republika e shqipËrisË kuvenditelefonisë celulare, tregu financiar dhe ai i sigurimeve, tregu i...
TRANSCRIPT
1
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
Komisioni për Ekonominë dhe Financat
PROCESVERBAL
Tiranë, më 13.03.2018, ora 11:30
Drejton mbledhjen:
Erjon Braçe – kryetar i Komisionit
Rendi i ditës:
1. Miratimi i procesverbalit.
2. Raportimi vjetor i Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2017.
Marrin pjesë:
Erjon Braçe, Jorida Tabaku, Antoneta Dhima, Blerina Gjylameti, Evis Kushi, Ilir
Xhakolli, Roland Xhelilaj, Xhevit Bushaj, Arben Pëllumbi, Reme Lala, Dashamir Shehi,
Edmond Spaho, Fatbardha Kadiu, Agron Shehaj, Nadire Meçorapaj, Edmond Haxhinasto
dhe Ismet Beqiraj.
Mungojnë:
Anastas Angjeli, Përparim Spahiu dhe Ervin Bushati.
Të ftuar:
Juliana Latifi – Kryetare e Autoritetit të Konkurrencës
Ledia Matja – Komisionere e Autoritetit të Konkurrencës
Adriana Berberi – Komisionere e Autoritetit të Konkurrencës
Diana Dervishi - Sekretare e Përgjithshme e Autoritetit të Konkurrencës
Indrit Reka - Drejtor Kabineti i Autoritetit të Konkurrencës
2
HAPET MBLEDHJA
Erjon Braçe – Mirëdita të gjithëve!
Fillojmë mbledhjen e Komisionit për Ekonominë dhe Financat.
Sot në rendin e ditës së punës të këtij komisioni kemi prezantimin e raportit vjetor të
Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2017. Pastaj do të kemi diskutime mbi këtë raport.
Për të prezantuar raportin e Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2017 janë të
pranishme zonja Juliana Latifi, kryetare e Autoritetit të Konkurrencës, zonja Ledia Matja,
komisionere e Autoritetit të Konkurrencës, zonja Adriana Berberi, komisionere e Autoritetit
të Konkurrencës, zonja Diana Dervishi, sekretare e Përgjithshme e Autoritetit të
Konkurrencës.
Do të procedojmë me prezantimin e raportit nga ana e zonjës Juliana Latifi. Relatore e
komisionit lidhur me këtë çështje është zonja Evis Kushi.
Pastaj do të vijojmë me pyetje dhe natyrisht edhe me diskutime.
Zonja Latifi, keni fjalën.
Juliana Latifi - I nderuar zoti kryetar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave,
Të nderuar anëtarë të këtij komisioni,
Jam këtu para jush për të paraqitur veprimtarinë e Autoritetit të Konkurrencës për
vitin 2017, veprimtari e pasqyruar në raportin me të cilin ju jeni njohur.
Autoriteti i Konkurrencës gjatë vitit 2017 synoi që misioni i tij për një konkurrencë të
lirë dhe efektive në treg të ishte në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit dhe në të mirë të
të gjithë konsumatorëve. Ne besojmë se konkurrenca e lirë përbën një nga shtyllat e
rëndësishme në ekonomi, rrit eficiencën e tregjeve, për rrjedhim ndikon në rritjen e
mirëqenies në terma afatgjatë.
Viti 2017 është konsideruar si viti i konsolidimit të ekuilibrave ekonomikë dhe
financiarë të vendit. Ekonomia shqiptare në vitin 2017 u pozicionua e 75-ta në renditjen e
indeksit global të konkurrueshmërisë nga pozicioni i 80-të që ishte klasifikuar për vitin 2016,
duke lënë pas vendet e rajonit si: Serbi, Mal i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina referuar raportit më
të fundit të konkurrueshmërisë së Forumi Ekonomik Global.
Gjatë veprimtarisë së tij për vitin 2017 nëpërmjet monitorimeve, vlerësimit të
ankesave, hetimeve, dhe vendimmarrjes Autoriteti i Konkurrencës ka ndërhyrë në mënyrë të
vazhdueshme në tregje me problematika të përsëritura si: tregu i karburanteve, tregu i
telefonisë celulare, tregu financiar dhe ai i sigurimeve, tregu i transportit detar të udhëtarëve
dhe mallrave, si edhe tregu i energjisë.
3
Nëpërmjet monitorimeve Autoriteti i Konkurrencës gjatë vitit 2017 ka vlerësuar
elementet konkurruese siç janë: strukturat e tregut dhe dinamikat e zhvillimit të tij, sjellja e
ndërmarrjeve në treg në lidhje me konkurrentët e tjerë, konsumatorët, si dhe barrierat ligjore
dhe ekonomike për hyrësit e rinj në treg.
Gjatë vitit 2017 janë monitoruar: sektori bankar, telefonia celulare, tregu i shfaqjes së
filmave, tregu i importit dhe depozitimit të gazit të lëngshëm, tregu i transportit detar, tregu i
importit dhe shitjes së cigareve, tregu i importit dhe përpunimit të kafesë.
Nga ana tjetër hetimet dhe vendimmarrjet e Autoritetit të Konkurrencës u shtrinë në
një numër të konsiderueshëm tregjesh: tregu me pakicë i shërbimeve celulare, sektori bankar,
tregu i shërbimit të ngarkim-shkarkimit dhe aktivitetet e lidhura me to për mallrat rifuxho në
terminalin lindor të portit të Durrësit. Siç e thashë edhe më sipër tregu i shfaqjes së filmave
në kinema në qytetin e Tiranës, tregu i tregtimit të produkteve lëndë e parë për prodhimin e
brumërave të bukës dhe nënprodukteve të saj, tregu i transportit ajror të udhëtarëve ndaj
ndërmarrjes “Austrian Airlines”, tregu i shërbimit të mirëmbajtjes së pajisjeve fiskale për
tregtimin e karburanteve, tregu i furnizimit të avionëve me karburant në zonën gjeografike të
aeroportit ndërkombëtar “Tirana International Aeroport”, tregu i transportit ndërkombëtar
detar të udhëtarëve dhe automjeteve në portin e Vlorës, tregu i shërbimit funeral në Bashkinë
e Beratit, tregu i importit, depozitimit, shitjes me shumicë, shpërndarjes dhe shitjes me pakicë
të produktit gaz i lëngshëm për konsum familjar dhe biznes, tregu i prodhimit, grumbullimit,
përpunimit të eksportit të duhanit, tregu i gazit natyror, tregu i shërbimit të furnizimin me ujë
dhe largimit të përpunimit të ujërave të ndotura.
Komisioni i Konkurrencës gjatë vitit 2017 mori 47 vendime. Gjatë vitit 2017
Autoriteti i Konkurrencës në zbatim të rezolutës së Kuvendit “Për vlerësimin e veprimtarisë
së Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2016” vazhdoi veprimtarinë në drejtim të rritjes së
rolit të tij si në funksion të monitorimit, ashtu edhe të atyre tregjeve të hetuara, të cilat
konsiderohen tregje sensitive në ekonominë shqiptare.
Konkretisht: në tregun e karburanteve, gazit dhe furnizimit me karburante të
avionëve, në tregun e sigurimit të detyrueshëm motorik ndaj palëve të treta, në tregun
farmaceutik, në tregun e prokurimeve publike dhe në sektorin bankar.
Gjatë vitit 2017 Autoriteti i Konkurrencës ka vazhduar të luajë rolin e tij, si lider i
kapitullit të 8-të “Konkurrenca dhe liberalizimi ” në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-
Asociimit, duke përmbushur detyrimet që burojnë nga ajo, veçanërisht në miratimin e një
kuadri ligjor sekondar në përputhje me acuqis-e të BE-së.
4
Gjatë vitit 2017 nga Komisioni i Konkurrencës u miratuan 2 akte të rëndësishme. Së
pari, rregullorja “Për kategoritë e marrëveshjeve të transferimit të teknologjisë”, e cila është
përafruar plotësisht me Rregulloren e Komisionit Europian "Për zbatimin e nenit 101,
paragrafi 3 i Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian”.
Së dyti, broshura informuese “Programi i përputhshmërisë me rregullat e
konkurrencës”, dokument, i cili bazohet në të njëjtin dokument që Komisioni Evropian ka
përgatitur për të gjitha vendet anëtarë të BE-së.
Gjatë vitit 2017 veprimtaria e Autoritetit të Konkurrencës u ndal veçanërisht edhe në
vlerësimin e rasteve të transaksioneve, kontrollit nga ndërmarrje shqiptare apo të huaja, nga
të cilat 16 prej tyre kanë kaluar në procedurë vlerësimi nga Autoriteti i Konkurrencës dhe 6
prej tyre u refuzuan nga Autoriteti i Konkurrencës për shkak se nuk përmbushnin kushtet
ligjore.
Në të gjitha rastet e autorizuara procedurat iu referuan asaj që nga pikëpamja ligjore
konsiderohet procedura paraprake e vlerësimit dhe koha mesatare e realizimit të procedurës
për vitin 2017 ka qenë afërsisht 24 ditë në zbatim të udhëzimit “Mbi procedurat e thjeshtuara
për trajtimin e disa përqendrimeve”, dokument plotësisht i përafruar me “Njoftimin e
Komisionit Europian mbi procedurat e thjeshtuara në trajtimin e disa përqendrimeve”.
Sektorët e ekonomisë me numrin më të madh të transaksioneve, të ndryshimit të
kontrollit për vitin 2017 janë:
Sektori i tregtisë më pakicë, nga të cilat AK-ja autorizoi 8 raste të autorizuara, ku
mund të përmendim tregun e importit të cigareve, tregun e importit dhe tregtimit të duhanit
të prodhuar nëpërmjet makinerive, tregun e prodhimit dhe shitjes së ëmbëlsirave, tregun e
prodhimit dhe shitjes së aparateve të televizorit.
Një sektor i rëndësishëm me të cilin u ndesh Autoriteti i Konkurrencës ishte edhe
sektori i telekomunikacioneve me 4 raste të ndryshimit të kontrollit, ku mund të përmendim:
tregun e kalimit të frekuencave të telefonisë celulare, tregun financiar me 3 raste
përqendrimi, nga të cilat 2 raste në tregun e shërbimeve bankare, dhe 1 në tregun e
sigurimeve, si edhe tregun e mjeteve motorike.
Nga vlerësimi i përqendrimeve rezultoi se: 46% e rasteve të njoftuara janë
transaksione, të cilat kanë ndodhur në tregun e jashtëm, por impakti i tyre është ndjerë në
tregun e brendshëm, me të cilat Komisioni i Konkurrencës u shpreh me 10 vendime
autorizimi, 27% e rasteve te njoftuara janë transaksione që kanë ndodhur në tregun e
brendshëm për të cilat Komisioni i Konkurrencës u shpreh me 6 vendime autorizimi 27%
janë njoftime, të cilat nga pikëpamja ligjore nuk kanë përmbushur kriteret e ligjit.
5
Në rast se i referohemi tregut të brendshëm, transaksionet më të rëndësishme janë: ai
i telefonisë celulare, ku AK-ja autorizoi përqendrimin e realizuar nëpërmjet transferimit të
spektrit të ndërmarrjes Plus Communication sha tek Vodafone Albania sh.a dhe tek Telekom
Albania sh.a, tregu i sigurimit të jetës ku AK-ja autorizoi përqendrim e realizuar nëpërmjet
përftimit të kontrollit mbi shitjen dhe transferimin e kuotës prej 90% të ndërmarrjes IINSIG
Jeta sh.a, nga Eurosig sh.a te dy persona, tregu bankar ku u autorizua përqendrimi i realizuar
nëpërmjet blerjes së disa aseteve, detyrimeve dhe marrëdhënieve ligjore të ndërmarrjes
Veneto Banca tek Intesa Sanpaolo Bank, tregu i importit të cigareve, tregu i shitjes së
pajisjeve kompjuterike, software dhe hardware.
Gjatë vitit 2017, siç e thashë edhe më lart AK-ja u shpreh me 47 vendime dhe në
raport me gjykatat vetëm 1 prej tyre është ankimuar pranë Gjykatës Administrative të
Shkallës së Parë, vendimi “Për marrjen e masave të përkohshme për rivendosjen e
konkurrencës në tregun e shërbimit të ngarkim-shkarkimit dhe aktiviteteve të lidhura me to
për mallrat rifuxho në Terminalin Lindor të portit të Durrësit”, vendim, i cili është lënë në
fuqi si nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, ashtu edhe nga Gjykata
Administrative e Shkallës së Dytë.
AK-ja gjatë vitit 2017 është përballur me sistemin gjyqësor në lidhje me tri çështje, të
cilat janë: në Gjykatën Administrative të shkallës ku në dy çështje ka qenë paditës dhe në
një i paditur.
Në Gjykatën Administrative të Apelit, aktualisht janë gjykuar dy çështje dhe për vitin
2018 janë të mbartura 5 çështje. Në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë kemi të
bëjmë me 2 çështje të përfunduara në favor të AK-së dhe të mbartura janë 7 çështje të tjera
për vitin 2018.
Një nga problematikat që shfaq marrëdhënia e AK-së me sistemin gjyqësor, në këtë
rast është ajo që ka të bëj me ekzekutimin e vendimeve.
Në vitin 2017 veprimtaria e AK-së ka pasur në fokus edhe gjetjen e rrugëve për të
bërë të mundur ekzekutimin e vendimeve të marra në vite nga KK-ja. Rezultojnë se janë 13
vendimmarrje të Komisionit të Konkurrencës të shoqëruara me gjobat respektive, të cilat
duhet të ekzekutohen për faktin se në zbatim të nenit 80 të ligjit “Për mbrojtjen e
konkurrencës” ato janë ispo jure tituj ekzekutivë. Po ashtu edhe vendimet e tjera të dala para
ndryshimeve të bëra ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” në vitin 2010 janë shoqëruar nga
urdhrat ekzekutivë përkatës.
Këto vendime në vite rezultojnë të paekzekutuara. Në letërkëmbimin e vazhdueshëm
me Ministrinë e Drejtësisë dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Përmbarimit, po përpiqemi
6
t’i japim një zgjidhje këtij problemi. Jemi në proces për të siguruar vjeljen e këtyre gjobave
të vëna nga AK-ja në vite.
Nga ana tjetër gjatë vitit 2017 roli i AK-së u fokusua në një nga drejtimet apo në
shtyllat e ligjit që ka të bëjë me atë që quhet formulimi dhe implementimi i politikave të
tjera, veçanërisht të asaj që quhet advokacia e konkurrencës. Gjatë vitit 2017 AK-ja bëri
vlerësimin ex post dhe ex ante të një sërë aktesh ligjore dhe nënligjore. Mund të
përmendim një grup të caktuar aktesh ligjore, në fushën e transportit: projektligjin “Për
sigurinë, ndërveprimin hekurudhor, për organizimin dhe funksionimin e autoritetit të sigurisë
hekurudhore” , projektligjin “Për administruesin e infrastrukturës hekurudhore”, projektligjin
“Për sipërmarrësin e transportit hekurudhor”, projektligjin “Për Shërbimin Meteorologjik dhe
Hidrologjik Shqiptar”.
Nga ana tjetër po ashtu një sërë aktesh të tjera në fushën e tregut të medieve
audiovizive për AMA-n, projektkodi i transmetimit për median audiovizive,
projektrregullorja “Për komunikimet audio”, projektrregullorja “ Për përcaktimin e pagesave
që kryhen nga Autoriteti i Mediave Audiovizive”, si edhe një kontribut të konsiderueshëm
KK-ja dha veçanërisht në tregun e energjisë dhe në tregun e ri, atij të gazit natyror, rreth
31 vlerësime ligjore.
Së fundi, në muajin dhjetor u shpreh me një vlerësim për sa i përket tregut të
shërbimit të furnizimit me ujë dhe largimit të përpunimit të ujërave të ndotura.
Në kuadër të advokacisë së konkurrencës për herë të parë AK-ja në kuadër të Ditës
Ndërkombëtare të Konkurrencës organizoi konferencën ndërkombëtare me temë: “13 vjet
eksperiencë në politikën e konkurrencës në Shqipëri: aspekte të ligjit, ekonomisë dhe
biznesit”, ku merrnin pjesë të ftuar nga autoritetet homologe në Europë dhe SHBA,
përfaqësues nga organizmat ndërkombëtare, si BE-ja OECD-ja, Konferenca e Kombeve të
Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin, si edhe përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe
enteve rregullatore.
Në kuadër të advokacisë së konkurrencës autoriteti zhvilloi disa tryeza të
rrumbullakëta në tre qytete, të cilat kanë një komunitet të ndjeshëm biznesi: në qytetin e
Elbasanit, të Fierit dhe të Durrësit. Fokusi i AK-së ishte njohja e komunitetit me dy
dokumente: programin e lehtësimit nga gjobat dhe programin e përputhshmërisë me
rregullat e konkurrencës.
Në kuadër të integrimit dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar mund të themi se procesi
i integrimit, përbën një nga prioritetet dhe sfidat e veprimtarisë së AK-së, si një institucion
lider në kapitullin e 8-të “Politika e konkurrencës dhe liberalizimi”. AK-ja gjatë vitit 2017
7
përmbushi misionin dhe detyrimet e tij, siç e thashë edhe më sipër me miratimin e dy
akteve nënligjore: rregullores “Për kategoritë e marrëveshjeve të transferimit të teknologjisë”
dhe broshurës informuese “Programi i përputhshmërisë me rregullat e biznesit”.
Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar mund të themi se viti 2017 shënon një
progres për veprimtarinë e AK-së, sidomos në kuadër të rrjetit ndërkombëtar të konkurrencës,
ku AK-ja është bërë tashmë pjesëmarrëse në 5 grupe pune, në bazë të së cilit AK-ja në
Shqipëri ndan eksperiencën dhe përvojën e saj me autoritetet e tjera, si edhe merr
eksperiencën nga këto autoritete, përkatësish: grupi punës për avokacinë, grupi punës për
efektivitetin e autoritetit, grupi i punës për kartelet, grupi i punës për përqendrimet dhe grupi
i punës për sjelljen e njëanshme në rastet e abuzimeve me pozitën dominuese.
AK-ja gjatë vitit 2017 vazhdoi bashkëpunimin me organizatën për Bashkëpunimin
Ekonomik dhe Zhvillimin, si edhe Qendrën Rajonale për Konkurrencën.
Si rezultat i këtij bashkëpunimi për vitin 2018, AK-ja dhe Shqipëria është
përzgjedhur si vendi pritës për të organizua nga datat 19-21 qershor seminarin me temë “Për
kontrollin e përqendrimeve”, me pjesëmarrjen e 27 vendeve anëtare që do të jenë nga
autoritetet e konkurrencës.
Kjo ishte në vija të përgjithshme veprimtaria e AK-së për vitin 2017.
Nga ana tjetër dua të bëj edhe një përmbledhje të shkurtër për sa u përket atyre që ne
i konsiderojmë prioritete të vitit 2018 dhe në të njëjtën kohë parë këto prioritete të lidhura
ngushtë me atë që ne e quajmë përafrimin institucional me standardet dhe praktikat e BE-
së.
Në rast se i referohemi prioritetit të parë, mund të themi se në fokus të një
konkurrence të lirë AK-ja do të ketë si prioritetet të veprimtarisë së saj mbikëqyrjen dhe
hetimin, atë që ne konsiderojmë tregjet me sensitive të ekonomisë shqiptare dhe me impakt
të drejtpërdrejtë në interesat dhe mirëqenien e konsumatorit shqiptar, përkatësisht: tregu i
telekomunikacioneve (ku bën pjesë tregu i telefonisë celulare, ne presim që këtë vit të
vazhdojmë hetimin në këtë treg dhe të hapim një hetim të ri të përgjithshëm në tregun e
postave), tregu i energjisë, tregu i hidrokarbureve, tregu financiar dhe i sigurimeve, si dhe
tregu i agrobiznesit.
AK-ja në zbatim të nenit 69 të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” synon të forcojë
bashkëpunimin me institucionet e administratës qendrore dhe vendore lidhur me vlerësimin
për çdo projektakt normativ që në mënyrë të veçantë ka të bëjë me vendosjen e të drejtave
ekskluzive ose të drejtave të veçanta, kufizimet sasiore për hyrje në treg dhe tregtimin,
imponimin e praktikave të njëjta në çmime dhe kushtet e shitjes.
8
AK-ja vjet ka filluar një hetim në lidhje me një të drejtë ekskluzive për zhvillimin e
një aktiviteti në terminalin lindor të Durrësit dhe në të njëjtën kohë, gjatë fillimit të vitit 2018
ka hapur përsëri procedurën e hetimit paraprak, në një të drejtë ekskluzive tjetër.
Po ashtu AK-ja në zbatim të nenit 70 të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” synon të
bashkëpunojë me entet rregullatore, në kuadër të rolit të tij për rregullimin dhe reformën
rregullatore në sektorët e rregulluar.
Për sa i përket përafrimit institucional me standardet dhe praktikat e BE-së, në kuadër
të planit kombëtar për integrimin evropian 2017-2020 janë parashikuar të përafrohen dy
dokumente të rëndësishme: udhëzuesi “Mbi kufizimet e drejtpërdrejta të lidhura dhe të
nevojshme për përqendrimet”, si dhe udhëzimi “Për vlerësimin e marrëveshjeve në sektorin e
telekomunikacioneve” .
AK-ja do të vazhdojë të monitorojë rregullisht zbatimin e MSA-së, si pjesë përbërë e
kapitullit të 8-të, si dhe të planit kombëtar për Integrimin Europian, duke dhënë kontributin
përkatës.
Ajo që dua të evidentoj është fakti se AK-ja këtë vit është përfituese e dy
projekteve të mëdha: me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH-in
“Asistence teknike për AK-në, rritja e kapaciteteve, hartimi i legjislacionit dhe advokacia”.
Projekti i dytë me Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin
UNCTAD, në projektin e përbashkët me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, projekti që
ka të bëjë me “Competition and Consumer Protection Policy” në Shqipëri, parashikohet jo
vetëm trajnimi i stafit, por edhe një bashkëpunim i ngushtë me sistemin gjyqësor.
Së fundi, në mbyllje të këtij prezantimi do të doja të falënderoja, Komisionin e
Ekonomisë dhe veçanërisht kryetarin e këtij komisioni, zotin Braçe, për mbështetjen që i
kanë dhënë AK-së në kuadër të mekanizmit institucional të ngritur nga Kuvendi për ndjekjen
dhe monitorimin sistematik të rekomandimeve të dhëna nga ai.
Jam e hapur për çdo pyetje së bashku me anëtarët e komisionit.
Ju faleminderit!
Erion Braçe - Faleminderit!
Fjalën e ka zonja Kushi si relatore e komisionit lidhur me këtë çështje.
Evis Kushi - Faleminderit, zoti kryetar!
Së pari dua të falënderoj kryetaren e Autoritetit të Konkurrencës për këtë prezantim
të plotë dhe të detajuar të punës së institucionit që drejton për vitin 2017.
Po ashtu edhe raporti i relatores është i plotë, i detajuar dhe të gjithë deputetët
mund ta kenë në dispozicion pas kësaj mbledhjeje. Për këtë arsye për të mos marrë shumë
9
kohë dhe për të mos rënë në përsëritje të shumë detajeve do të ndalem shkurtimisht, në fillim
në një përmbledhje të ecurisë së veprimtarisë së institucionit për vitin 2017. Pastaj do të
fokusohem te problematikat e hasura gjatë këtij viti dhe te rekomandimet në efekt të
përmirësimit të punës në të ardhmen.
Për sa i takon përmbledhjes së ecurisë vjetore të veprimtarisë së institucionit,
Autoriteti i Konkurrencës gjatë vitit 2017 ka pa pasur një rol proaktiv në drejtim të
identifikimit, parandalimit dhe adresimit të problematikave në tregje të ndryshme sensitive të
ekonomisë, me synim nxitjen dhe mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg, që u
shërben, mbi të gjitha, interesave të konsumatorit. Kjo gjë është reflektuar edhe në
vendimmarrjen e komisionit të konkurrencës, i cila për vitin 2017 numëron 47 vendime në
total, nga të cilat 16 vendime janë për përqendrime, 10 vendime për abuzim me pozitën
dominuese në treg, 3 vendime për marrëveshjet e ndaluara, si dhe 9 vendime për
rekomandimet ndaj institucioneve publike. Po të krahasohet me një vit më parë, vendimet e
këtij komisioni janë përqendruar më shumë në situatën e konkurrencës që dominojnë tregjet.
Për sa u takon praktikave të përqendrimeve, gjatë vitit 2017 ka vazhduar rritja e
numrit të njoftimeve të përqendrimeve pranë Autoritetit të Konkurrencës. Gjatë vitit 2017
janë shqyrtuar në total 22 praktika përqendrimesh, nga të cilat kanë kaluar në procedurë
vlerësimi dhe janë autorizuar 16 raste, nga të cilat sektori i tregtisë me pakicë ka 8 raste të
autorizuara, sektori i telekomunikacionit ka 4 raste, sektori financiar ka 3 dhe mjetet motorike
ka 1 rast.
Gjatë këtij viti në buxhetin e shtetit është derdhur si e ardhur nga përqendrimet,
njoftim dhe autorizim përqendrimesh, shuma 8 milionë e 20 mijë lekë. Numri i praktikave të
hetuara dhe të vlerësuara nga Autoriteti i Konkurrencës ka ardhur me një trend rritës
krahasuar me një vit më parë, me 3 praktika më shumë për vitin 2017 në krahasim me vitin
2016.
Gjatë 4 vjetëve të fundit vihet re një rritje e ndjeshme e numrit të procedurave
hetimore krahasuar me vitet e mëparshme.
Për sa u takon problematikave që janë hasur gjatë vitit 2017, Autoriteti i
Konkurrencës ka ndërhyrë në mënyrë të vazhdueshme në tregje me problematika të
përsëritura, këtu veçojmë:
Së pari, tregun e shërbimit të ngarkim-shkarkimit dhe aktivitetet e lidhura me to për
mallrat rifuxho në terminalin lindor të portit të Durrësit, ku në përfundim të hetimit paraprak,
komisioni arriti në konkluzionin se sjellja e ndërmarrjes me pozitë dominuese, EMS, mund
të përbëjë abuzim me pozitën dominuese, me pasoja të rënda për konkurrencën në treg.
10
Komisioni është shprehur me tri vendime për të drejtat ekskluzive, kështu që nevojitet një
reagim nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si organi rregullator në tregun përkatës,
e cila me gjithë kërkesat e vazhdueshme, nuk ka bashkëpunuar me Autoritetin e
Konkurrencës dhe nuk ka marrë pjesë në seancë dëgjimore.
Së dyti, tregun e importit, depozitimit, shitjes me shumicë, shpërndarjes dhe shitjes
me pakicë të produktit të gazit të lëngshëm për konsum familjar dhe biznes. Nga monitorimi
ne terren i këtij tregu është konstatuar se situata në treg është e njëjtë me atë të konstatuar
gjatë periudhës së hetimit të thelluar dhe nuk ka asnjë reagim nga organet shtetërore lidhur
me zbatimin e rekomandimeve. Po ashtu, nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe
nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë kërkohet zbatimi i rekomandimeve të dhëna,
sipas pikës së parë të vendimit nr. 476, datë 05.10.2017 të komisionit të konkurrencës, pasi
nuk është respektuar afati 90-ditor nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
Së treti, tregun e telefonisë celulare, një treg, i cili është shpesh objekt i hetimit nga
ana e Autoritetit të Konkurrencës dhe me një ndikim shumë të gjerë te konsumatorët
shqiptarë.
Gjatë vitit 2017 ka pasur një autorizim përqendrimi të rëndësishëm të realizuar në
tregun e telefonisë celulare. Konkretisht, transferimi i të drejtës së përdorimit të frekuencave
të sipërmarrësit Plus Communication sh.a te sipërmarrësit Telecom Albania sh.a dhe
Vodafone Albania sh.a, pas këtij transaksioni, operatori Vodafone Albania sh.a do të forconte
pozitën dominuese duke rritur pjesën e tregut. Kështu që mbikëqyrja e këtij operatori në
veçanti dhe e tregut të telefonisë celulare në përgjithësi është e domosdoshme.
Së fundi, po ju paraqes 5 rekomandime, që synojnë përmirësimin e punës së këtij
institucioni. Në bazë të këtij raporti, në zbatim të rekomandimeve të rezolutës së Kuvendit
dhe problematikave të vitit 2017, rekomandojmë se Autoriteti i Konkurrencës për vitin 2018
duhet:
Së pari, të forcojë bashkëpunimin me organet shtetërore, me qëllim përmbushjen e
rekomandimeve të dhëna nga Autoriteti i Konkurrencës në funksion të zhvillimit ekonomik të
vendit dhe në të mirë të të gjithë konsumatorëve shqiptarë.
Së dyti, të mbikëqyrë tregun e telefonisë celulare pas transferimit të të drejtave të
përdorimit të frekuencave të sipërmarrësit Plus Communication sh.a, te sipërmarrësit
Telecom Albania sh.a dhe Vodafone Albania sh.a. Të realizojë vlerësimin e tregut, pas
përqendrimit, për të siguruar që sjellja e ndërmarrjeve që operojnë në tregun e telefonisë
celulare nuk sjell efekte antikonkuruese, si dhe të monitorojë ndikimin e transaksionit në
tregun e shitjes me pakicë dhe në konsumatorin fundor.
11
Së treti, të monitorojë në vazhdimësi sjelljen e ndërmarrjeve që u janë dhënë nga
shteti të drejta ekskluzive dhe të veçanta, si dhe të monitorojë zbatimin e rekomandimeve
dhënë organeve shtetërore nga komisioni konkurrencës, sipas tregjeve që ato rregullojnë.
Së katërti, të përpiqet për materializimin me objektivitet të të gjithë vendimmarrjes
dhe gjetjen e rrugëve për të bërë të mundur ekzekutimin e vendimeve të marra në vite nga
komisioni i konkurrencës.
Së fundi, të mbikëqyrë në vazhdimësi ato tregje, ku ushtrojnë veprimtari ndërmarrje
me pjesë të konsiderueshme dhe me fuqi tregu në rritje, për të garantuar zhvillimin e
konkurrencës së lirë dhe efektive në treg.
Faleminderit!
Erion Braçe – Faleminderit, zonja Kushi!
Kalojmë te pyetjet.
Urdhëroni, zonja Tabaku!
Jorida Tabaku – Dua të falënderoj kryetaren dhe komisionerët për prezantimin dhe
për punën.
Në fakt, dua të kundërshtoj relatoren e komisionit, sepse mua nuk më duket se ka
pasur ndonjë ndryshim në punën e Autoritetit të Konkurrencës. Ne këtu kemi qenë të gjithë
në komision, dhe, ashtu siç kemi vlerësuar me profesionalizëm drejtuesit e mëparshëm të
Autoritetit të Konkurrencës, besoj se do të vazhdojmë t’i vlerësojmë sa herë që ka rezultate.
Kështu që më vjen keq t’ju kundërshtoj, por të paktën për Autoritetin e Konkurrencës, ne si
Komision Ekonomie nuk është se kemi pasur ndonjë vërejtje apo ndonjë pakënaqësi në punën
e tyre të mëparshme, që të ketë një diferencë të madhe tani.
Sigurisht, unë e vlerësoj kryetaren dhe anëtarët e komisionit për materialin që na kanë
sjellë dhe për përmbledhjen ekzekutive. Dua të ndalem dy pyetje dhe më pas dua të kem
mundësinë që të bëjë edhe pyetje të tjera, në varësi të përgjigjeve.
Së pari, ju keni shprehur një shqetësim edhe në raport, në fakt kur e prezantuat këtu e
kuptova ndryshe, kurse në raport është shprehur ndryshe, në lidhje me ekzekutimin e
vendimeve që ka Autoriteti i Konkurrencës. Në raport ju thoni shprehimisht: “Me gjithë
insistimin tuaj, Ministria e Drejtësisë e ka pasur të pamundur që t’i detyrojë përmbaruesit
publikë që të ekzekutojnë vendimet dhe ju keni kërkuar edhe mundësinë përmbarues privatë,
për zbatimin e vendimeve”. Ndërkohë, tani e prezantuat ndryshe dhe thatë: “do të gjeni një
mirëkuptim nga Ministria e Drejtësisë”. A mund të ndihmojë në qoftë se Komisioni i
Ekonomisë në rezolutë do të prezantojë sugjerime në këtë drejtim dhe çfarë masash mund të
marrim ne, si anëtarë të komisionit?
12
Ju përmendët një hetim në lidhje me telefoninë celulare dhe keni marrë një vendim
përqendrimi, a shikoni rrezik oligopoli në tregun e telefonisë celulare, pas përqendrimit që ka
ndodhur në treg?
Keni nisur një hetim për kontrollin teknik të automjeteve, doja pak më shumë
informacion për këtë. Ka disa koncesione, që ka dhënë qeveria që janë dhënë në tregje
monopol. Unë ju dëgjova në lidhje me dy porte, që ju keni filluar hetimet, por ka edhe tregje
të tjera që jepen koncesione monopol. A do të fillojë Autoriteti i Konkurrencës të hetojë
tregje, ku koncesionet janë monopol?
Erion Braçe – Urdhëroni!
Juliana Latifi – Në lidhje me pyetjen e parë, për sa i përket ekzekutimit të
vendimeve, Autoriteti i Konkurrencës, pavarësisht paraqitjes së këtij raporti, që është bërë
në datën 28 shkurt pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ka vazhduar komunikimin me
Ministrinë e Drejtësisë. Pra, siç e thashë, çështja e mosekzekutimit të vendimeve është një
çështje e mbartur. Në momentin që unë kam marrë funksiononin, si kryetare e Autoriteti i
Konkurrencës, që nga viti 2017, jam vënë dijeni të mosekzekutimit të këtyre vendimeve.
Pikërisht, e kam quajtur të rëndësishme që penalitetet që janë vendosur kundrejt kompanive
të ndryshme dhe të ardhurat e grumbulluara nga këto penalitete të shkojnë në buxhetin e
shtetit. Kjo ka qenë arsyeja që unë i jam drejtuar me shkresa të vazhdueshme, qoftë
Ministrisë së Drejtësisë, qoftë Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit. Aktualisht, jo më
vonë se para tri ditëve ne kemi marrë një shkresë nga Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit,
në bazë të cilës ne vihemi në dijeni për procesin se ku është, çdo ekzekutim vendimi.
Kuptohet që në bazë të komunikimit zyrtar, që ne kemi pasur me Drejtorinë e Përgjithshme të
Përmbarimit dhe me Ministrinë e Drejtësisë, ne synojmë që t’i japim një zgjidhje këtij
problemi.
Nga ana tjetër, jo pa qëllim unë e kam evidentuar, pra Autoriteti e ka evidentuar në
raport, se pikërisht mosekzekutimi i vendimeve nga përmbarimi shtetëror, mund të sjellë edhe
angazhimin e përmbarimit privat. Megjithatë, nga ana e përmbarimit publik na është kërkuar
një afat i arsyeshëm për të ekzekutuar këto vendime.
Erion Braçe – Më falni, zonja Tabaku!
Më falni, por nuk arrij të kuptoj se cila është arsyeja që përmbarimi publik nuk zbaton
apo nuk ekzekuton vendimet, që janë marrë nga gjykatat për këto çështje? Ju kanë dhënë një
arsye?
Juliana Latifi – Arsyet janë se disa çështje janë pushuar për shkak të kalimit në
kohë. Domethënë, për 4 çështje, në 13 ekzekutime vendimesh, janë pushuar nga ana e
13
përmbarimit, kurse çështjet e tjera janë në procedurë për sa i përket ekzekutivit të këtyre
vendimeve. Pra, mund të themi se gjatë vitit 2017 detyra ime dhe në të njëjtën kohë e
Autoritetit të Konkurrencës ka qenë për të vënë në lëvizje këtë proces. Pra, ky ishte një
proces, i cili nuk ishte vënë në lëvizje më përpara.
Erion Braçe – Zonja Latifi, që të kuptojmë, ato 4 çështje që janë pushuar, janë
pushuar për efekt të mbarimit të afateve kohore, apo çfarë?
Juliana Latifi – Normalisht, nga ana ligjore përmbarimi nuk ka zhvilluar një
korrespodencë, ose nuk ka pasur një korrespodencë me Autoritetin e Konkurrencës. Pra, duke
filluar që nga viti 2017 kemi kërkuar të gjithë praktikën në lidhje me pushimin e çështjeve.
Pra, të gjitha procesverbalet, të gjithë dokumentacionin që ka sjellë pushimi i këtyre
çështjeve.
Erion Braçe – Çfarë vlerash kanë këto çështje?
Juliana Latifi – Çështjet kapin vlera të caktuara.
Diana Dervishi – Bëhet fjalë për Vodafonin, e cila është një gjobë e arkëtuar,
ndërkohë janë çështje të mëdha...
Erion Braçe – Jam shumë i qartë.
Agron Shehaj – Cilat janë çështjet që janë pushuar dhe sa është shuma?
Juliana Latifi – Për sa i përket shumës, shumën e keni në raport.
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Kurse për çështjet e pushuara nga ana e përmbarimit, aktualisht ka ardhur një shkresë
para tri ditësh, që u referohet 4 çështjeve të pushuara. Normalisht, kjo nuk do të thotë se nuk
mund t’i vëmë në ekzekutim, sepse nga pikëpamja ligjore, duhet të kemi parasysh se nga
pushimi i një çështjeje nuk sjell mosveprimin e përmbarimit dhe ne të mos të kërkojmë
veprimin e përmbarimit, sepse pikërisht koncepti i pushimit nuk lidhet me parashkrimin. Kjo
është edhe arsyeja që ne kemi kërkuar futjen në veprim të përmbarimit privat, duke kërkuar
ekzekutimin e këtyre vendimeve. Pra, do të vazhdojmë për ekzekutimin e këtyre vendimeve,
Autoriteti do të këmbëngulë për ekzekutimin e këtyre vendimeve.
Jorida Tabaku – Zonja Latifi, unë e kuptoj shumë mirë shpjegimin tuaj. Pyetja ishte:
cilat janë 4 çështjet dhe sa është shuma e këtyre 4 çështjeve? Unë e kuptoj shumë mirë
sqarimin që ju jepni për afatet ligjore dhe për detyrat që ka përmbarimi. Konkretisht, cilat
janë çështjet?
Juliana Latifi – Mund të më jepni pak kohë sa të nxjerr çështjet e pushuara..
Jorida Tabaku – Ndërkohë mund të vazhdoni me pyetjet e tjera.
14
Juliana Latifi - Lidhur me katër çështjet e pushuara, të cilat nga ana ligjore nuk janë
parashkruar, autoriteti do të vazhdojë të këmbëngulë për ekzekutimin e këtyre gjobave.
Pyetja juaj kishte të bënte me hapjen e një hetimi që Autoriteti i Konkurrencës ka
filluar në terminalin lindor të portit të Durrësit...
Jorida Tabaku – Jo, më keni keqkuptuar. Pyetja ishte: keni dy hetime për terminalin
e portit të Durrësit dhe portit të Vlorës, që normalisht janë...
Juliana Latifi - Jo, kemi vetëm një hetim, që është për një koncesion të terminalit
lindor të portit të Durrësit, ndërsa, për sa i përket portit të Vlorës...
Jorida Tabaku – Ishte për transportin ndërkombëtar.
Juliana Latifi- Ka të bëjë me një ankesë për transportin e udhëtarëve dhe të mallrave.
Jorida Tabaku- E lexova raportin, por pyetja nuk ishte kjo. Pyetja ishte: a keni bërë
hetime në tregje ku janë dhënë koncesione që janë monopol?
Juliana Latifi – Aktualisht kemi dy tregje: i pari është terminali lindor i portit të
Durrësit dhe i dyti është Kontrolli Teknik i Automjeteve. Këto janë dy koncesione, të cilat
kanë filluar në bazë të ankesave të dy operatorëve të tjerë.
Jorida Tabaku – Pyetja tjetër është për kontrollin teknik të automjeteve: në cilën
fazë është hetimi dhe a keni ndonjë të dhënë për këtë hetim?
Juliana Latifi – Në lidhje me kontrollin e automjeteve, jemi në fazën e hetimit
paraprak. Komisioni i Konkurrencës vendosi hapjen e hetimit paraprak për shkak të
mospërmbushjes së një vendimi të rekomandimeve të dhëna në vitin 2015 nga Komisioni i
Konkurrencës.
Lidhur me koncesionin në terminalin lindor të portit të Durrësit, kemi mbaruar fazën e
hetimit të thelluar dhe jo pa qëllim kërkuam ndërhyrjen e Komisionit të Ekonomisë dhe
Financave për të siguruar një bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës. Në seancën e
fundit dëgjimore përfaqësuesit e Ministrisë së Infrastrukturës ishin të pranishëm dhe jemi në
fazën e shpalljes së vendimit për sa i përket terminalit lindor të portit të Durrësit. Pra, në të
parin, pra për SGS-në, jemi në fazën e hetimit paraprak, kurse në të dytin kemi mbyllur
hetimin dhe jemi në procesin e vendimmarrjes.
Jorida Tabaku- Nuk e gjykoni të jenë subjekt i hetimeve të ardhshme koncesionet e
tjera, që janë dhënë në këtë periudhë, për shembull, koncesioni i laboratorëve?
Juliana Latifi – Patjetër. Ajo që është e rëndësishme është se Autoriteti një nga
prioritetet e punës së tij ka pikërisht vlerësimin e koncesioneve, si ato që janë dhënë më parë,
ashtu edhe ato që janë dhënë gjatë kësaj periudhe. Pra, duke bërë një vlerësim ligjor dhe duke
vepruar në atë që në vlerësimin ligjor quhet pozicioni ex-post i Autoritetit të Konkurrencës.
15
Jorida Tabaku – A shihni ndonjë rrezik oligopoli në vendimin e përqendrimit që
keni marrë për telefoninë celulare?
Juliana Latifi – Besoj se Autoriteti është shprehur në vendimin e tij, pra kalimi i
frekuencave duhet të respektojë të gjitha procedurat ligjore, me miratimin paraprak nga
AKEP-i, më pas me autorizimin e vlerësimit të përqendrimit dhe për të kaluar në fazën e
tretë, që ishte vetë AKEP-i, i cili u shpreh. Jo pa qëllim, në vendimmarrjen tonë ne kemi
kërkuar nga AKEP-i që të bëjë një vlerësim të këtij tregu për të shpallur atë që quhet
operatori me fuqi më të ndjeshme në treg. Jo pa qëllim në vendimin tonë ne i kemi kërkuar
AKEP-it që të lejojë hyrjen e operatorëve të rinj në treg, pra të mos kufizojë hyrjen e
operatorëve të rinj në treg dhe i kemi kërkuar AKEP-it që nga momenti kur ai kalon kalimin e
frekuencave, të shpallë operatorin me fuqi të ndjeshme në treg. Jo më vonë se sa 10 ditë më
parë, AKEP-i ka dërguar për konsultim publik pikërisht dokumentin që ka të bëjë me
operatorët, të cilët veprojnë në tregun e telefonisë celulare. Komisioni i Konkurrencës është
në pritje të materialit të përgatitur nga AKEP-i.
Erion Braçe – E konsultuat informacionin për pyetjen e parë?
Juliana Latifi – Në faqen 48 të raportit janë të gjitha shumat përkatëse të gjobave të
vendosura nga Autoriteti i Konkurrencës ndër vite, pra ato që janë të paekzekutuara.
Erion Braçe – Zonja Latifi, vetëm për ato 4 çështje, për të cilat përmbarimi ka një
mendim, që ju e shprehët.
Juliana Latifi – Katër çështjet janë për ato 4 kompani, të cilat kanë marrë pjesë në
një marrëveshje të ndaluar, kundrejt të cilave Komisioni i Konkurrencës është shprehur dhe
ka vënë gjobat ndaj ndërmarrjeve që operojnë në tregun e betonit në shumën prej 2.350.311
lekë të rinj.
Jorida Tabaku – Zonja sekretare e Përgjithshme pak më parë përmendi tregun e
telefonisë celulare, si një nga çështjet që ishte pushuar, apo jo?
Juliana Tafili – Jo, nuk e përmendëm fare. Kjo është një gjobë e derdhur nga
Vodafoni dhe në të njëjtën kohë në shqyrtim është pikërisht çështja që ka të bëjë me
Telekomin, kundrejt të cilit është vënë një gjobë nga Autoriteti i Konkurrencës.
Erion Braçe – E ekzekutuar apo jo?
Juliana Latifi – Çështja është duke u shqyrtuar në Gjykatën Administrative të Apelit.
Erion Braçe – Zonja Kushi ka një ndërhyrje, pastaj fjalën e ka zoti Haxhinasto.
Evis Kushi – Kam një ndërhyrje shumë të shkurtër, meqenëse zonja Tabaku gjatë
fjalës së saj m’u referua. Dua të bëj një saktësim, unë gjatë fjalës sime asnjëherë nuk e hodha
poshtë punën e bërë nga Autoriteti i Konkurrencës gjatë kohës që drejtohej nga kryetarja
16
paraardhëse, përkundrazi, çdo herë që ka ardhur dhe ka raportuar në komision, ne e kemi
vlerësuar punën e saj, por kjo nuk do të thotë që ne të mos evidentojmë problematikat dhe të
mos japim rekomandime për përmirësimin e punës në të ardhmen. Ne po bëjmë të njëjtën gjë
edhe sot, ashtu sikurse po vlerësojmë punën aty ku ka përmirësime dhe këtë përmirësim unë e
theksova me shifra, sa u takon treguesve të punës së Autoritetit të Konkurrencës, po ashtu
evidentova edhe problematikat edhe rekomandimet, sepse ka vend për të përmirësuar.
Faleminderit!
Juliana Latifi – Çështja e ekzekutimit dhe mosekzekutimit të vendimeve nuk është
një çështje që ka të bëjë me vitin 2017, ato janë vendime të mbartura, për të cilat Autoriteti i
Konkurrencës nuk kishte pasur asnjë komunikim të mëparshëm me ministrin e Drejtësisë.
Erion Braçe – Dakord.
Zoti Haxhinasto, fjala për ju.
Edmond Haxhinasto- Faleminderit, kryetar!
Faleminderit zonjës Latifi dhe ekipit të saj!
Unë kam disa pyetje dhe dua t’i kërkoj kryetarit që të vazhdojmë me të njëjtin format
si kolegia, me pyetje-përgjigje.
Unë personalisht e quaj shumë të rëndësishëm funksionin e institucionit tuaj, i cili
vjen dhe rritet në rëndësinë e tij, sepse çështjet e konkurrencës në proces të integrimit rajonal
dhe të integrimit në Europë do të vijnë në rritje.
Pyetja ime e parë për ju është: a keni kapacitete të mjaftueshme në institucion për të
trajtuar të gjitha çështjet e konkurrencës dhe konkurrueshmërisë në ekonominë shqiptare,
veçanërisht konkurrueshmërinë? A e keni të parashikuar këtë çështje?
Pyetja tjetër, që e bëri edhe kolegia është: a keni instrumente dhe a ndjeheni të
fuqishëm dhe me instrumente të mjaftueshme për të zbatuar ligjin për sa i takon konkurrencës
së lirë në vend? U tha që përmbarimi shpeshherë i kishte lënë proceset në baltë, cili është
komenti juaj për instrumentet që keni në dispozicion?
Juliana Latifi – Për sa i përket pyetjes, ne kemi dy institucione të pavarura dhe jo pa
qëllim çështja e mosekzekutimit të vendimeve nuk lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë...
Edmond Haxhinasto – Zonjë, në fillim ju pyeta për diçka më të përgjithshme dhe ju
thashë: ju si institucion a keni kapacitetet e mjaftueshme? Kjo më intereson.
Erion Braçe – Zoti Haxhinasto pyet për kapacitetet e institucionit tuaj nëse i
plotësoni apo jo.
Juliana Latifi – Unë mendoj se Autoriteti në 12 vjetët e veprimtarisë së tij ka krijuar
kapacitete të mjaftueshme dhe mund të themi se jemi një institucion i konsoliduar.
17
Edmond Haxhinasto - E keni kapacitetin.
Faleminderit!
Pyetja e dytë është për çështjet e konkurrencës...
Erion Braçe – Zoti Haxhinasto, një sekondë, sepse unë e kuptova ndryshe.
Zotëria po ju pyet nëse keni burime njerëzore të mjaftueshme për të përballuar të
gjithë fluksin që vjen nga problematika në treg .
Juliana Latifi – Aktualisht kemi kapacitete deri në një kufi të caktuar dhe kjo nuk do
të thotë se Autoriteti nuk kërkon shtim të kapaciteteve. Këtë vit na është miratuar një shtim
kapacitetesh nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.
Edmond Haxhinasto- Domethënë keni nevojë për shtesë.
Juliana Latifi – Po, kemi nevojë për shtesa, megjithatë ne mund të themi se
Autoriteti i Konkurrencës është një institucion i konsoliduar, pothuajse..
Edmond Haxhinasto –Nuk po ju pyes këtë, por a keni nevojë për kapacitete shtesë
dhe a keni kapacitete?
Së dyti, a merreni ju si institucion me çështjet e konkurrueshmërisë?
Juliana Latifi – Jo, nuk merremi ne me çështjet e konkurrueshmërisë, por merremi
vetëm me çështjet e konkurrencës. Objekti i ligjit është mbrojtja e një konkurrence të lirë dhe
efektive në treg.
Edmond Haxhinasto – Pyetja tjetër është: nga konkluzionet që arrini, a çoni
propozime në qeveri për ndërhyrje apo përmirësime ligjore për çështjet e konkurrencës? A
keni marrë iniciativa, sepse në raportin tuaj thoni se jeni në pritje nga institucionet e tjera për
propozime për ndryshime ligjore, siç ishte në rastin e prokurimeve publike që prisni
sugjerime nga ana e Agjencisë së Prokurimit Publik?
Juliana Latifi –Kur ndeshemi me institucionet shtetërore ne i drejtohemi atyre për të
marrë hapat e nevojshëm në qoftë se një akt...
Edmond Haxhinasto - Unë po ju bëj një pyetje që e keni shumë të thjeshtë të
përgjigjeni me po ose jo.
Juliana Latifi – Unë po ju them po. Në raport janë evidentuar të gjitha propozimet
konkrete.
Edmond Haxhinasto – Domethënë çoni propozime?!
Juliana Latifi –Po, çohen propozime konkrete.
Edmond Haxhinasto – Faleminderit!
Për sa i takon një çështjeje shumë të rëndësishme, siç janë prokurimet publike, unë
mendoja se ju duhet ta kishit trajtuar më gjerë në raport, por pavarësisht kësaj... Ne kemi
18
filluar që të adoptojmë një metodë të re në dhënien me paratë publike, apo me paratë private
për realizimin e veprave publike. Besoj se ju njiheni me këtë procedurë, ku bëhet një ligj i
posaçëm në parlament, bëhen negociata me kompaninë ofertuese pastaj konkludohet. Kjo
procedurë, e cila nuk është as prokurim publik, as koncesion i mirëfilltë, sepse kur vjen një
ofertë, bëhet një ligj i posaçëm për të negociuar për këtë ofertë, nuk është koncesion, pasi
koncesion është kur dikush e paraqet propozimin, që shpallet, bëhet publik dhe pritet nëse do
të ketë oferta të mira për ta përmirësuar ofertën e kompanisë. A mendoni se kjo procedurë e
dëmton konkurrencën? Flas për rastet kur me një ligj të posaçëm në parlament fillon
negociata me një x operator të caktuar ekonomik.
Juliana Latifi – Ajo që dua të evidentoj është se ligji nuk e ndalon konkurrencën.
Edmond Haxhinasto – Ju lutem, përgjigjuni pyetjes sime dhe jo për atë çfarë ju doni
të evidentoni.
Juliana Latifi- Unë dua t’ju them se ligji nuk e ndalon konkurrencën, por e lejon atë
dhe në momentin kur Autoriteti i Konkurrencës shikon që ka shkelje, domethënë një e drejtë
ekskluzive që i jepet këtij që ju nënkuptoni si partneritet publik–privat, atëherë Autoriteti i
Konkurrencës ndërhyn. Pra, jo pa qëllim unë e thashë që Autoriteti i Konkurrencës në vite ka
zhvilluar vlerësimet e quajtura ex-post dhe ex-ante.
Edmond Haxhinasto - Bilanci tregtar në fushën e bujqësisë dhe industrisë
ushqimore vazhdon të jetë shumë negativ për palën shqiptare dhe ka një raport rreth 1 me 5; 1
për eksport dhe 5 për import. Kjo ka sjellë një bilanc negativ dhe e vendos ekonominë tonë në
një situatë të pafavorshme. Në përgjithësi a bëni ju vlerësime të metodave të konkurrencës
për kompanitë që importojnë produkte? A mund të konkurrojnë këto produkte me produktet
vendase?
Në gjykimin tim ky është një problem i madh dhe është një deficit vjetor rreth 400-
450 milionë, sipas të dhënave që kam. Nëse nuk e dini përgjigjen, a mendoni se ky duhet të
jetë objekti i punës suaj? Pra, si është konkurrenca e këtyre produkteve që prodhohen jashtë
me kosto më të lartë pune dhe që vijnë të konkurrojnë me produktet tona?
Juliana Latifi - Kjo pyetje është jashtë tagrit të Autoritetit të Konkurrencës.
Edmond Haxhinasto – Pra, operatorët ekonomikë që konkurrojnë këtu me mallin e
tyre dhe sfidojnë prodhuesit vendas nuk janë në kompetencën tuaj?
Juliana Latifi - Ashtu siç e thashë, çdo operator i huaj apo vendas ka të drejtë të
konkurrojë, por është e rëndësishme që të respektojë rregullat e konkurrencës.
Edmond Haxhinasto – Pikërisht kjo është çështja: a i respektojnë rregullat e
konkurrencës? Në dijeninë time nuk respektohen rregullat e konkurrencës dhe kjo gjë i
19
vendos në një pozitë shumë të disfavorshme në treg prodhuesit shqiptar, megjithatë ju nuk e
keni në tagrin tuaj.
Pyetja e fundit është...
Erion Braçe - Zoti Haxhinasto, më lejoni të ndërhyj! Autoriteti i Konkurrencës
vepron mbi bazën e ligjit “Për konkurrencën”.
Edmond Haxhinasto - Këtë e kam të qartë.
Erion Braçe - Jashtë ligjit, quhet ndërhyrje e paligjshme në treg. Kështu e kuptova
unë përgjigjen.
Edmond Haxhinasto - Unë mendoj se kjo duhet të jetë një nga detyrat funksionale
të Autoritetit, prandaj e pyeta në fillim. Pra, duhet të ketë një institucion shqiptar që merret
me këtë çështje.
Pyetja e fundit është shumë konkrete, të cilën e keni evidentuar edhe ju në raport për
sa i takon shoqërisë “MIKA Korça”. Kjo kompani jo vetëm që është shumë problematike për
sa i takon pozitës në treg, por është shumë problematike edhe për sa u takon marrëdhënieve të
saj kontraktuale me prodhuesit shqiptarë. Pra, kjo marrëdhënie është e parregullt. Në qoftë se
ju do të shkoni në zonën e Dumresë, ku prodhohet pjesa më madhe e duhanit që mbledh kjo
kompani, nuk do të gjeni asnjë prodhues të kënaqur me këtë kompani.
Unë kam një sugjerim dhe një pyetje lidhur me këtë gjë. Ju duhet domosdoshmërish të
keni instrumente për të diskrinuar aktivitetin e këtyre operatorëve.
Pyetja ime është: në gjykimin tuaj, a duhet lejuar kjo kompani të vazhdojë aktivitetin
e saj në këtë mënyrë që operon sot, që ka me miliona pagesa të pashlyera prodhuesve
shqiptarë? Kjo situatë është monopoliste në treg.
Faleminderit!
Erion Braçe - Po, urdhëroni.
Juliana Latifi - Autoriteti i Konkurrencës përsëri ka hapur një hetim paraprak për sa
i përket çështjes së shoqërisë “MIKA Korça”, por, fatkeqësisht, kjo shoqëri para dy muajsh
ka shpallur procedurën e falimentimit. Kjo do të thotë se detyrimet e kësaj shoqërie karshi të
gjithë operatorëve të papërmbushur për shkak të procedurës së falimentimit tashmë
rregullohen nga gjykata në bazë të ligjit “Për falimentimin”. Për këtë arsye do të jetë
administratori i falimentimit ai që do të përmbushë detyrimet e shoqërisë “MIKA Korça”
kundrejt kreditorëve.
Erion Braçe – A i mbaruat pyetjet zoti Haxhinasto?
Edmond Haxhinato – Faleminderit për përgjigjet!
20
Dua të them se është shumë e rëndësishme që të ketë një veprim nga ana e
institucioneve shqiptare. Falimentimi i një kompanie, sigurisht e përfundon aktivitetin e saj,
por jo detyrimet që ka ndaj operatorëve. Ky nuk është një problem i ri, por është një problem
që vazhdon, kështu që unë do t’i kthehem pyetjes së parë.
Juliana Latifi - Unë e thashë se është gjykata administratori i falimentimit dhe është
ajo që vendos.
Edmond Haxhinasto - Më lejoni ta mbaroj pyetjen.
Unë jo më kot jua thashë edhe në fillim: a i keni instrumentet për të zbatuar ato gjëra
që doni të zbatoni në punë tuaj? Unë mendoj se ju duhet të keni mjaftueshëm instrumente, në
mënyrë që operatorë të tillë të mos krijojnë as situata monopol në treg, as zallamahi në
marrëdhëniet me prodhuesit shqiptarë, që, në fund të fundit, e kanë bukën e tyre të
përditshme atë prodhim që u japin këtyre kompanive. Prandaj, në qoftë se ju keni nevojë për
instrumente shtesë për të ndërhyrë në mënyrë më të efektshme, unë personalisht jam shumë i
gatshëm që ta mbështes këtë kërkesë, sepse operatorë të tillë, të papërgjegjshëm, që
shfrytëzojnë djersën e fermerëve të thjeshtë, nuk duhet të kenë vend në tregun dhe në
ekonominë shqiptare.
Faleminderit!
Agron Shehaj – Përshëndetje!
Unë dua t’ju pyes për sa i takon një çështjeje, për të cilën është folur relativisht në
medie. Ka të bëjë me punësimin në Autoritetin i Konkurrencës së bashkëshortes të ish-
deputetit të Partisë Socialiste, Ervin Koçit. Akuza është shumë e rëndë dhe cenon imazhin e
Autoriteti të Konkurrencës, sepse flitet për një konkurs fiktiv me fitues të paracaktuar
bashkëshorten e ish-deputetit të Partisë Socialiste, aktualisht drejtor i AMF-së. Në njëfarë
mënyre ai akuzohet se ka përfshirë në konkurs dy vartëse të tij për të marrë pjesë në konkurs,
të cilat më pas kanë bërë edhe karrierë.
Ju lutem, a mund t’ia shpjegoni opinionit publik si qëndron e vërteta lidhur me këtë
çështje? E përsëris: kjo është një çështje shumë e rëndësishme, sepse objekti i punës suaj
është të garantoni kushtet e konkurrencës në të gjitha tregjet. Kështu që mendoj se është
shumë e rëndësishme që ju të parët të jeni transparent dhe të garantoni kushte barazie në
konkurset që bëni për të punësuar vartësit tuaj.
Juliana Latifi - Faleminderit për pyeten!
Dua të evidentoj se unë jam kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës dhe nuk merrem
me procedurat e punësimit. Bashkë me mua në këtë komision është edhe sekretarja e
Përgjithshme, e cila mund ta evidentojë këtë procedurë punësimi.
21
Diana Dervishi – Atëherë, me procedurat e rekrutimit, sipas nenit të parashikuar në
ligjin 152 “Për shërbimin civil”, si dhe me marrjen e vendimit vitin e kaluar të Kuvendit të
Shqipërisë “Për ristrukturimin e Autoritetit të Konkurrencës”, u pa e nevojshme ristrukturimi,
rregullimi dhe sistemimi i të gjithë punonjësve në Autoritet.
Autoriteti i Konkurrencës ka në numër punonjësish të konsoliduar në vite dhe u pa e
nevojshme të shpalleshin vende vakante, të cilat, sipas ligjit, do të plotësoheshin nëpërmjet
një procedure të parashikuar në ligjin “Për shërbimin civil”.
Natyrisht, në faqen zyrtare të Autoritetit të Konkurrencës ne shpallëm të gjitha
procedurat e punësimit që realizohen pranë Autoritetit të Konkurrencës. Ne kemi qenë
transparentë në bërjen e kësaj procedure dhe janë paraqitur pikërisht ata njerëz, të cilët janë
shpallur fitues në atë procedurë, sepse paralelisht me këtë procedurë që pyesni, ka edhe disa
procedura të tjera, sepse në Autoritet ka qenë më shumë se një vend bosh vitin e kaluar.
Natyrisht, për të gjithë procedurën, e cila rezulton korrekte, ka një dosje të arshivuar, ka
institucione përkatëse, të cilat mund ta verifikojnë se si e kemi kryer. Neve na rezulton se
është një procedurë e saktë, e rregullt, në zbatim të ligjit.
Agron Shehaj – Ju po thoni se formalisht keni respektuar ligjin?
Diana Dervishi – Jo formalisht, kemi respektuar ligjin.
Agron Shehaj – Kështu që është rastësi që bashkëshortja e kryetarit të AMF-së është
kandiduar te...
Diana Dervishi – Pra, shpallja në portalin e punësimit dhe në faqen e Autoritetit të
Konkurrencës...
Agron Shehaj – Ju lutem, ta mbaroj pyetjen! Unë nuk ju ndërpreva.
Erion Braçe – Zonja sekretare, ju lutem, të mbarojë deputeti dhe pastaj përgjigjuni!
Agron Shehaj – Ju po më thoni se akuzat nuk janë të vërteta, se është rastësi që në
postin e drejtoreshës së Integrimit dhe të Komunikimit pranë Autoritetit të Konkurrencës
është zgjedhur bashkëshortja e ish-deputetit të Partisë Socialiste, kryetar i AMF-së, dhe dy
konkurruesit e tjerë kanë qenë dy vartës, të po këtij drejtori, dhe se rastësisht fiton
bashkëshortja e kryetarit të AMF-së. Opinioni publik duhet të besoje se kjo është rastësi?
(Ndërhyrje pa mikrofon)
E të dy vartësve të AMF-së.
Menjëherë pasi kanë marrë pjesë në këtë konkurs farsë, janë rritur në detyrë. Ju doni
të bindni opinionin publik se kjo është rastësi?
22
Zonja kryetare, ky është standardi që ju kërkoni nga aktorët dhe operatorët ekonomikë
në tregjet që ju monitoroni, që formalisht të ndjekin procedurat, por pastaj se çfarë ndodh
realisht është çështje tjetër?
Juliana Latifi – Zotëri, ne sot jemi për ....
Erion Braçe – Stop!
Për shkak të sensibilitetin të krijuar nga ajo media, të cilës ju i referoheni, unë si
kryetar i këtij komisioni jam marrë me këtë çështje.
Konkursi, që është zhvilluar në Autoritetin e Konkurrencës, është zhvilluar përpara se
zotëria në fjalë të jetë emëruar nga ky Kuvend si drejtues i Autoritetit të Mbikëqyrjes
Financiare dhe mbaron këtu. Nuk ka lidhje fare me dy punonjësit e të tjerë me radhë.
Kur ta keni kryetarin e AMF-së në komision, jeni i lirë ta bëni ose jo këtë pyetje, unë
patjetër që do ta bëj këtë pyetje për zotërinë, për mënyrën si janë promovuar në karrierë ata
dy persona për të cilët ju flisni.
Por do të doja të theksoja edhe një herë se ky Kuvend ka precedentë të ndryshëm...
Agron Shehaj – Çfarë ka?
Erion Braçe – Precedentë të ndryshëm, me gra, me motra, me djem, me burra e
kështu me radhë. Kurrë nuk është diskutuar në këtë mënyrë.
Megjithatë, sensibiliteti vlen. Është shumë e arsyeshme ajo që thoni ju dhe po jua
them edhe një herë tjetër, fakti është se zonja në fjalë është emëruar në detyrë pa qenë burri
(se kështu u bë kjo punë, burri do t‘i them) kryetar i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare,
për të ndikuar, ku ta di unë, tek ato dy punonjëset e tjera të atij institucioni, për të shkuar atje
e të tjera me radhë.
Faktet janë fakte, datat janë data dhe janë të përcaktuara, me aq sa e kam hetuar un
këtë...
Agron Shehaj – Tani, unë nuk i di datat, unë di...
Erion Braçe – Më fal, ta mbaroj!
Agron Shehaj – Në rregull, më fal!
Erion Braçe – Në momentin që kryetari i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare do të
jetë këtu, pa asnjë lloj diskutimi, jo vetëm për këtë çështje, por do të përgjigjet edhe për
mënyrën e promovimit në karrierë të atyre dy personave, për të cilët bëhet fjalë në atë media.
Pa asnjë lloj diskutim! Madje, të vijë me dosje me vete, po e lajmëroj që tani, për të treguar se
janë promovuar në karrierë ata dy personat e tjerë.
Agron Shehaj – Ju falënderoj!
23
Çështja është këtu, unë nuk i di datat se kur zoti Ervin Koçi është bërë kryetar i AMF-
së dhe kur janë bërë emërimet...
Juliana Latifi – A mund të bëj një sqarim?
Erion Braçe – Ju lutem, mos ndërhyni! Kur t’jua jap unë lejen për të folur, ju lutem!
Zotëria...
Agron Shehaj – Zoti Ervin Koçi ka lënë detyrën si deputet i Partisë Socialiste për t’u
bërë kryetar i AMF-së. Kështu që ai e dinte shumë mirë se do të bëhej kryetar i AMF-së. Të
ndjekim datat, 1 javë më parë apo një muaj më parë, nuk ka shumë rëndësi. Ishte e qartë që ai
priste ta merrte atë post dhe...
(Ndërhyrje pa mikrofon)
...nuk do të ndërpriste mandatin si deputet, pa ditur se do të vendosej në krye të
Autoritetit.
Pavarësisht kësaj, unë nuk kam asnjë gjë me personat, me emrat, por e kam me
procedurat, e kam me kredibilitetin e këtij institucioni, e institucioneve të pavarura në
përgjithësi.
Ju jeni një institucion i pavarur dhe është e papranueshme të ndodhin gjëra të tilla në
një institucion të pavarur. Dakord? Jeni të pavarur, do të thotë se teorikisht duhet të jeni të
pavarur nga ekzekutivi, duhet të jeni të pavarur edhe nga parlamenti dhe nga ky komision. Të
shikosh gjëra të tilla në një autoritet të pavarur, automatikisht cenon kredibilitetin dhe
veprimtarinë tuaj në monitorimin e tregjeve.
Tani...
Erion Braçe – Mundem?
Një sekondë, zoti Shehaj!
Për këtë çështje...
Agron Shehaj – Ta mbaroj...
Erion Braçe – Jo, para se të kaloni te pyetja tjetër, zonja Gjylameti, për këtë...
Blerina Gjylameti – Faleminderit, kryetar!
Për sa kohë flasim për standarde, mendoj se standardet duhet të jenë të njëjta, dhe që
të flasim këtu për bashkëshortë drejtuesish apo deputetësh, meqenëse ju vini nga Partia
Demokratike dhe flisni për standarde, duhet t’ju kishte shqetësuar standardi edhe kur këtu
kishim kolegë, që bashkëshorten e kishin kryetare të...
Erion Braçe – Ju lutem...
Blerina Gjylameti – Jo, kryetar, mos më ndërhyni!
Erion Braçe – Ndërhy, sepse nuk ka lidhje fare me çështjen...
24
Blerina Gjylameti - E kam fjalën për standardin.
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Erion Braçe – Zonja Gjylameti, a ka mundësi?
Blerina Gjylameti – Zoti Braçe, e kam fjalën për standardin, më kupton?
Erion Braçe – Zonja Gjylameti, edhe një herë...
Blerina Gjylameti – Nuk e kam për personin në fjalë, e kam fjalën për standardin.
Kur flasim për standarde, duhet të jemi të paanshëm dhe nuk besoj se është rasti për të folur
në këtë mënyrë.
Nëse ka një shqetësim apo një problem që qëndron, në rastin konkret, do të duhet të
mos tregojmë standardet, por duhet të bëjmë pyetje konkrete, kur bëhet fjalë për procedurën,
a është respektuar apo jo, pa folur për gra, për drejtues, për burra, sepse nuk besoj se është
rasti.
Faleminderit!
Agron Shehaj - Me sa kuptoj, po më akuzoni se po mbaj në gojë gratë apo
bashkëshortët. E keni absolutisht gabim! Nuk është kështu. Madje, jam në siklet të përmend
emrat apo bashkëshortët.
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Të lutem!
Po flas për faktet dhe faktet janë këto. Faktet janë që ka pasur një konkurs fiktiv, që
ka pasur një abuzim...
Erion Braçe –Ky është opinion juaj.
Agron Shehaj – Ky është opinioni im, kuptohet.
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Të lutem!
Erion Braçe – Ky është opinion.
Agron Shehaj – Është opinion, por është edhe fakt që është punësuar... Kështu që
është e vërtetë.
A është punësuar zonja në AMF?
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Blerina Gjylameti – Shikoni datat, prandaj flas për standarde dhe procedura!
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Erion Braçe – Jemi mbledhur për tjetër gjë sot.
Agron Shehaj – Problemi më i madh në këtë vend është se procedurat ne i kemi bërë
të gjitha. Në këta 28 vjet ne i kemi bërë të gjitha procedurat, por pavarësisht kësaj, rezultatet
25
janë këto që janë, që ka një mjerim të jashtëzakonshëm. Dakord? Nuk dua të them tani se e
sollët ju, por është një fakt.
Erion Braçe – Opinion, jo fakt.
Agron Shehaj – Për sa u takon standardeve, kjo loja juaj, “të shikojmë standardet se
çfarë standardesh keni pasur ju...” Tani, nëse ju vazhdoni me idenë se edhe ju e keni bërë...
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Tani, të lutem!
Ju erdhët në pushtet se u thatë qytetarëve se do t’i bëni gjërat më mirë se i kemi bërë
ne. Dakord? Nuk u thatë qytetarëve...
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Ta mbaroj, të lutem! Nuk të ndërpreva.
Ju nuk keni ardhur në pushtet duke u thënë njerëzve: “Shikoni, se ne do të bëjmë si
kanë bërë ata”. Dakord? Erdhët në pushtet duke u premtuar se do të bënit konkurse, do të
bënit gara. Konkurset ne po i shohim. Ne flasim për gjëra konkrete. Rasti konkret, një
institucion i pavarur bën konkurse siç bëheshin para 20 vjetësh. Kjo është e vërteta. Dhe
nëpër media shpallni (e lexova para një jave) 24 vende vakante në dogana...
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Erion Braçe – Zoti deputet...
Agron Shehaj – E dyta, për sa u takon precedentëve...
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Erion Braçe – Në qoftë se edhe para 20 vjetësh ligji ka qenë ky, pa asnjë lloj
diskutimi, do të respektohet ligji.
Agron Shehaj – Nuk ka rëndësi ligji, mua më intereson thelbi.
Erion Braçe – Nuk ka rëndësi ligji?! Shumë gabim.
E mbyllim këtu këtë histori dhe vazhdojmë me çështjet themelore?
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Jo, ju lutem! Nuk ka përgjigje për këtë çështje. Absolutisht!
Juliana Latifi – Më falni, nuk e kisha nenin këtu, për të raportuar për veprimtarinë e
Autoritetit të Konkurrencës! Do të doja...
Erion Braçe – Ju lutem, këtë mbledhje e drejtoj unë!
Agron Shehaj – Nuk e kuptova këtë. Çfarë thatë, ju lutem?
Erion Braçe – Po pret pyetjet zonja.
Agron Shehaj – Pyetja tjetër, për sa i takon ekzekutimit të urdhrave ekzekutivë. Këtu
ka një listë të madhe me gjoba, që, faktikisht, duhen vjelë, por kryesorja është njëra prej 211
26
milionë lekësh (që ju nuk e përmendët tani), që ka të bëjë me një vendim të marrë në 2007-n.
Urdhri ekzekutiv është i 2010-s.
Unë doja të dija si është e mundur (flasim për një kompani të madhe), që nuk është
ekzekutuar akoma ky...?
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Juliana Latifi – Zotëri, më duket se e shpjegova! Këto janë procedura gjyqësore dhe
ne nuk varemi nga pushteti gjyqësor. Pushteti gjyqësor është i pavarur, është një nga tri
pushtetet...
Agron Shehaj – Po më thoni se është ankimim?
Juliana Latifi – Do të thotë se çështja është ankimuar në të gjitha shkallët e
gjyqësorit dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë e ka kthyer pranë Gjykatës së Apelit
dhe Gjykata e Apelit është në procedurë të gjykimit të kësaj çështjeje.
Agron Shehaj – Dakord. Shumë e thjeshtë.
Juliana Latifi – Më duket se e shpjegova.
Erion Braçe – Pyetje tjetër?
Zonja Dhima, urdhëroni!
Antoneta Dhima – Faleminderit, zoti kryetar!
Kam tri pyetje.
E para, nga ana e Autoritetit të Konkurrencës, a janë realizuar të gjitha prioritetet që
keni parashikuar për vitin 2017?
E dyta, burimet njerëzore që keni, a janë mjaftueshëm të përgatitura dhe të trajnuara,
për të përmbushur misionin e Autoritetit të Konkurrencës?
E treta, sa është vlera e gjobave që ka vendosur Komisioni i Konkurrencës për vitin
2017?
Faleminderit!
Erion Braçe – Po, urdhëroni!
Juliana Latifi – E theksova edhe në fjalën time, që gjatë vitit 2017 një nga prioritetet
e veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës ka qenë pikërisht zbatimi i rekomandimeve të
dhëna nga rezoluta.
Tregu i karburanteve, i gazit dhe i furnizimit me karburant të avionëve është një treg
që vazhdon të jetë në proces monitorimi .
Së dyti, tregu i sigurimit të detyrueshëm ndaj palëve të treta është përsëri një treg në
proces monitorimi. Nga ana e Autoritetit të Konkurrencës pritet miratimi i një ligji, që ka të
bëjë me atë që quhet sistemi bonus-malus.
27
Në tregun farmaceutik nuk kemi ndryshime, përsëri është një treg i monitoruar.
Po ashtu, në tregun e prokurimeve publike, në bazë të korrespodencës është një treg i
monitoruar.
Në sektorin bankar, në bazë të të cilit Autoriteti i Konkurrencës hapi një hetim të
përgjithshëm, pothuajse të gjitha rekomandimet e dhëna nga Autoriteti i Konkurrencës, qoftë
për të gjithë spektrin bankar (pra, qoftë për Bankën e Shqipërisë, qoftë për Shoqatën e
Bankave të Shqipërisë, qoftë për bankat e nivelit të dytë), janë marrë në konsideratë nga
aspekti bankar. Pra, themi se për sa u përket tregjeve të hetuara dhe të monitoruara, Autoriteti
i Konkurrencës ka pasur një bashkëpunim të vazhdueshëm me të gjithë autoritetet shtetërore,
por në të njëjtën kohë edhe me operatorët privatë, duke i monitoruar këto tregje.
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Erion Braçe – Pyetja për burimet njerëzore dhe trajnimin.
Juliana Latifi – Për sa u përket kapaciteteve njerëzore, mund të flasë Adriana.
Adriana Berberi – Ashtu siç u shpreh edhe në raportin përgatitur nga kryetarja,
evidentohet fakti se institucioni i Autoritetit të Konkurrencës është një institucion i
konsoliduar prej 12 vjetësh, që nga momenti i krijimit. Stafi, në përgjithësi është i
qëndrueshëm. Realisht, në të gjithë këtë procedurë, ka marrë trajnimet e vazhdueshme, si
brenda dhe jashtë vendit. Njëkohësisht, Autoriteti i Konkurrencës po vazhdon me projektet,
qoftë me BERZH-in, qoftë me autoritetet homologe, për të investuar në rritjen e kapaciteteve,
sepse, sigurisht, edhe tregjet bëhen më komplekse dhe prezenca e investitorëve të huaj apo
edhe fuqizimi i investitorëve të brendshëm, krijon premisa për të monitoruar tregjet dhe për të
respektuar dhe garantuar funksionimin e ligjit për konkurrencën edhe në territorin e
Republikës së Shqipërisë.
Erion Braçe – Po, pyetja e tretë?
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Juliana Latifi – Aktualisht, gjatë vitit 2017, autoriteti nuk ka vendosur gjoba, kjo
edhe për shkak të asaj strukturës së re, që pati organizmi i Autoritetit të Konkurrencës, por në
të njëjtën kohë, edhe për shkak të procedurave hetimore (pra, duke iu referuar faktit se një
procedurë hetimore, nga pikëpamja ligjore, ka një periudhë të gjatë në kohë, që shkon 9
muaj) në fillim të muajit janar, Autoriteti i Konkurrencës, për shkak të mospërmbushjes së
një detyrimi nga dy shoqëritë e telefonisë celulare, është shprehur me një gjobë.
Nga ana tjetër, gjatë vitit 2017 Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur masat e
përkohshme, por shoqëritë që ndodhen para këtyre masave të përkohshme kanë siguruar
rregullimin e marrëdhënieve në tregun e konkurrencës.
28
Erion Braçe – Faleminderit!
(Ndërhyrje pa mikrofon.)
E sqaruam atë pjesë.
(Ndërhyrje pa mikrofon.)
Ju lutem, sepse po presin edhe kolegët e tjerë për të marrë fjalën.
Urdhëroni, zonjë!
Nadire Meçorapaj – Faleminderit, zoti kryetar!
Zonja Latifi, kam tri pyetje.
Më sa kam informacion, ende nuk është miratuar rregullorja e re e funksionimit të
Autoritetit të Konkurrencës për të bërë përputhjen me strukturën e re që është miratuar më 6
dhjetor në Kuvendin e Shqipërisë. Mendoni se kjo është pengesë për mbarëvajtjen e punëve
të institucionit?
E dyta, sipas raportit që keni vënë në dispozicion, keni realizuar 24 trajnime jashtë
vendit. Sa të efektshme kanë qenë? Si janë shpërndarë te përfituesit dhe sa prej
komisionerëve kanë përfituar prej tyre për vendimmarrje cilësore?
E treta, a është botuar buletini i radhës me vendimet e komisionit, sikurse e detyrojnë
nenet 47 dhe 64 të ligjit tuaj?
Faleminderit!
Erion Braçe – Urdhëroni!
Juliana Latifi – Struktura e re u miratua në prill të vitit 2017 dhe është në proces të
provueshmërisë së saj. Po ashtu, struktura i përgjigjet nga ana ligjore dhe ekonomike, asaj që
e keni quajtur dinamika dhe larmia e tregjeve. Janë vendosur disa momente kyçe në këtë
strukturë. Për shembull, në bazë të kërkesave të Komisionit Europian është vendosur
Drejtoria e Analizës dhe Metodologjisë së Tregjeve. Në pozicionin kyç të kësaj drejtorie
është vënë ekonomisti dhe në shtesën e re që kemi kërkuar pranë kësaj drejtorie për vitin
2018 është parashikuar të jetë një person tjetër për të bërë analizën ekonomike dhe
ekonometrike. Jo më vonë se java tjetër presim dy përfaqësues të TAIEX-it për të trajnuar
stafin.
Në fjalën time dhe të kolegëve të mi u evidentua qëndrueshmëria e stafit të Autoritetit
të Konkurrencës. Me krenari dhe me bindje unë them se, nga momenti që kam marrë detyrën
vjet, asnjë punonjës nuk ka lëvizur nga Autoriteti i Konkurrencës. Pra, stafi është i
qëndrueshëm, i kualifikuar dhe vazhdon të kualifikohet.
Erion Braçe – Po për rregulloren?
29
Juliana Latifi – Rregullorja e Autoritetit është në proces, pasi ne presim dy projekte
të rëndësishme. Pra, është miratuar projekti i BERZH-it dhe në të njëjtën kohë është edhe një
projekt tjetër. Për shkak të angazhimeve institucionale që kemi pasur me ekspertë të huaj, ata
kanë marrë përsipër të bëjnë një përqasje midis praktikave më të mira europiane, por, në të
njëjtën kohë, edhe problematikave që ka nxjerrë zbatimi i ligjit për mbrojtjen e konkurrencës
në praktikë. Ligji është amenduar për herë të fundit në vitin 2010 dhe ne duam të jemi të
kujdesshëm në parashikimet e reja në rregullore dhe në propozimet që duam të bëjmë në
kuadrin ligjor.
Erion Braçe – Dakord.
Urdhëroni, zotëri!
Ismet Beqiraj – Nga raportet që kemi përpara, në drejtimet kryesore të aktivitetit të
institucionit tuaj janë tregjet e forta sensitive dhe ndër to është tregu i hidrokarbureve. Unë
kam disa pyetje.
E para, pse nuk është parë i nevojshëm nga Autoriteti i Konkurrencës procesi i
monitorimit dhe hetimit në të gjithë segmentin e tregut të hidrokarbureve, por vetëm për
gazin e lëngshëm dhe karburantet për aviacion?
E dyta, tregu i GLN-së është monitoruar dhe hetuar në periudhën mars-tetor, kur është
fluksi më i paktë i furnizimit të tregut për shkak të rënies së nevojave dhe nuk është hetuar
për periudhën e dimrit nëntor-mars, që ka kërkesa më të theksuara. Nga përfundimi që keni
nga procesi i hetimit thoni se nuk bëhen shenja të kufizimit ose të shtrembërimit të
konkurrencës për shkak të sasisë më të madhe të hedhjes në treg në periudhën e dimrit. Ne
jemi koshientë që në realitet është ndryshe, ju e keni konstatuar këtë?
Kam edhe disa pyetje të tjera që lidhen edhe me konkurrencën, por edhe me
monopolin. Variacioni i çmimeve të naftës dhe nënprodukteve të saj në tregjet botërore nuk
ndjek të njëjtin trend ose të njëjtin reflektim të ndryshimit edhe në vendin tonë. Mendoni se
është për shkak të monopolit dhe prishjes së konkurrencës? Mund ta kenë një apo dy
kompani dhe bëjnë çfarë të duan? Ndryshimi i theksuar i çmimeve në vendin tonë me vendet
fqinj, si Kosova dhe Maqedonia, vjen për shkak të monopolit apo politikave fiskale?
E katërta, si gjykoni, në kushtet kur industria e përpunimit të naftës në vend është në
krizë, ka krijuar efekt në monopol dhe prishje konkurrence në treg? Keni bërë rekomandime
për ta zbutur këtë problem në qeveri me akte ligjore dhe nënligjore?
Juliana Latifi –Autoriteti i Konkurrencës ka marrë në hetim tregun e gazit në dy
drejtime, së pari, çështja ka filluar konkretisht dhe më pas, në bazë të një ankimi, tregu i gazit
të lëngshëm dhe më pas tregu për karburantet në aeroportin ndërkombëtar Tirana
30
International Airport. Për sa i përket tregut të gazit, gjatë hetimit të tij Autoriteti i
Konkurrencës arriti në konkluzionin, siç e keni të shprehur në faqen 36 të raportit, që çmimet
e shitjes varen nga njëra ndërmarrje tek tjetra, pikërisht duke iu referuar ndërmarrjeve që
ishin pjesë e këtij hetimi. Mund të themi se ishin të gjitha ndërmarrjet që i përkasin rrjedhës
së sipërme të ndërmarrjes, duke ndjekur trajektoren e çmimeve të rritura të shitjes transferuar
nga çmimet e bursës ndërkombëtare të karburanteve plac tek importuesit.
Komisioni i Konkurrencës arriti në përfundimin që nga hetimi rezultoi se nga
ndërmarrjet nuk ka shkelje të ligjit. Kjo është arsyeja që Autoriteti i Konkurrencës vendosi
mbylljen e këtij hetimi, që, në të njëjtën kohë, u shoqërua edhe nga rekomandimet përkatëse
që u dha operatorëve shtetërorë të autorizuar, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe
Ministrisë së Financave. Autoriteti i Konkurrencës vazhdon ta ketë në monitorim. Siç e
thashë, është një nga detyrimet që vendosi Rezoluta e Kuvendit për vitin 2016. Është një treg
që vazhdon të jetë në monitorim të vazhdueshëm nga Autoriteti i Konkurrencës.
Nga ana tjetër, në bazë të një raportimi 3-mujor që bëjnë shoqëritë në tregun e gazit,
ata janë të detyruar të raportojnë pranë Autoritetit të Konkurrencës, në bazë të këtij vendimi,
dhe Komisioni i Konkurrencës mund të vendosë nëse mund të hapet apo jo një hetim në këtë
treg. Pra, tregu vazhdon të jetë i monitoruar, nuk është jashtë vëmendjes së Autoritetit të
Konkurrencës.
Erion Braçe – Faleminderit!
Keni pyetje të tjera?
Zonja Kadiu, urdhëroni!
Juliana Latifi – Zotëri, kishit edhe pyetje të tjera. Mund të ma thoni pyetjen e dytë?
(Ndërhyrje pa mikrofon.)
Në analizën që ne bëjmë, jo pa qëllim iu referova faqeve të raportit, ku në analizën
ekonomike dhe ekonometrike që ne i bëjmë, në faqen 35 ne themi: referuar pasqyrave
financiare sipas treguesve EDIT-a, për periudhën 2013-2015 marzhet bruto të të ardhurave
për periudhën objekt-fitimi tregojnë se nuk jemi para normave të fitimeve jonormale ose
ekspresive, që janë tregues i një tregu që vuan nga mungesa e konkurrencës. Ne besojmë se
tregut i bëjmë një analizë të mirëfilltë ekonomike, ekonometrike, por edhe juridike.
Erion Braçe – Faleminderit!
Zonja Kadiu, urdhëroni!
(Diskutime pa mikrofon.)
Ledia Matja – Më falni, dua të sqaroj diçka për strukturën e çmimit dhe pse çmimi
ynë është më i lartë. Ka qenë gjithmonë, nuk është vetëm tani, sepse po u referohem edhe
31
viteve të kaluara. Kjo ka lidhje me strukturën e taksave që janë të futura brenda një litri naftë.
Pra, çmimi nuk fillon me zero, por shumë më lart zeros dhe kostos së operatorëve. Çmimi
është rritur pikërisht për shkak taksave të futura në çmimin e litrit të naftës.
Erion Braçe – Faleminderit!
Urdhëroni, zonja Kadiu!
Fatbardha Kadiu – Faleminderit, zoti kryetar!
Faleminderit, zonja Latifi!
Unë do të doja të vazhdoja me përgjigjen e koleges, që tha se çmimi i karburantit në
Shqipëri ka qenë dhe mbetet më i lartë se vendet e rajonit për shkak të politikave fiskale apo
të taksave. E para, a mund të na thoni konkretisht për cilën taksë bëhet fjalë, sepse tregu i
karburanteve ka një sërë taksash edhe vetë në strukturën e çmimit taksat zënë një përqindje
shumë të lartë?
E dyta, dëgjova zonjën Latifi, por edhe kolegen Kushi, që tha se gjatë gjithë vitit janë
marrë gjithsej 47 vendime për vitin 2017. Do të doja të dija konkretisht sa prej këtyre
vendimeve rezultojnë me vendimmarrje me gjobë?
E treta, pse ju ka rezultuar pa gjobë pikërisht hetimi për tregun e gazit?
Faleminderit!
Erion Braçe – Faleminderit!
Juliana Latifi – Unë e shpjegova se procedurat që zhvillon Autoriteti i
Konkurrencës, që fillojnë me monitorimin, për të kaluar në hetimin paraprak në bazë dhe në
hetimin e thelluar, ne i respektojmë nga pikëpamja ligjore, dhe kjo është arsyeja që vendimet
tona nuk prishen nga gjykatat.
Për sa u përket vendimmarrjeve me gjobë, ne shprehemi pasi mbaron një procedurë që
ka pothuajse një periudhë kohore gati 10-11 mujore, siç e shpreha. Kjo ka qenë arsyeja që
Autoriteti i Konkurrencës në fillim të muajit janar u shpreh për një gjobë për një procedurë
hetimore që kishte filluar.
Për sa i përket hetimit të zhvilluar në tregun e gazit, kemi dy procedura hetimore: një
hetim të përgjithshëm, që kishte të bënte me furnizimin me karburant të avionëve dhe, në të
njëjtën kohë, depozitimit dhe tregtimit të gazit. Ju i referoheni vendimit të Komisionit, që ka
të bëjë me mbylljen e procedurës hetimore për sa i përket depozitimit dhe tregtimit të gazit.
Unë evidentova, dhe në raport ne e kemi mëse të analizuar pse Komisioni i Konkurrencës
gjykoi se nga ana ligjore duhej vendosur për mbylljen e hetimit. Në faqen 35 të raportit ne
kemi evidentuar se nuk u gjetën evidenca direkte për të vërtetuar ekzistencën e një
marrëveshjeje të ndaluar midis ndërmarrjeve. Pra, Autoriteti i Konkurrencës fillon një
32
procedurë hetimore kur dyshon nëse ndodhet para një marrëveshjeje të ndaluar ose ndodhet
para pozitës dominuese. Jo pa qëllim themi se nuk u gjetën evidenca për të vërtetuar
ekzistencën e një marrëveshjeje të ndaluar ndërmjet ndërmarrjeve sipas nenit 4 të ligjit “Për
mbrojtjen e konkurrencës”. Gjithashtu sita e ndërmarrjeve ndaj çmimit të shitjes, duke
aplikuar çmime të ndryshme me diferenca domethënëse në këtë treg, nuk përbën shenja të
kufizimit të konkurrencës në kuptim të dispozitave të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, si
dhe metodologjive të OECD-së për zbulimin e kartelave me evidenca direkte në formën e një
marrëveshjeje të ndaluar praktike të bashkërenduar mes këtyre ndërmarrjeve.
Nga ana tjetër, në nivelin e tregtimit me shumicë, se ndërmarrjet që u hetuan ishin
vetëm ato të rrjedhës së sipërme, konkludohet se jemi para çmimeve të fiksuara në shitje në
këtë nivel tregtimi dhe çmimet e shitjes variojnë nga njëra ndërmarrje tek tjetra, por duke
ndjekur trajektoren e çmimeve të rritura të shitjes të transferuar nga çmimet e bursës
ndërkombëtare të karburanteve plac tek importuesi dhe më pas te kjo kategori tregtimi. Kjo
është arsyeja që në përfundim të hetimit rezultoi se nga ndërmarrjet në hetim nuk ka shkelje
dhe vendosëm mbylljen e këtij hetimi në dhënien e rekomandimeve përkatëse tek
institucionet shtetërore, operatori shtetëror i autorizuar, Ministria e Infrastrukturës dhe
Ministria e Financave.
Erion Braçe – Faleminderit!
Fatbardha Kadiu – Cila është kjo taksë në tregun e karburanteve që na e devijon kaq
shumë çmimin e karburanteve në Republikën e Shqipërisë, krahasuar me vendet e rajonit?
Erion Braçe – Më vjen keq, zonjë, por çmimin e vendos tregu, nuk e vendos taksa.
Nëse në treg ka konkurrencë, natyrisht, çmimi është ai që vendoset nga tregu, por nëse në
treg ka kufizime...
Fatbardha Kadiu – Kolegu më përpara bëri një pyetje ku tha që ky çmim i tregut të
lartë, që kemi vjen nga monopoli, apo nga politikat fiskale? Përgjigjja ishte që vjen nga
politikat fiskale. Unë pyeta cila është kjo taksë që ndikon?
Erion Braçe – Nuk jemi këtu për të diskutuar taksën, do ta diskutojmë kur të vijë
ministri.
Fatbardha Kadiu – Sigurisht, ne jemi këtu për të diskutuar atë që ti mendon se duhet
diskutuar, por unë mendoj se nuk duhet të jetë ky standardi i këtij komisioni. Megjithatë,
faleminderit!
Erion Braçe –Patjetër, standardi i këtij komisioni duhet të jetë anormal. Keni të
drejtë!
Po zonja Gjylameti.
33
Blerina Gjylameti - Faleminderit, zoti kryetar!
Duke falënderuar zonjën Latifi për ekspozenë e të gjithë raportit për aktivitetin e
Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2017, si dhe shpjegimet për pyetjet e bëra nga kolegët,
unë do të vazhdoja te pyetjet që bënë kolegët. Do të vazhdoj më tutje, pra te pjesa e
marrëveshjeve të ndaluara, pikërisht për tregun e gazit të lëngshëm ku ju, me një vendim të
datës 21/3/2017 keni ndërmarrë hapjen e procedurës të hetimit të thelluar në të gjitha
segmentet e tregut, pra ngarkim, shkarkim, import, depozitim, shitje me shumicë dhe me
pakicë. Aty thuhet: “...për periudhën kohore maj 2015-shkurt 2017”. Ndërkohë pas
përfundimit të procedurave të hetimit të thelluar keni dalë në përfundimin që nuk ka për
tregun e monitoruar dhe të vlerësuar për periudhën mars-tetor shenja të kufizimit apo
shtrembërimit të konkurrencës të parashikuara në nenet përkatëse.
Po për periudhat e mëparshme? Sepse ju keni dalë në përfundim për pjesën mars-tetor
2017. Hetimi i thelluar përfshinte pjesën nga viti 2015 deri në vitin 2017.
Për sa i përket tregut të gazit të lëngshëm dhe të karburanteve, a kemi situata
monopoli?
Faleminderit!
Juliana Latifi – Lidhur me periudhën, për të cilën ju flisni, Autoritet i Konkurrencës
e përcakton që në momentin që komisioni vendos hapjen e hetimit, përcakton edhe periudhën
e hetimit, çka do të thotë se një periudhë hetimi as nuk mund të zgjatet përpara në kohë dhe
as nuk mund të ketë fuqi prapavepruese. Kjo është arsyeja që periudha është vendimtare për
sa i përket periudhës së hetimit. I rëndësishme është fakti se ky është një treg në monitorim,
pra në vendimmarrjen e tij Komisioni i Konkurrencës është shprehur që ky treg të jetë i
monitoruar, çka do të thotë që në momentin që ky treg shfaq shenja të kufizimit të
konkurrencës, kemi në çdo kohë të drejtën për të vendosur hapjen e hetimit. Për këtë arsye,
që në fillim të fjalës sime unë thashë që veprimtaria e Autoriteti i Konkurrencës gjatë vitit
2017 u shtri në tregje me problematika të përsëritura, pra ky nuk është një treg i ri, por i
hetuar ndër vite dhe vazhdon të jetë nën monitorim. Risia e vendimeve të Autoritetit të
Konkurrencës për vitin 2017 është afati kohor që ne u kemi vendosur, qoftë operatorëve
privatë, qoftë institucioneve shtetërore për t’iu përgjigjur përmbushjes së detyrimeve të lëna
nga Autoriteti i Konkurrencës.
Blerina Gjylameti – Zonja Latifi, a ka ndonjë gabim për periudhën, sepse e keni në
raportin tuaj periudhën 2015-2017? Ndaj pyetja ime ishte përse dilni në përfundime vetëm
për një periudhë kurse për periudhat e tjera nuk keni raport?
34
Juliana Latifi – E rëndësishme është që ky është një treg i hetuar në rast se shohim
raportin në faqen 36. Komisioni i Konkurrencës me vendimin nr. 476 datë 5.10.2017 “Për
zbatimin e vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr. 390 datë 22.12.2015”, ka qenë një treg
i hetuar, çka do të thotë se nga pikëpamja ligjore ne kemi kërkuar që kjo periudhë, në bazë të
rekomandimeve që ka dhënë Komisioni i Konkurrencës të asaj kohe, të mos hetohet më.
Prandaj ne kemi vënë një periudhe tjetër kohore, por në të njëjtën kohë i jemi referuar një
vendimi të mëparshëm nr. 390 të vitit 2015, rekomandimet e të cilit nuk ishin respektuar nga
autoritetet shtetërore. Ne vendosëm që t’u rekomandojmë këtyre autoriteteve shtetërore
zbatimin e vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr. 390 datë 2015. Pra, ka qenë një
periudhë e hetuar nga Autoriteti i Konkurrencës.
Blerina Gjylameti – Do t’ju lutesha, të na thoni sot ose të na sillni më pas materialin
për periudhat e tjera që ka mbyllur hetimi dhe të kemi informacionet përkatëse, meqenëse në
raportin e sotëm ju bazoheni te vendimi që keni marrë, edhe në bazë të përfundimit të
hetimeve periudhat e mëparshme.
Faleminderit!
Juliana Latifi – Unë gjykoj që këto janë periudha të raportuara, pra janë raporte të
viteve 2015 dhe 2016. Janë raporte të paraqitura nga Komisioni i Konkurrencës dhe nëse
Komisioni i Ekonomisë dhe Financave kërkon këto vendime, ne mund t’jua vëmë në
dispozicion, edhe pse janë lehtësisht të aksesueshëm edhe ne faqen në internetit të Autoritetit
të Konkurrencës.
Faleminderit!
Blerina Gjylameti – Dakord.
Pyetja tjetër. A kemi situata monopoli për sa i përket gazit të lëngshëm dhe
hidrokarbureve? Në pjesën e hetimit tuaj dhe të aktivitetit të Autoritetit të Konkurrencës, a
keni hasur situata të tilla, apo jo?
Diana Dervishi – Për gazin e lëngshëm problematika vazhdon prandaj jemi në
monitorim, si dhe hartohen raporte çdo tre muaj me të dhëna.
Erion Braçe – Ju lutem, cila është problematika?
Diana Dervishi – Problematika është koncesioni i dhënë në Porto Romano dhe
vazhdon të jetë problematike kontrata që ai ka lidhur me furnizuesin dhe depozituesin, pasi
operatori që operon në tregun që ai jep ngarkim-shkarkimin nuk mund të jetë prezent në
tregun e depozitimit. Kjo ka qenë që në momentin e dhënies së këtij koncesioni dhe ne i kemi
bërë vlerësime, kemi raportuar pranë komisionit vjet dhe tani po e risjellim në vëmendjen tuaj
me këtë vendim. Për këtë arsye i jemi referuar operatorit shtetëror.
35
Erion Braçe – Zonjë, ju lutem, që ta kuptojmë! Ju po thoni se koncesionari i Porto
Romanos ka marrë edhe të drejtën e depozitimit të gazit të lëngshëm dhe të shitjes së gazit të
lëngshëm. Këto tri gjëra po më thoni?
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Po pra, depozitimin thashë dhe shitjen me shumicë të gazit të lëngshëm, domethënë
ka edhe portin, edhe depozitat, edhe shitjen.
Cili është atëherë rekomandimi juaj?
Diana Dervishi – Operatorët shtetërorë, që janë përfaqësuesit e tri ministrive duhet të
shohin ndryshimin në koncesion...
Erion Braçe – Në kontratën e koncesionit?
Diana Dervishi – Po, në kontratë për të rregulluar një rregullore që quhet akt
nënligjor...
Erion Braçe – Dakord, këtë e kuptova, por ju si Autoriteti i Konkurrencës, nuk keni
ndonjë rekomandim tuajin përkundrejt operatorit në fjalë për ta ndarë tregun e portit nga
tregu i depozitimit, nga tregu i shitjes me shumicë?
Diana Dervishi – E kemi dhënë edhe me vendimin nr. 490, që the, nga kryetarja.
Erion Braçe – Dhe ky vendim nuk zbatohet?
Diana Dervishi – Po, e kemi dhënë edhe me vendim që e kemi rivendosur.....
Erion Braçe – Si ta zbatojmë atëherë? Zonja kryetare, jam shumë i qartë, por dua të
di dy gjëra, meqë më erdhi radha për pyetje: ju dëgjova me shumë vëmendje gjatë përgjigjeve
tuaja, se keni vënë afate për rekomandimet tona përkundrejt autoriteteve shtetërore përfshi
edhe ato qeveritare. Sa rekomandime keni bërë për ministritë, për autoritete dhe sa prej tyre
janë zbatuar?
Ju si mendoni se duhen zbatuar këto rekomandime? Duhet të keni polici edhe për këtë
institucion, se nuk e kuptoj? Ju rekomandoni që të ndahet ai koncesionar i famshëm i Porto
Romanos nga depozitat që ka bërë për kompaninë e vet, të familjes e të tjera me radhë dhe
nga shitja me shumicë e gazit të lëngshëm. Si zbatohet ky rekomandim? Nuk arrij ta kuptoj
më.
Juliana Latifi – Edhe në rastin konkret ne e kemi dhënë me një afat kohor këtë
rekomandim, që ishte afati 90 ditor.
Erion Braçe – Që i adresohet kujt?
Juliana Latifi – I adresohet operatorit shtetëror të autorizuar, Ministrisë së
Infrastrukturës dhe Energjisë dhe, themi miratimin e një metodologjie për rregullimin e
tregut, e cila duhet të përcaktojë në mënyre të qartë rolin, funksionet dhe mënyrën e
36
funksionimit të çdo operatori që funksionon ne fushën e importit, ngarkim-shkarkimit,
depozitimit, shitjes me shumicë, shitjes me shumicë dhe shpërndarjes se gazit të lëngshëm
natyror.
Erion Braçe – Kur është afati për zbatim?
Juliana Latifi – 90 ditë kanë kaluar.
Erion Braçe – Ka kaluar.
Juliana Latifi – Po.
Erion Braçe – Faleminderit!
Po në lidhje me pyetjen për rekomandimet që keni bërë në tërësi për organet e
qeverisë?
Juliana Latifi – Kjo është dhe arsyeja që herë pas here, jo pa qëllim, në fund...
Erion Braçe – Sa janë dua të di dhe sa janë zbatuar?
Juliana Latifi – Pothuajse nuk janë zbatuar, por janë në proces.
Erion Braçe – Atëherë, ky komision kërkon një evidencë të qartë për të gjitha
rekomandimet që keni bërë për institucionet qeveritare me afatet përkatëse, datat kur janë
bërë, afatin e tejkaluar, ose jo, dhe ato që janë dhe nuk janë zbatuar.
Juliana Latifi – Aktualisht, në fund të raportit, ne kemi një matricë të vendimeve për
dhënien e rekomandimeve ndaj institucioneve shtetërore për periudhën janar. Aty është
pasqyruar në mënyrë të hollësishme rekomandimi dhe niveli i zbatueshmërisë. Në rast se i
referohemi vendimit për të cilin po flasim, operatorët shtetërorë të autorizuar, Ministria e
Infrastrukturës dhe Ministria e Financave nuk e kanë marrë në konsideratë këtë rekomandim
pavarësisht se ka kaluar afati 90-ditor.
Erion Braçe – Faleminderit!
Zonja relatore, i gjithë aneksi me rekomandimet e Autoriteti i Konkurrencës të
pazbatuara nga ana e institucioneve qeveritare do t’i bashkëngjitet relacionit të komisionit si
problematikë.
Po, zoti Shehaj.
Agron Shehaj – Për sa i përket koncesionit të Porto Romanos, ju thatë që është një
problem për garantimin e kushteve të konkurrencës në këtë treg dhe keni bërë edhe disa
propozime. Sipas mendimit tuaj, dhënia e një koncesioni tjetër, ngjitur me atë port, njërit prej
operatorëve që operojnë në këtë treg, a është zgjidhje?
Juliana Latifi – Kjo nuk është pyetje e këtij raportimi, për arsye se ne kemi marrë
një treg në shqyrtim dhe nuk kemi marrë koncesionin e Porto Romanos.
Ju faleminderit!
37
Erion Braçe – Zonjë, deputeti ka shumë të drejtë që bën këtë pyetje, sepse i referohet
një rekomandimi tuaj drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për të përcaktuar në
mënyrë transparente tarifat e këtij koncesioni të ri, detyrë po prapë e pa bërë nga ana e
institucioneve qeveritare dhe e verifikuar këtu në komision gjatë shqyrtimit të koncesionit.
Arben Pëllumbi – Zonja Latifi, ju falënderoj për paraqitjen e raportit që bëtë dhe për
përgjigjet që dhatë për të gjithë kolegët! Në përgjithësi edhe disa pyetje të mia morën
përgjigje, por dëshiroj t’ju bëj një pyetje konkrete dhe dua një përgjigje konkrete lidhur me
një hetim që ju keni hapur në datën 23.5.2017 për tregun më pakicë të shërbimeve të
telefonisë celulare.
Nga ajo që kuptova nga përgjigjet që dhatë është se jeni në fazën ku keni vendosur
edhe një gjobë. Ky hetim paraprak a ka arritur në përfundim? Nëse është kështu, do të doja të
dija cili është!
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Në datën 23.5.2017 Autoriteti i Konkurrencës ka hapur një procedurë të hetimit
paraprak për tregun me pakicë të telefonisë celulare. Nga sa kuptova prej përgjigjeve që u
dhanë nuk e keni shkruar të qartë dhe më duket se është arritur në një konkluzion për këtë
hetim. Doja të dija cili është konkluzioni.
Faleminderit!
Juliana Latifi – Ajo që doja të theksoja është që Autoriteti i Konkurrencës është
shprehur me një vendim në lidhje me tregun e telefonisë celulare për mbylljen e hetimit
paraprak. Mund të themi që është një ndër vendimet më cilësore të Autoritetit të
Konkurrencës për sa i përket rekomandimeve që dha Autoriteti i Konkurrencës, të cilat në
fillim të muajit janar kulmuan me vendosjen e një gjobe kundrejt dy operatorëve. Procedurat
që imponon ligji janë të gjata, që jemi të detyruar t’i respektojmë. Ne kemi kërkuar, qoftë
pranë rregullatorit, që është AKEP-i, qoftë Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorit, në të
cilin unë përsëri do të kërkoja ndërhyrjen e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave për të
bërë të mundur që ky komision të bashkëpunojë me Autoritetin e Konkurrencës dhe me
operatorët e tjerë, që nga ana ligjore tri ndërmarrjet që operojnë në tregun e telefonisë
celulare (se pas përqendrimit kemi tri ndërmarrje), të publikojnë dhe të bëjnë transparente
çmimin për njësi për çdo shërbim që ofrojnë në minuta, në lekë dhe në megabyte. Vendimi
përfshin një periudhë monitorimi dhe, në të njëjtën kohë, ishte i lidhur më një afat kohor, që
do të thotë se në datën 21 dhjetor shoqëritë duhet të shpreheshin për respektimin e këtij
vendimi. Ne patëm vetëm një komunikim me Albtelekomin, por nuk patëm komunikim me
dy shoqëritë e tjera. Kjo është arsyeja që në fillim të muajit janar Autoriteti i Konkurrencës
38
vendosi një gjobë, e cila do të ndikojë në veprimtarinë e këtyre shoqërive për të bërë të
mundur atë që ne kërkojmë si nga shoqëritë, ashtu dhe nga enti rregullator, publikimin e
çmimit për njësi, pra sa harxhojmë. Çdo qytetar, çdo konsumator duhet ta dijë sesa harxhon
për minuta me SMS, thirrjet dhe me magabyte-in.
Erion Braçe – Po, zoti Shehaj.
Agron Shehaj – Ky është akti i fundit që ju merrni kundër këtyre operatorëve të
telefonisë celulare, apo do të vazhdoni? Ju kërkuat shpalljen publike të çmimeve për njësi, që
është shumë e drejtë, me qëllim që qytetarët të kenë mundësi të krahasojnë çmimet e secilit
prej operatorëve në treg. Mendoni se me një gjobë, pak a shumë e 20 mijë eurosh...
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Dakord ma thoni ju sa janë dy gjobat? Ju keni gjobitur Vodafon-in dhe Telekom
Albania.
Juliana Latifi – Mos ngatërroni gjobën që kanë marrë para 8 vjetëve!
Agron Shehaj – Jo, nuk po e ngatërroj.
Juliana Latifi – Ne ia kemi zënë 0,02% dhe normalisht njëra shkon në 35 milionë
lekë të vjetra dhe tjetra rreth 70 milionë lekë të vjetra.
Agron Shehaj – Nuk janë 20, por 25 mijë euro!
Juliana Latifi – Unë nuk bëj llogari.
Agron Shehaj – Nuk e mbarova pyetjen, zonjë.
Ju mendoni se me këtë gjobë do t’i detyroni këta operatorë, që kanë xhiro prej mbi
100 milionë eurosh në ditë, të respektojnë vendimin tuaj?
Juliana Latifi – Ky është hapi i parë që ka vendosur Autoriteti i Konkurrencës dhe jo
pa qëllim në vendimmarrjen tonë ne kemi thënë që vlerësojmë bashkëpunimin, sepse gjatë
gjithë periudhës, që nga muaji shtator, kur dhamë këtë vendim dhe e monitoruam këtë treg, të
tria shoqëritë, që operojnë në tregun e telefonisë celulare, kanë sjellë të gjitha ofertat pranë
Autoritetit të Konkurrencës, por ne gjykuam të vendosim një gjobë që kërkon përmbushjen e
këtij detyrimi. Vendosja e kësaj gjobe nuk do të thotë se AK-ja e ndaloi punën, pasi Autoriteti
i Konkurrencës po monitoron këtë treg, pra i ka të gjitha instrumentet e nevojshëm ligjorë për
të vendosur edhe gjoba të tjera, qoftë dhe për të rritur vlerën e gjobës, duke iu referuar asaj që
ne e quajmë gjobë periodike për shkak të mosrespektimit të vendimit të Autoritetit të
Konkurrencës.
Agron Shehaj – Ju keni bërë një hetim për ndryshimin e tarifimit të paketave mujore,
nga mujore në 4-javore, se nga kjo çështje keni filluar hetimin, nëse nuk gabohem, të paktën
kështu del nga vendimi që keni marrë. Imagjinoj që objekti i punës suaj është transparenca e
39
çmimeve, kështu që, për sa i takon pjesës tjetër është AKEP-i, që monitoron operatorët e
telekomunikacionit, dhe Autoriteti për Mbrojtjen e Konsumatorit, që duhet të bëjnë hapa të
mëtejshëm për të mbrojtur konsumatorin, sepse, siç ju e dini shumë mirë, tarifat ishin për 30
ose 31 ditë, kurse tani janë për 28 ditë. Praktikisht, çdo qytetar nuk paguan më 12 paketa
komunikimi në vit, por pothuajse 13 paketa. Më korrigjoni nëse e kam gabim.
Lexova në raportin tuaj që ju keni thirrur për t’u ballafaquar përfaqësues të AKEP-it
dhe Autoritetit për Mbrojtjen e Konsumatorit, por nuk kanë ardhur. Është e vërtetë që ka
mungesë bashkëpunimi midis këtyre dy autoriteteve?
Juliana Latifi – Tashmë jemi në një fazë të re të marrëdhënieve me AKEP-in. Në rast
se i referohemi vendimit për mbylljen e hetimit paraprak, mund të themi se ka kaluar një
kohë relativisht e gjatë. Pra, ne i referohemi kohës kur AKEP-i nuk bashkëpunonte me
Autoritetin e Konkurrencës, kurse tani jemi në fazën që AKEP-i ka filluar të bashkëpunojë
me Autoritetin e Konkurrencës.
Unë e thashë në fjalën time që AKEP-i ka dërguar për konsultim publik pranë
Autoritetit të Konkurrencës dokumentin që ka të bëjë me asimetrinë për shpalljen e operatorit
me fuqi të ndjeshme në treg. Vendimi, në qoftë se i referohemi raportit në faqet 20 dhe 21,
përcakton qartë të gjitha detyrimet që ne i kemi vendosur AKEP-it, duke filluar nga detyrimi
që AKEP-i ka për të njoftuar pranë autoritetit çdo paketë standarde, faktin që ai duhet të bëjë
një vlerësim të paketave 28 dhe 30 ditore (ky është një treg i rregulluar dhe është AKEP-i ai
që vepron në tregun e telefonisë celulare), si dhe kemi kërkuar ndryshimin e kuadrit ligjor.
Pra, në rast se shikojmë vendimin, ne e themi shprehimisht në faqen 21 ndryshimin e
nenit 3 të Rregullores mbi publikimin e informacionit për tarifat dhe kushtet e aksesit dhe
përdorimit të shërbimeve të komunikimeve elektronike publike, duke parashikuar detyrimin e
ndërmarrjeve për njoftimin në AKEP përpara bërjes publike efektive të miratimit të
ndryshimit të tarifave.
Pra, mendoj që i kemi dhënë disa detyrime AKEP-it dhe jemi në pritje të
bashkëpunimit.
Agron Shehaj– Po me Autoritetin e Mbrojtjes së Konsumatorit?
Juliana Latifi – Siç e thashë edhe në fjalën time para pak minutash, kërkojmë
ndërhyrjen e Kuvendit për të bërë të mundur ngritjen e Komisionit të Mbrojtjes së
Konsumatorit edhe për faktin që ky do të jetë një komision ad hoc. Ndoshta kjo është një
thirrje që ne i bëjmë Komisionit të Ekonomisë dhe Financave për ta parë si mundësi që
konsumatori të bëhet një pjesë e së drejtës së konkurrencës, ashtu siç është edhe modeli i
konsoliduar i vendeve të Bashkimit Europian ku autoritetet e konkurrencës nuk janë thjesht
40
autoritete për mbrojtjen e konkurrencës, por janë autoritete për mbrojtjen e konkurrencës dhe
konsumatorit.
Faleminderit!
Agron Shehaj – Ju falënderoj!
Erion Braçe – Ka ndonjë gjë tjetër? Ka mendime, opinione apo pyetje të tjera?
Nuk ka.
Në cilësinë e kryetarit të këtij komisioni, nuk më mbetet gjë tjetër veçse të përsëris ato
që kolegët thanë në raport me atë që është pozitive në veprimtarinë e Autoritetit të
Konkurrencës.
Brenda mundësive që ka pasur buxheti i shtetit për ta mbështetur nga pikëpamja e
burimeve njerëzore institucionin tuaj, tashmë jeni me një strukturë të komisionerëve të plotë
dhe me një strukturë të burimeve njerëzore të shtuar. Ajo që mua më shqetëson ka të bëjë me
këto pika:
E para dhe mbi të gjitha, me problematikën e shfaqur jo vetëm në raport dhe aneksin e
rekomandimeve të pazbatuara, por edhe në korrespondencën e përditshme, që, si kryetar i
këtij komisioni, jam i detyruar të marr edhe me institucionin tuaj. Pra, bashkëpunimi dhe
bashkëveprimi në dy aspekte:
Së pari dhe mbi të gjitha, me qeverinë dhe institucionet e saj.
Është tërësisht e patolerueshme (e kam përsëritur shpesh gjatë tri javëve të fundit), që
ministritë apo agjencitë në varësi të ministrive të mos kthejnë përgjigje, të mos bëhen pjesë e
proceseve të ndërmarra nga Autoriteti i Konkurrencës, e mbi të gjitha, të refuzojnë zbatimin e
rekomandimeve të Autoritetit të Konkurrencës.
Unë nuk mendoj që kjo punë zgjidhet nga Komisioni i Ekonomisë. Komisioni i
Ekonomisë i Kuvendit nuk mund të bëjë rolin e policisë së Autoritetit të Konkurrencës. Ky
duhet të jetë një detyrim i panegociushëm i çdo ministrie dhe i çdo agjencie në varësi të
secilës prej ministrive për t’u zbatuar dhe për t’u bërë pjesë e proceseve të ndjekura ligjërisht
nga Autoritetin i Konkurrencës. Kjo gjë do të jetë e shkruar në mënyrë të qartë në rezolutën e
Kuvendit.
Mua më mjafton që institucionet qeveritare të respektojnë ligjin. Pra, çdo ministri që
ka për të marrë një akt ligjor, siç thuhet në ligjin e konkurrencës, duhet të marrë më parë
opinionin e Autoritetit të Konkurrencës. Pra, çdo ministri duhet të zbatojë ligjin. Në rastin e
evidentimit të këtyre refuzimeve nga ana e secilit prej institucioneve qeveritare, ne nuk na
ngelet gjë tjetër veçse të bëjmë publik faktin. Lista duhet t’i bashkëngjitet edhe këtë herë
rezolutës së Kuvendit për këtë aspekt.
41
Së dyti, për çdo vendimmarrje të secilës prej ministrive, në rastin e kontratave
koncesionare apo të partneritetit publik-privat, është po përsëri detyrim ligjor që t’i drejtohet
Autoritetit të Konkurrencës për të gjykuar nga pikëpamja e konkurrencës vlefshmërinë e këtij
akti. Lista e refuzimeve do t’i bashkëngjitet përsëri rezolutës së Kuvendit edhe për këtë
çështje. U bënë të paktën 15 vjet që refuzimi është konstant pavarësisht se detyrimi ligjor ka
qenë i qartë.
Së dyti, mua më shqetëson bashkëpunimi i institucionit tuaj me entet rregullatore, jo
në kahun që fillon te ju dhe përfundon tek ata, por te përgjigjet e munguara veçanërisht nga
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike Postare, nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe
ente të tjera rregullatore. Shikoj këtu Entin Rregullator të Energjisë që paska një listë të
pafundme rekomandimesh të pazbatuara deri tek autoriteti shtetëror, që ju përmendni, i cili ka
të bëjë drejtpërdrejtë me mbikëqyrjen e mbarëvajtjes së kontratave koncesionare, të cilat nuk
përgjigjen dhe nuk zbatojnë rekomandime.
Unë mendoj se do të ishte e tepërt që ky komision apo secili nga komisionet e
Kuvendit të bëjë një ballafaqim midis autoritetit tuaj dhe secilit prej këtyre enteve
rregullatore. Natyrisht, mungesa e zbatimit të rekomandimeve që Autoriteti i Konkurrencës
lëshon në kohë për çështje të caktuara me adresë zbatimi këto ente rregullatore, ka sjellë
problematika shumë të mëdha në treg, të cilat nuk ndryshojnë pavarësisht ndërhyrjes së
Autoritetit të Konkurrencës. Kjo histori do të marrë fund. Neve nuk na mbetet gjë tjetër, që
edhe këtë listë të rekomandimeve të dhëna për entet e tjera rregullatore, përfshirë edhe
Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, që nuk mund të mjaftohet me faktin që ka mbaruar
duke dorëzuar draftligjin, por duhet të raportojë për detyrën e kryer, do ta verifikojmë në këtë
komision dhe do të jenë pjesë e rezolutës edhe në këtë rast.
Së treti, ajo që mua më shqetëson ka të bëjë me aspektin proaktiv të institucionit tuaj.
Ju nuk mund të viheni në lëvizje thjesht dhe vetëm nga ankesat që operatorë të ndryshëm,
edhe për shkaqe të tyre, i adresohen Autoritetit të Konkurrencës. Jo. Unë mendoj që
institucioni juaj duhet të jetë proaktiv për të hetuar edhe situata që kufizojnë konkurrencën në
treg. Në cilësinë e kryetarit të komisionit unë marr përditë shqetësime apo letra drejtuar
Kuvendit të Republikës së Shqipërisë që kanë të bëjnë me kufizime të mëdha të konkurrencës
në treg.
Natyrisht, mbase janë mënyra që nuk ndodhin vetëm në Shqipëri, por edhe rreth e
qark nesh apo edhe më gjerë, por duhet të bëhen pjesë e objektit të hetimit të Autoritetit të
Konkurrencës për t’u dhënë fund historive, që me një mall ekskluziv fillon të dominosh
tregun edhe me produkte të tjera, të cilat i kushtëzohen në furnizim tjetrit. Me strategjinë e
42
madhe të marketingut, ku një mall, për të kapur tregun, shoqërohet edhe me miliona lekë me
demek marketing, por që natyrisht kufizojnë konkurrencën në treg. Janë tregje të posaçme.
Unë do jua përcjell të gjitha shqetësimet që kam marrë në Kuvend për të parë në mënyrë të
qartë se si janë zhvilluar mekanizmat, të cilat kufizojnë në mënyrë të ndjeshme konkurrencën
në treg.
Së fundi, ajo që mua më shqetëson ka të bëjë me detyrimet apo rekomandimet që ju
lini për sa u përket kontratave koncesionare në fuqi. Në qoftë se ju, siç e keni verifikuar këtu
në komision, keni lënë detyrime për të bërë transparente tarifat dhe pastaj vendosni një
detyrim akoma edhe më të gjerë sesa kaq, për të bërë një strategji për vendosjen e tarifave në
të gjithë territorin e vendit për një miniakcizë të caktuar apo për një shërbim të caktuar, ky
duhet të jetë një rekomandim që duhet të ndiqet çdo ditë deri në realizimin e saj. Përndryshe,
pavarësisht se ne mund të ndërmarrim iniciativë, që nga pikëpamja publike mund të shkojë
kah përmbushjes së interesit publik për të thyer monopolin në një treg të caktuar, mund të
ndodhin fenomene të tjera, siç është edhe çështja e tarifave, që të kalojnë nga monopoli në
duopol dhe natyrisht, ne nuk kemi zgjidhur absolutisht asgjë për sa i përket interesit publik,
interesit të konsumatorit në fund fare.
Dua të theksoj që roli juaj është shumë i rëndësishëm dhe t’ju nxis që të mos mbani
një profil të ulët, veçanërisht publik. Secili nga autoritetet qeveritare dhe agjencitë e tyre
duhet të kuptojnë rolin dhe fuqinë e institucionit tuaj. Roli i institucionit tuaj lidhet
drejtpërdrejt me tregjet funksionale dhe konkurruese, që kanë impakt shumë të gjerë jo vetëm
në përmbushje të interesit publik, por mbi të gjitha, në luftën kundër varfërisë në këtë vend.
Zonja Kushi, secili nga objeksionet që u ngrit në këtë komision duhet të jetë pjesë e
rezolutës. Dua që rezoluta të mos jetë thjesht dhe vetëm vlerësuese, por kritikuese, atje ku ka
fakte dhe argumente të qenësishme për refuzimin e rekomandimeve të Autoritetit të
Konkurrencës, mosekzekutimin e vendimeve gjyqësore që kanë lidhje drejtpërdrejt me
vendimet e Autoritetit të Konkurrencës dhe natyrisht, ju nxis të bashkëpunoni edhe me zonjën
Tabaku, që në emër të opozitës ka sugjerimet e veta për t’u përfshirë në rezolutë.
Sa më parë që ju ta bëni gati rezolutën, aq më shpejt ajo do të shqyrtohet në këtë
komision dhe natyrisht edhe në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Faleminderit shumë për seancën!
Faleminderit shumë edhe juve për raportin dhe shpjegimet!
Mbledhja mbyllet.
MBYLLET MBLEDHJA