinë, sot në rendin e ditës do të diskutoni edhe për amnistinë, por ne shohim që nuk ka
asnjë lloj përplasjeje me amnistinë, pasi ky është një detyrim për subjektet për të identifikuar
pronarët përfitues, ku krijohet një regjistër, verifikohen të dhënat, shikohen nga strukturat
përkatëse dhe nuk shohim asnjë lloj përplasjeje me ligjin e amnistisë.
Faleminderit!
Milva Ekonomi - Zonja Belinda, unë dua të shtoj edhe diçka tjetër. Po të shikojmë
dispozitat e fundit dhe kalimtare të këtij projektligji, pika 2 thotë: “Ministria e financave dhe
Agjencia Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit do të krijojnë regjistrin e pronarëve
përfitues jo më vonë se data 31 janar 2021”. Krijimi i një regjistri në këtë periudhë, pikërisht,
ndihmon që amnistia fiskale të jetë e bërë në kushte shumë të kontrollueshme dhe këtë gjë
sjell edhe ngritja e regjistrit të pronarëve përfitues. Kjo është një nga arsyet pse
MONEYVAL rekomandon kaq fort për Shqipërinë që të bëjë kujdes në pastrimin e parave
dhe luftën kundër terrorizmit. Kështu që, edhe unë bashkohem me ju dhe nuk shikoj asgjë që
bie në kundërshtim midis dy ligjeve. Për më tepër, në dispozitat kalimtare dhe në ato për
nxjerrjen e akteve nënligjore, shpejtësia me të cilën do të operoni ju në këtë projektligj për të
nxjerrë akte nënligjore është dy muaj, gjë që, në fakt, ka qenë edhe një nga pyetjet që kisha
menduar edhe unë: a është e mjaftueshme periudha dymujore për të nxjerrë aktet nënligjore të
këtij projektligji, por që do ta diskutojmë më vonë? E rëndësishme është që hyrjet në fuqi të
projektligjeve që po shikojmë tani, po të vini re, të nderuar deputetë, nga Ministria e
Financave dhe Ekonomisë janë të gjitha të rakorduara.
Unë nuk e di nëse ka nevojë për ndonjë pyetje tjetër sqaruese. Edlira, i more të gjitha
përgjigjet e pyetjeve.
A ka dikush nevojë për të sqaruar diçka?
Përpara se të kalojmë në votim diskutimit nen për nen dhe miratimit në tërësi, dua të
bëj një apel të prezencës. Arben Elezi, këtu, Anastas Angjeli, këtu, Antoneta Dhima, këtu,
Blerina Gjylameti, këtu, Ervin Bushati, këtu, Evis Kushi, këtu, Rolant Xhelilaj, këtu, Xhevit
Bushaj, këtu, Reme Lala nuk është në linjë, Senida Mesi, këtu, Eljo Hysko nuk është në linjë,
Vullnet Sinaj, këtu, Krenar Rryçi, këtu, Edlira Hyseni, këtu, Artur Roshi, këtu, Korab Lita,
Ylli Shehu, këtu, dhe Suzana Topi këtu.
Kush është në parim me projektligjin “Për regjistrin e pronarëve përfitues”? Kundër?
Kundër janë: zoti Roshi, zonja Hyseni, zonja Topi, zoti Elezi, zoti Lita dhe zoti Shehu. 11
pro, 6 kundër.
Miratohet.
-
12
Kalojmë në miratimin nen për nen.
Ndërkohë, zoti Bushati, ju keni marrë edhe raportin që ka përgatitur grupi i
këshilltarëve të Komisionit për Ekonominë dhe Financat, ku i keni parë edhe rekomandimet
që janë bërë për ndryshimet nen për nen. Kështu që unë do t’i kaloj ato dhe në leximet e
ndryshimeve do të bëj shpjegimet.
Kush është dakord me nenin 1? Kundër? 11 pro, 7 kundër.
Miratohet.
Kush është dakord me nenin 2? Kundër? 11 pro, 7 kundër.
Miratohet.
Kush është dakord me nenin 3? Kundër? 11 pro, 7 kundër.
Miratohet.
Në nenin 4 sekretaria e komisionit sugjeron që të bëhen këto ndryshime: u lutem,
QKBS-së dhe Ministrisë së Financave të më ndiqte, “Pikat 1 dhe 2, të nenit 4 sugjerohen të
hiqen, pasi janë përsëritje e pikës 8, të nenit 3, i cili ka të bëjë me përkufizimet. Për rrjedhojë,
te përkufizimi i titullit të kreut II termi “Regjistri i pronarëve përfitues” të zëvendësohet me
termin “administrimi i regjistrit të pronarëve përfitues”. A keni ndonjë sugjerim Flogert dhe
Pranvera?
Pranvera Fagu- Dakord.
Milva Ekonomi - Ata që do ta zbardhin projektligjin duhet të kenë kujdes në
numërimin e pikave, sepse duke hequr pikat 1 dhe 2 të nenit 4, pika 3, bëhet 1 e kështu me
radhë.
Pika 9 e këtij projektligji, që bëhet pika 7, ka një riformulim të ri. Riformulimi është
ky: “Këshilli i Ministrave në zbatim të këtij neni përcakton procedurat e hollësishme për
regjistrimin e të dhënave në Regjistrin e Pronarëve Përfitues, mënyrën e transferimit të të
dhënave nga Regjistri Tregtar dhe Regjistri i Organizatave Jofitimprurëse, si dhe
funksionimin e Regjistrit të Pronarëve Përfitues”. Kush është dakord me nenin 4, sipas
korrigjimeve që ka bërë shërbimi i sekretarisë? Kundër? 7 kundër.
Miratohet.
Kalojmë te neni 5. Kush është dakord? Kundër? 7 kundër.
Miratohet.
Kalojmë te neni 6. Te neni 6 kemi një propozim, pikat 8, 9 dhe 10
riformulohen si më poshtë:
-
13
Pika 8, të bëhet si vijon: “Këshilli i Ministrave përcakton mënyrën dhe arsyet e
refuzimit për regjistrimin e të dhënave të pronarëve përfitues të subjekteve raportuese në
regjistër”.
Pika 9: “Këshilli i Ministrave përcakton mënyrën dhe afatet e njoftimit nga autoritetet
shtetërore kompetente, në rastet kur të dhënat e regjistruara në regjistër nuk përputhen me të
dhënat që zotërojnë dhe mënyrën e përditësimit apo ndryshimit nga Qendra Kombëtare e
Biznesit, bazuar në njoftimet e bëra sipas këtij neni”.
Pika 10. “Këshilli i Ministrave përcakton mënyrën dhe afatet e njoftimit nga subjektet
e detyruara, në rastet kur të dhënat e regjistruara në regjistër nuk përputhen me të dhënat që
zotërojnë, si dhe mënyra e përditësimit apo konfirmimit të të dhënave të pronarëve përfitues
nga subjektet raportuese, bazuar në njoftimet e bëra sipas këtij neni”.
QKB-ja dhe ministria, a jeni dakord?
Pranvera Fagu – Dakord.
Belinda Ikonomi – Dakord.
Milva Ekonomi – Atëherë, kush është dakord me riformulimin e nenit 6? Kundër?
Abstenim? Vazhdojmë të kemi të njëjtat vota: 11 pro dhe 7 kundër.
Kalojmë te neni 7.
Në nenin 7 ka një riformulim te pikave 9 dhe 10. Pika 9 riformulohet: “Këshilli i
Ministrave përcakton mënyrën e komunikimit në formë elektronike dhe të shkëmbimit të të
dhënave ndërmjet QKB-së dhe organeve përgjegjëse shtetërore”.
Pika 10 bëhet si më poshtë: “Vlera përkatëse e tarifës për dhënien e informacionit,
sipas pikës 6 të këtij neni, do të përcaktohet me akt nënligjor të ministrit përgjegjës në fushën
e financave”.
QKB-ja dhe Ministria e Financave, a jeni dakord?
Pranvera Fagu – Dakord.
Belinda Ikonomi – Dakord.
Flogers Broqi – Zonja kryetare, a mund të bëj një ndërhyrje?
Milva Ekonomi – Patjetër.
Flogers Broqi – Është për teknikë legjislative.
Është e vërtetë që për organizimin juridik është Ministria e Financës dhe Ekonomisë,
por si projektligj, ky regjistër do të jetë pjesë e Qendrës Kombëtare të Biznesit që në logjikën
legjislative gjithmonë ka qenë në fushën e Ministrisë së Ekonomisë. Për teknikë legjislative,
për të qenë më të kujdesshëm, dua të propozoj që këtu të bëhej “në aktet nënligjore të
ministrave të fushave përkatëse të financës dhe ekonomisë”, sepse mbase në të ardhmen
-
14
mund të ndahen në dy ministri të linjës dhe duhet të jetë kompetenti i fushës që të japë
propozimin dhe jo vetëm ministri i Financave.
Milva Ekonomi – Faleminderit!
Do ta marrim në konsideratë dhe do ta riformulojmë, sipas propozimit që bëtë ju.
Kush është dakord me riformulimin e nenit 7 dhe me propozimin që vjen nga QKB-
ja? Kundër? Abstenim? Vazhdojmë të kemi të njëjtat vota: 11 pro dhe 7 kundër.
Miratohet.
Neni 8.
Edhe këtu ne kemi vendosur po të njëjtën konsideratë për ministrin përgjegjës në
fushën e financave, por duke pasur parasysh komentin që bëri zoti Flogers, pra do të marrim
në konsideratë komentin e tij.
Kush është dakord me nenin 8? Kundër? Abstenim? Vazhdojmë të kemi të njëjtat
vota: 11 pro dhe 7 kundër.
Miratohet.
Neni 9.
Kush është dakord me nenin 9? Kundër? Abstenim? Vazhdojmë të kemi të njëjtat
vota: 11 pro dhe 7 kundër.
Miratohet.
Neni 10.
Kush është dakord me nenin 10? Kundër? Abstenim? Vazhdojmë të kemi të njëjtat
vota: 11 pro dhe 7 kundër.
Miratohet.
Neni 11, që është pjesë e kreut IV, nuk ka asnjë ndryshim, pra mbetet siç ka ardhur
nga propozuesi.
Kush është dakord me nenin 10? Kundër? Abstenim? Vazhdojmë të kemi të njëjtat
vota: 11 pro dhe 7 kundër.
Miratohet.
Neni 12
Në nenin 12 ka një propozim nga shërbimet, për shkak të teknikës legjislative. Në
pikën 4 të nenit 12 kemi këtë riformulim: “Ndaj vendimit të dhënë pas shqyrtimit të
ankimimit të administrativ apo mosveprimit mund të bëhet ankim drejtpërdrejt në Gjykatën
Administrative, sipas legjislacionit në fuqi.”
Kush është dakord me nenin 12, sipas ndryshimeve që bëri komisioni? Kundër?
Abstenim? Vazhdojmë të kemi të njëjtat vota: 11 pro dhe 7 kundër.
-
15
Miratohet.
Në nenin 13 ka një sugjerim që bëhet për pikën 5 të nenit 13. Pika 5 riformulohet:
“Gjoba vendoset nga titullari i QKB-së, vendimi i të cilit ankimohet drejtpërdrejt në Gjykatën
Administrative, sipas legjislacionit në fuqi.”
QKB-ja, a jeni dakord?
Më falni, ka edhe një ndryshim tjetër në pikën 7 të këtij neni, i cili riformulohet:
“Këshilli i Ministrave përcakton mënyrën dhe afatet e ndërveprimit mes regjistrit të
pronarëve përfitues, regjistrit tregtar dhe regjistrit të organizatave jofitimprurëse për rastet e
parashikuara në pikën 6 të këtij neni”.
Kush është dakord me nenin 13, sipas këtyre ndryshimeve që propozoi sekretaria e
komisioni? Kundër? Abstenim?
Miratohet.
Kalojmë te neni 14.
Në nenin 14 kemi një riformulim të pikës 3, e cila riformulohet: “Këshilli i Ministrave
përcakton mënyrën e dhënies së të dhënave nga regjistri tregtar dhe regjistri i organizatave
jofitimprurëse te regjistri i pronarëve përfitues”.
QKB-ja, a jeni dakord?
Pranvera Fagu – Dakord.
Milva Ekonomi – Faleminderit!
Kush është dakord me nenin 14, sipas ndryshimeve që bëri edhe komisioni? Kundër?
Abstenim? Vazhdojmë të kemi të njëjtat vota: 11 pro dhe 7 kundër.
Miratohet.
Neni 15 “Dispozitat e fundit kalimtare” nuk ka asnjë ndryshim.
Kush është dakord me nenin 15, sipas propozuesit? Kundër? Abstenim?
Miratohet.
Neni 16.
Neni 16. Kush është dakord me nenin 16, sipas propozuesit? I keni dhënë vetes
ngarkesë shumë të madhe të bëni për 2 muaj të gjitha aktet nënligjore! QKB-ja,a jeni dakord
për këtë?
Pranvera Fagu – Kjo mund të ishte një pikë për t’u diskutuar dhe të kishim pak më
shumë afate, të paktën 3 muaj.
Milva Ekonomi – Të paktën 3 muaj?
Ministria e Financave?
-
16
Belinda Ikonomi – Faktikisht ne duhet të jemi gati deri në fund të marsit. Pra, në
qoftë se ne arrijmë dhe ecim mirë dhe projektligji miratohet tani, mund ta bëjmë brenda 3
muajve, pra jemi dakord.
Milva Ekonomi – Në fakt, ju duhet të jeni gati deri në fund të janarit.
Belinda Ikonomi – Jo, regjistrimi i subjekteve të përfundojë në mars, pra 60-ditshi.
Në janar është krijimi i regjistrit dhe regjistrimi nga ana e bizneseve të ndodhë deri më 31
mars, pra brenda 60 ditëve nga krijimi i regjistrit. Propozoj brenda 3 muajve, në qoftë se
miratohet ligji në këtë sesion dhe më pas jemi në rregull.
Faleminderit!
Milva Ekonomi – A jeni dakord me këtë propozim që nga 2 muaj ta shtyjmë për 3
muaj nxjerrjen e akteve nënligjore?
Kush është dakord me nenin 16? Kundër? Abstenim? Vazhdojmë të kemi të njëjtat
vota: 11 pro dhe 7 kundër.
Miratohet.
Kalojmë te neni 17 “Hyrja në fuqi”.
Kush është dakord me nenin 17? Kundër? Abstenim? Vazhdojmë të kemi të njëjtat
vota: 11 pro dhe 7 kundër.
Miratohet.
E hedhim në votim në tërësi projektligjin “Për regjistrin e pronarëve përfitues”.
Kush është dakord me miratimin në tërësi të projektligjit? Kundër? Abstenim? Nuk
ka.
Miratohet në tërësi.
Kolegë, ne e miratuam në parim, nen për nen dhe në tërësi me 11 vota pro dhe me 7
vota kundër projektligjin, ku bëmë edhe ndryshimet përkatëse. Duhet të falënderojmë zonjën
Ikonomi nga Ministria e Financave që ishte prezente, dhe nga QKB-ja, zonjën Fagu dhe zotin
Broqi që ishin prezentë. Gjithashtu, duhet të falënderojmë edhe zotin Ervin, kolegun tonë, që
bëri relacionin. Duke thënë këtë gjë, këtë projektligj jemi gati t’ia kalojmë për miratim
seancës.
Faleminderit, Qendra Kombëtare e Biznesit dhe suksese!
Pranvera Fagu – Faleminderit edhe juve për të gjithë mbështetjen!
Milva Ekonomi – Mirupafshim!
Më pas do ta vazhdojmë mbledhjen me diskutimin që duhet të bëjmë për dëgjesat, të
cilat i kemi planifikuar me grupet e interesit për shqyrtimin e projektligjit “Për amnistinë
-
17
fiskale dhe penale për subjektet që bëjnë deklarim vullnetar të pasurive”. Dëgjesat do të
fillojnë në orën 11:30.
Do të njoftoheni me një tjetër link për fillimin e mbledhjes së dytë, të cilën do e
përgatisë tani IT-ja e Kuvendit. Njoftimi do t’ju vijë ose në postën tuaj elektronike ose në
grupin e WhatsApp-it, kështu që, ju lutem, rrini në gatishmëri!
Në qoftë se do të ketë një mundësi për ta afruar mbledhjen, do të njoftoheni.
Faleminderit për pjesën e parë!
MBYLLET MBLEDHJA
Sekretar Përgjegjësja e Sektorit të Redaktorëve
Anastas Angjeli Euzheni Pengili
Sekretar i komisionit
Elvi Prifti