vellimi poetik "koha ne eklips"

67
Ibrahim Hajdari Koha në eklips (Poezi) SHTËPIA BOTUESE « MJELLMA » Verviers, Belgjikë (Përgaditur për shtyp: Korrik 1993) Maj 2004

Upload: ibrahim-hajdari

Post on 07-Jul-2015

275 views

Category:

Documents


7 download

DESCRIPTION

Poezi

TRANSCRIPT

Page 1: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

Ibrahim Hajdari

Koha në eklips (Poezi)

SHTËPIA BOTUESE

« MJELLMA » Verviers, Belgjikë

(Përgaditur për shtyp: Korrik 1993) Maj 2004

Page 2: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

2

Redaktor : JAKUP CERAJA

Lektor : RAGIP SYLAJ

Ballina dhe radhitja kompjuteristike:

Mjellma design

Me respektin më të madh për mikun, kolegun dhe atdhetarin Jakup Ceraja, i cili nuk është më në mesin tonë! Autori

Page 3: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

3

Odë përjetësie të thahesh në erë shkretëtirash e të mbetesh i njomë të verbohesh në dy sytë e të shohësh me syrin e tretë ta pështyesh tjetrin në fytyrë e të lagesh vetë ta zhdukësh urrejtjen duke mos urrejtur ta vrasësh dëshirën e fundit e të kridhesh në det dëshirash të çmendesh në humnerë pyetjesh pa gjetur përgjigje ta gërmihësh brendësinë tënde në zbrazëti të strukesh të mungosh për së gjalli së vdekuri të jesh të shkrihesh e bëhesh fluskë e të shpërthesh si përbindësh ta prekësh fundin e oqeanit e të dalësh i terur ta mbërrish fundin e fundit e të mbetësh në fillim të fillimit të shpërbëhesh qelizë më qelizë e të çirresh me sa zë ke UNE NUK JAM MË

Page 4: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

4

« Ne nuk mundemi kurrë ta tejkalojmë diellin, as edhe ta ndjekim nga pas, por ne mundemi ta bartim atë përherë në zemër. »

Carla Pols

Page 5: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

5

K R O N I K Ë A N O N I M E

( S o m n u l e n c a ) Në epitafin e gdhendur me germa fizike të qenies së materjes, vargu i buruar nga Muzat e intruzuara në njejësin e vetës së parë (ekzistenca egocentrike), shpreh aktin pak të kuptueshëm në dimensionin trefishor. Ndonëse përpunimi i ligjërimit poetik mbetet në margjinat e relativitetit kozmik, kapërcyell ngërthen në fizicialitetin e materjes sintagmën absolute të prezencës së përbotshme: ”isha, jam dhe do të jem - atje, këtu e ngjeti”, si një prani e përhershme, si këtu pranë meje ashtu edhe aty pranë teje. Por, se a mbetet i përbotshëm edhe ligjërimi poetik si një vizion i prodhuar nga kompleksiteti ndërtruror, varet nga perceptimi i kufirit mes artit poetik si ekzistencë e qenies fizike dhe artit poetik si nus produkt i botës metafizike, siç mbetet i përbotshëm përgjatë devotshmërisë edhe vet shpirti, si një “mekanizëm” që fut në lëvizje çdo gjë, që shohim apo nuk shohim, për t’i dhënë pastaj shtytje të pandërprerë edhe përsoshmërisë së ligjërimit të artit poetik. Duke qenë në labirinthet materiale të tredimensionales, pra, duke aktivizuar vetëm VETDIJËN si kufi të plafonit vertikal, ligjërimin poetik e kuptojmë si domosdoshmëri të natyrshme të çlirimit të ndjenjave dhe emocioneve të akumuluara në kutinë e vogël të trurit me kapacitet të paskajshëm...

Page 6: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

Renditja nuk ka rëndësi

Valët e detit duken të qeta

si puhia e këtij para agu që hyn nga xhami i thyer i dritares

dhe lëkund pasqyrën e varur në murin

plot myk e merimanga

Zbrazëti shkretinore Mungesë inspirimi

Befas

dielli nëpër xham u thye dhe si në eklips

dështoi këtë mëngjes: askush nuk zgjohet

Një gur u përplas në dhomë

dhe e theu pasqyrën bashkë me portretin tim të përgjumur

pasqyrën dhe mua mua dhe shëmbëllimin tim në pasqyrë

renditja nuk ka rëndësi (i përflakur zgjohem në mëngjes

heronjtë e ëndrrave përreth meje...)

çdo mëngjes zgjohem i përflakur përreth meje heronjtë e ëndrrave...

Renditja nuk ka rëndësi Nuk ka rëndësi renditja Rëndësi renditja nuk ka

Page 7: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

7

Himni i poezisë Ia mora një yll qiellit nga gjerdani një yll të artë; dhe ia vura poezisë, poezisë sime në ballë. Ia shkëputa një copë Diellit nga ai prush - një copë të zjarrtë; dhe ia vara poezisë, poezisë sime në qafë. Ia vodha pak behar pranverës aromës së blertë - pak behar; dhe e vesha poezinë, poezinë time me nektar. Ia mora zogut një cicërimë nga kënga e pafundme - parodi; dhe ia fala poezisë poezisë sime melodi. Ia hoqa atdheut pak mallë me një copë balte në gji, pak mallë, pak flijim; dhe ia dhashë poezisë, poezisë sime kushtrim!

Page 8: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

8

Ia mora gurrës një grusht ujë të kulluar me sitë bjeshke të fjetur; dhe i dhash poezisë të pijë, poezisë sime të etur. Ia ndava Vales një copë zemre nga strofulla e pemës bli, një copë t'përflakur, o bukuri; dhe ia dhurova poezisë, poezisë sime dashuri. Ia mora foshnjës pak vaj në ninullë lotin t'ia tret' ; dhe e bëra poezinë me vaj, poezinë time në djep. Ia mora, ia shkëputa, ia vodha, ia këputa... lëngimin dritës nga errësia, vargut rimën qetë-qetë... O zot, a ka fund poezia, poezia ime - J E T Ë?

Page 9: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

9

Kronikë anonime

Bari mbi gur Lumi mbi urë Dita në natë Deti pa valë Dimri në vjeshtë Pa rrush në vreshtë Vera në pranverë Pranvera në verë Disa njerëz edhe kështu I llogarisin punët Me vlerë e pa vlerë

Page 10: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

10

Pritje

katër hapa deri te realizimi i ëndrrës deri te dita e re një e katërta e ëndrrës deri te agimi i ditës së re edhe një çerek ore edhe katër minuta çerekun e minutit deri në fund të çerekut

Page 11: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

11

Bisedë e papritur me bustin Ti rri mes pishash të larta ngjyrë gri që mbinë në antikën hyjnore Unë i veshur laraman jashtë konturave të ekzistencës së mitit për kandilin e fikur Ti rri aty ku rrinë heshtakët dhe ata që vetëm shikojnë lëvizjet e diellit ag e terr Unë rri mëtanë botës sate si papagall i zhuritur venitem gjurmëve të anatemës sime Ti pushon i qetë nëpër mote se vole frytet në pergamenën e djeshme dhe mbolle farën e mëngjeseve të sotme Unë endem në humbëtirat e vargut për të vjelur fjalët e mbetura peng dhe porosinë e formës sate të ngurtë

Page 12: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

12

Fluturimi i mjellmës A mos je Feniks profet i shenjtërisë, përgjues legjendash priftues i lashtësisë? Mos t'u lodhën flatrat që t’i rrahën stuhitë, antikitetin modern a ta mësuan Tri Furitë? Puplat e mëndafshta mos të janë thinjur, nga pesha e pafat mënxyrë e jetës së fikur? Dole nga miti qëmoti fantazmë në natën e përhënur, dhe u fute në lëmshin e nxirë shakullinë e fijës së nemur. Ç’hije e zezë të vagëllinë mbi purpurin tënd ditënatë! Strofull kërkon në qiell ku s'ka kuotë, s'ka koordinatë?! A mos je Feniks profet i shenjtërisë, përgjues legjendash priftues i lashtësisë?

Page 13: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

13

Njerëzit në peshojën e jetës 1. (pësimi i pafajshëm) Mosmirënjohësit, më shpejtë e harrojnë vdekjen e të atit sesa humbjen e pronës atërore Hipokritët, më parë ua tregojnë njerëzve rrugën për në varr sesa fytyrën e vet të vërtetë në të cilën shëmbëllen buzëqeshja hipokrite Tinzakët, nuk mund të kënaqen në mënyrë të ndershme pa u shkaktuar të tjëreve padrejtësi: i ikin rrezikut dhe e lakmojnë fitimin Në këtë jetë lëmshi pa fill e pa fund do ketë një çikë vend për njeriun e urtë?

Page 14: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

14

2. (ikja nga gënjeshtra e bukur apo Bota e Dashurisë) Nuk ekziston njeriu i cili urren, por vetëm urrejtja e cila lehtë futet në unin e mosmirënjohësve hipokritëve tinzakëve prej nga shpërthen jashtë Dhe, nuk ekziston njeriu i cili dashuron, por vetëm dashuria të cilën lehtë e përvetësojnë njerëzit e mirë për ta rrezatuar jashtë vetes brenda botës sonë Sot në këtë rremujë botërash psë të ekzistojë urrejtja, kur ekziston N j e r i u kur ekziston D a s h u r i a ?

Page 15: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

15

Kulla e Babilonit Më jepni një gur një copë bjeshke t’shkallmuar të ndërtoj urë breznive shkëlqim - nur kala mbi lumë puhizë jete t’valëzuar fontanë t’ylbertë si gurrë. Më jepni një ushtë nga Troja e rrënuar dhe zjarri mbi prush, t’ua kthej t’praruar grushtin e bashkuar me miliona duar. Më jepni një sy Ciklopi t’verbuar, t’ua kthej të dy si Zeusi me hyj, e ta mbyll në dry mjerimin e mallkuar. Më jepni pak aromë filizash me behar sa s’është bërë vonë vetëm pak aromë, t'ua kthej përplot zemrat me nektar. Më jepni pak dritë, pak dritë, pak qiell t’kristaltë, t'kthjelltë t’ua jap një Diell që kurrë s'di të shtjerrë... Më jepni, më jepni, në këtë kohë zezonë sa s’është bërë vonë sa s’është bërë vonë...

Page 16: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

16

Vargje pa adresë Era shkulte barin kur frynte me dënesë zërin bartte ajri, skutave përshkohej jehonë lëshuat sirtarët humbur rrugëve pa adresë dikush hapi dryrin por ishte shumë vonë Fluturuat kohëve sot vajtët diku dikur pranë ju kisha, në letër, ja këtu ku t’ju kërkoj tash, vërtet s’di se ku Mos ju barti era diku në veri atje ku akulli kurrë nuk shkrin? Apo ju mashtroi puhia e jugut të nxehtë rrugën e pakthimit mos e zgjodhët vet? Më kot mundoj trurin letra mbetet bardh asnjë fjalë s’e lidh, s’e gjej asnjë varg kur humb poezia, ç’mbetet tjetër vallë?

Page 17: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

17

“Të fantazosh, do të thotë ta vizatosh një ylber mbi përditshmërinë tënde.“

Ruth Mayer

Page 18: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

18

K A F K A N Ë I T A K Ë

( K a t a l e p s i a )

...Duke kaluar në një nivel më të lartë shpirtëror, në një gjendje krejtësisht të re ku zhduken Koha Hapësira Fizika e ku na shfaqen si në tablo akuareli ekzistenca vetëm e së sotmes (jam, jam dhe vetëm jam) apo edhe e asaj translatives kurioze te pahapësirë: jo atje, as andej, as përtej, as ngjeti por: këtu, këtu dhe vetëm këtu; do të fitonim një përkufizim filozofik fare të ri, të palogjikë (logjika këtu pushon së ekzistuari) dhe mbi të gjitha të pashpjeguar me gjuhën e cilitdo krijues. Në këtë ambient ku zhduket Vetëdija dhe lind Ndërdija si postulacion komunikativ me irracionalitetin (jo)hapësinor, ligjërimi poetik merr konfiguracion shumë më vertikal duke u mbushur në vrimat dhe poret e lëna bosh në vetëdije. Ai sakaq shfaqet si një ushqim i patjetërsueshëm, gjithmonë i freskët dhe i shijshëm pa të cilin Ndërdija mbetet e uritur, pikërisht siç ishte Ambrozi i cili nuk i linte perënditë e Olimpit të mplakeshin. Arti poetik ndërkaq, do ta mbante shpirtin të ri, të freskët dhe me plot forcë, si dje kur isha, sot kur jam ashtu edhe nesër kur do të jem.

Page 19: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

19

P ë r s h ë n d e t j e nga lugu i Drinit e ndava një fllad Kosove xhepat e shqyera i arnova me lecka malli baltën e bërrakës ia mbatha këpucëve mbi vizëllimën e rrejshme të fatit në dorën e djathtë valixhen e mbusha vaj nëne e në të majtën grushtin plot lajthitje shpresash kokën stërngarkuar me Itakë Lisit të Dodonës një syth ia vodha në kutinë e trurit Kosovën e bëra palë - palë e shtëpinë time përdhese e vizatova në kapakët e syve në nisje të misionit të dhunshëm vetëm jehona m'i ngacmoi veshët: H A S T A L A V I S T A Në mërgim, nëntor '94

Page 20: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

20

N a t a m b i R a j n ë

Një copë terri të vetes sime e hodha tej bregut të errët të Rajnës së zezë e të uritur për ta kapërdirë mendjen time qe nuk i lë rehat as valët dhe as pulëbardhat që sonte duken katran. Hëna e plotë në qiellin e perhimtë dhe hëna e valëzuar në Rajnën e zezë sikur thërrasin lugetërit e kësaj nate. Mesnatë. Fiks fare. Një grumbull mjellmash miklojnë puplat e mëndafshta dhe presin përbindëshin e natës siç pres unë mëngjesin e vrarë. 1001 netët e ferrit m’u shfaqën në ekranin e hënës së plotë ku hahej darka e fundit e Luciferit dhe luhej lirshëm vallja e lugetërve sepse mëngjesi ka bërë vetvrasje kaherë.

Në brigjet e Rajnës, Nentor '94

Page 21: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

21

V a l l j a e V d e k j e s*

Erërat e Aulidës Kakusi romak Kentaurët e çartur hingëllimat barbare Villnin blozë e zjarr ushtarët perandorakë Nën diellin e nxirë mbi toka të të parëve

Hidhte era rërë plazhi Tej shkumës së bardhë të Adriatikut Ku luhej akti i mbijetesës Akti solemn mes jetës e vdekjes Dridhërimë përreth logut të betejës Ndriçim bebëzash ndër Mesapë Jehona s’ndalet gjaku kullon Shkëmb më shkëmb greminës kasandrike Përplasej zëri i këngës heroike

Gra e vajza dorë më dorë “Vallen e vdekjes” hidhnin tok Në një cep të Ilirisë Luhej epi i trimërisë

Hëna mbushte muzgun shqim Tek rrëshqiste qiellit tatëpjetë Prapa kodre numëronte në vegim U skuqën valët: shtatëqindeshtatëdhjetë...

Por s’ndalej kënga s’ndalej ritmi As vargu i gjatë i ritualit ilir Që priste në radhë aktin e mbijetesës Në shkumën e skuqur të Adriatikut për ta lozur nesër Vallen e Jetës

* Në historinë e traditës shqiptare gratë mesape (fis ilir), pas betejave, në të cilat burrat kishin rënë heroikisht, kapeshin dorëpërdore, këndonin dhe loznin tok VALLEN E VDEKJES, dhe vetem për të mos rënë në duart e armikut, hidheshin, secila me radhë, në greminën e thellë të shkëmbinjve te Adriatikut..

Page 22: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

22

A n t i n j e r i Të gërryen brejtësit, gati fare u trete Besnik i arushës ishe, besnik dhe sot mbete. Ta shtruan rrugën me thumba e gjemba Po ti s’ndieje dhimbje në shputa as thembra. Me çekan të hekurt të binin në kokë Por të trashë e kishe dhe s’ta linte dot. Mollëzat e fryra, barkun mbushur plot Buzët nga yndyra të shkëlqejnë dhe sot. Të ndrydhën të shtrydhën deri në pikë të fundit Si lëvozhgë limoni të hodhën në fund të pusit. Mos ke humbur rrugën, ku ndodhesh tash, vallë? Me gjithë mend e ke, të vihesh prap në ballë? Besnik ishe dje, besnik mbete sot Por Gjyqit të Madh nuk i shpëton dot! Ke ndërruar pamjen, por je më i zi Rrugën për në ferr, vetë e zgjodhe ti!

Page 23: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

23

S i m f o n i a e n a t ë s m ë t ë g j a t ë Nata sonte është e qetë zërat humbin n’errësi hëna, yjet - qielli vet vargëzojnë këtë poezi. I humbur fare më kot pres gjeli këngën të fillojë idhëca mbushur sa s’pëlcet vallë, kjo ditë a do agojë? Mbushur vrer e mbushur pezm ndërroj pamjet në fytyrë mbushur zjarm e mbushur helm më kthehet jeta në mënxyrë! Pikoj djersë si i ndrydhur brenda hirit të kësaj nate tkurrem fort si i shtrydhur shpalos kohë e ndesh në fate. Fate njerëzish të uritur për kafshatë e dashuri fate shpirtërash të zhuritur që hynë dhunshëm n’këtë simfoni. Nata sonte është e çalë shoh asgjë pos lapsit tim që mbi letër shënon vrragë dhe vargëzon këtë poezi. Endem zgjuar anatemës që e thurra me mallëngjim shtegtar në cepin e kësaj letre ku e struka shpirtin tim

Page 24: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

24

Apo ti, o hënë e ndritur që mes yjesh je e parë pse si trung i venitur mbetur jam sot i tharë? Ngrysem prap këtë natë korriku kthehem shtegut tim në kreshtë verë është, por vera iku natë e zezë u kthye në vjeshtë. Një breshër, vetëm në një rresht sonte këtu do ta hidhja nga brenda do nxjerr një tërmet këtë vrasës nate do ta dridhja! Dhe prap endem i humbur fare të kërkoj pak dritë n’këtë terr ndër djerrinat e kësaj nate s’gjej gjë tjetër, veç mister. Lodhur jam me fjalë paganësh gjymtyrë të mpira - më dhemb çdo ind stërngarkuar me retorikë bastardhësh por...Feniks mbes: sa vdes lind! Gëzohu natë në këtë shtrojerë me gjahun në rrjetë merimange shpejtë do të t’tretin rrezet n’pranverë kur të trokasin n’timen dritare. S’gjen dot strofull në Parnas kur të vdesësh natë e lashtë bashkë me Diellin do themi pas vajti terri, ndjesë pastë! Nata sonte është e qetë zërat humbin n’errësi hëna, yjet - qielli vet vargëzuan këtë poezi...

Page 25: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

25

K a f k a n ë I t a k ë Itaka s’lindi vetëm në Itakë Itaka s’jetoi vetëm në Itakë Itaka s’shtrihej vetëm në Itakë Itaka s’copëtohej vetëm në Itakë Itaka s’dëneste vetëm në Itakë Itaka s’humbi vetëm në Itakë Itaka s’qe vetëm Itakë Itaka s’mbeti vetëm Itakë Në Itakë shkonin vinin në Itakë Kafkën e shkelnin e shtypnin në Itakë E lashtë Itaka strukur në Kafkë Kafka e lashtë mbërthyer në Itakë Por s’vdiste Itaka jetonte në Kafkë Itaka e Kafka - Kafkë Itakë

Page 26: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

26

S e k r e t i

Kur të njoha vetëm unë të mbaja në dryrin e zemrës

Kur të njohu edhe një tjetër

të njohën njëmbëdhjetë

Po të të njohë edhe tjetri do të të njohin njëqindenjëmbëdhjetë

Page 27: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

27

R o b ë r i a

Ai që robëron të sotmen do të jetë

rob i së nesërmes

As ai që për robëri punon nuk do të shpëtojë

nga e nesërmja

Page 28: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

28

P e i z a z h K o s o v e

Përditë shqipja sqepin mpreh Në fole strukur

Endet kreshtave syshigjetë gjersa e thërret Strofull e mbushur

Tok me lumin rrëshqet fushës ku e pret Luginë e bukur

Derdhet dielli rrezeartë çdo skutë nget Si saç i skuqur

Shtojzovallet dallëndyshet fluturojnë Në puhizën e pranverës

Vijnë pëllumbat me ta zogjtë cicërojnë Në ëmbëlsinë e erës

Lëkunden gjethet kudo bletët pjalmin thumbojnë Thithin nektarin e jetës

Pikojnë pemët vreshtat plot këngët jehojnë Muzgjeve të vjeshtës

Page 29: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

29

Z g j i m i n ë t r i a k t e (Akti i parë: BUBULLIMA) Jeta sakaq shuhet, jetë për t’i thënë Pa ia marrë gëzimin as pa ia dhënë Çdo gjë mori sot pamje idilike Pa e pyetur fare: ku vajte? si ike? As malet as grykat nuk gjëmojnë si dikur Se jeta u zhvesh - u bë asht e lëkurë Ngazëllyeshëm e lozim vallen e uratës Pa vështruar djallëzitë e shtrigave të natës Mjaft u ngopem në rolin e spektatorit Pa e shijuar kurrë vetflijimin e aktorit Në fyt na ngulfati bloza e zezë futë Që çdo ditë e thithëm pa e hetuar kurrë Deshëm pa vetdije të mbështetemi për mur E pastaj të pyesim: si kështu? kur? Malet t’i bëjmë fusha e fushat të plleshme Rrjedhat e lumenjve mos të derdhen në dete Qiellin ta zbresim poshtë, ta puthisim me kokë Ndërsa Diellin me Hënë këtu pranë, në Tokë Yjet, pa një pa dy, t’i fshijmë me një gomë Natën ta shporim njëherë e gjithmonë Sall dritë të çiltër natyra do të sjellë Pa eropcione-bjeshka më s’do vjellë Përmbi gur e shkrepa, në pyje e rrafshinë Lart në qiell të payje, ku dhe nata mbet virgjinë U mpleks zëri në hapësirë dhe u tret diku në grykë Kot mundohesh ta kuptosh se u ngjir më parë në fyt S’bënë jehonë as fushamale siç nuk bëri jeta vet Ndali koha për t’u dukur ndonjëherë aty ku mbet Sot më kot kërkojmë Dritë kur ne vetë vendnumërojmë Jashtë bubullin - e ne brenda mugëtirës mbëltojmë Veç për një kafshatë goje vejmë e vijmë kohës sonë S’ka dyshim - vdes arti, vdes kultura - po kush rron?

Page 30: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

30

( Akti i dytë: SHTRËNGATA ) Se një zë rënkon, gjëmon, ushton në shkretëtirë As ndryshon as demarkon as buçet në të mirë Por shumë pisha që lartësohen permbi re Bëjnë oazën e së ardhmes - thurrin kurorën e re Robër fjalësh të pathëna dhe Judë shekujsh u bëmë Pa respekt për gjeografi, kurorën kokës vetë ia vëmë Nganjëherë vrasim mendjen pse filizat huqin pranverën Asnjëherë nuk pyesim veten: sa i ujitem dimrit a verës?! Zemrat janë përplot plagë që pikojnë si dje dhe sot Mos t’i ligjërojmë historisë se na mallkon për jetemot Na vizatuan, fotografuan në retrovizorin ndërkombëtar Këtej e tej Atlantikut, mbërthyer për kryqi mëkatar Vyshket bari i pranverës, humb gjelbërimi, vdes natyra Tetëdhjetenjëherë LAVDI revolucionit me shumë ngjyra Gurgullima sperkat çerdhen ku rritet Shqipja e kreshtës Freskon ballin e djersitur me verën e vreshtës Amanetin përkundin djepat, ndër ninula jeton i gjallë Asnjëherë mos të harrojmë se jemi NJË por të NDARË!

Page 31: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

31

( Akti i tretë: LOJA ME PRANVERËN ) Çdo pikë gjaku që qëndis kuqezi në palë flamuri Si medalon hijeshon krahërorin e çdo burri Fryma e fundit nuk del dot nga palca e tradhëtisë Por nga zjarri ndezur flakë kur japim besën e miqësisë Jo si qyqe, lebetitur, kulm mbi kulm të lëshojmë kukamë Se na mallkojnë dhe të tjerët, humbim fis edhe farë Megjithatë, ora ngec, ka defekt maje Olimpi Zbresin tufanët për të hyrë në kope - por koha iku Jeta del krejt e zhveshur, si paçavër e hedhur moti Të urrejmë pritjen! Drejt FITORES - na thotë Zoti! Më e mira ndër fitoret është çlirimi i shpirtit tonë Aq më parë kur zhuzhijnë tytat - qielli na ra mbi kokë Siç Lindim, ashtu vdesim - nokturno - në Dheun e Zi Ndalemi. Ecim. Ndalemi... Symbylltas hapërojme shtegut të ri Çdo fije bari, çdo luleborë, që stolis stinët e jetës Thurr gërshetë drejt altarit të së mirës, jo së keqës Ndër lugina e djerrina shiu i vëngër mbuloi shtratin Sikur fjala kur ndjek fjalën, bisht pas bishti - hap pas hapi Pa konvertime emocionesh që intruzohen në kutinë e trurit Jemi mbështetur ne për të - prapa nesh është vetëm muri Me instikt e konfuzion nuk na zgjidhet kurrë nyja Por me vetënjohje, largpamësi - jo veç njëra, por të dyja!

Shkurt '92

Page 32: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

32

Dostojevski në tryezën e sotme E ndrydhur thellë në bërthamën e zemrës Përpëlitet zvarrë gjurmëve të këngës së parë Acari siberian i ngrin majat e thembrës Por s’ndalet Natalia me ndërgjegje të vrarë. Së bashku drekuam një pasdite me shi Në tryezën e mbushur racion të gënjyer Ku ngritnin kokën Alosha Princi e Neli Me mbishkrim në ballë Të Poshtëruar e Të Fyer M’u duk njëherë se më sulmoi Bjelinski kritik Kur e rrëmbeva nga racioni gjellën me zor Mbështeti shuplakën mbi kopertinën në zgrip Mosni ju lutem, pikërisht Vëllezërit Karamazov! U sfidua atebotë kur lindi revolucioni Me dekada mjegullash, me pesë e gjashtë Më kot kërkoje porosinë e dorës së ngritur Në bustin e shtangur të Avenysë së Shtatë. I vrerët ishte qielli atë pasdite gushti Në gostinë me personazhet e përjetshme Që vetë ndezin zjarrin me gaca prushi Dhe vetë fikin dritat e jetës së rrejshme. Bronzi i tij kthjellur i përgjon motet Despotin e Carin sot si kurrë t’avancuar Pjellën karpatike përbindëshin që s’kotet Në tokën time të shenjtë - Krim i Padënuar. Eja të ngrejmë dolli në këtë ngulfatje tymi Si dje, kur mbillej farëzeza, ashtu edhe sot! Vitet shkuan e erdhën siç ishin, të mjera Nuk sollën gjë tjetër, veç flakë e barot! Maj' 92

Page 33: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

33

Zia e ditës Sot nuk gdhiu dita me kohë Dielli harroi t’ju bie këmbanave Dhe e thithi blozën e idhtë të mjegullës Pa çarë kokën për rrezet e dritës Shiu dhe rrëbeshi s’kanë të ndalur Në gjiun e tokës së ngirë me baltë I lutem Zeusit t’i bëj të fala Heliosit Të kthejë më në fund në tokën e nëmur Lugina e ferrit na i qiti sytë jashtë Thellë në greminën e djajve me shpatë Dhe lugetërit lirisht mbi koka na vallëzojnë Kohë mëngjesi është por gjelat s’këndojnë Pse na harrove Diell, ç’faj të kemi bërë? Amshimin na dhurove, zili mos na ke? Kur të lamë vetëm? Ti ne na le! Këtë ditënatë me mjegull, shi, shtrëngatë...

Page 34: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

34

A n t i t e z ë Një ditë mori udhë ta pështyjë veten por fryu era dhe i pështyu të tjerët E dinte mirë se gënjeshtra ekzistonte andaj e shpiku të vërtetën Përmes gënjeshtrës kishte ngritur pluhur sepse e vërteta s’u tha në kohë të duhur Pastaj kur e mori tërsëllimë tatëpjeta zbuloi se pak thuhen të vërtetat Dhe mbolli farën e gënjeshtrës për të mos e pështyrë vetveten

Page 35: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

35

Para ndërrimit të motmoteve Mos i cakëroni gotat sonte, o miq na ka mbetur edhe një pëllëmbë tokë që t'i mbështesim veshët për dhè për të dëgjuar trokun e kalit të bardhë na ka mbetur edhe një simfoni e qeshjes së madhe të shpirtit Mos e ngritni dollinë sonte, o miq se dasmën e kemi nesër Në rropamën e kujtimeve të këtij viti ujitur jemi me lotët e dhembjes krenare e ne të ngrejmë dolli?! ...mosni sonte, o miq! Mbrëmë ëndrrova agun e ditës së re gjithë natën e lume mbeta zgjuar nga gëzimi

Prizren, 31. Dhjetor '90

Page 36: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

36

“Dashuria është një lule që mbinë kudo, pa e mbjellur, dhe jo një lule e kultivuar në kopsht.”

Ippolito Nievo

Page 37: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

37

F E N I K S I H U M B U R

( E k l i p s ) Jetoj në shtjellën e spiraltë të inkubatorit krijues, ku edhe ajri është i okupuar. Pranvera ka kohë që mëton ta zbardh zymtësinë në horizont, që ka shpërthyer kaherë. Por, bardhësi nuk ka.. Çdo gjë është ngërthyer në paskajshmërinë e errur mes detit dhe qiellit. Aty ku vetëm pjella e mugëtirës mund ta bëjë folenë. Jeta megjithatë, lë gjurmët e veta damarëve të kohës. Edhe të djeshme, edhe të sotme. Bukuria mbetet e përjetshme vetëm nëse në të kanë mbetur të përjetshme gjurmët e buzëve të jetës. Si dëshmi e vetme e këngës injoruese të gjelit të parë: për një ag më të bardhë, më të ndritur. “O gjel i mëngjeseve të kobshme! Kur ti këndon, thonë se është afër dita… Sot e ndjeva zërin tënd!...”.

Page 38: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

38

Rrugëtimi i parë vertikal 1. (Lindja vertikale) Ajrin kur thitha s’pari sikur përbiva helmin Dhëmbë s’kisha ta përtypja dheun e shkriftë Saktësisht s’më kujtohet kur së pari lëshova zë Natyrës së mjegulluar në prehër ders iu bëra Padashje me shputa shkela sipërfaqen e zgjebosur Me sy vodha horizontin me pamje vertikale Sikur ta dija ninulën e bjeshkëve krenare Me ëndje do ta këndoja simfoninë e lindjes Por trashëgim s’e kisha as nga i pari as nga i mbrami Nuk ma mësoi gjyshi as stërgjyshi anatominë e artit Në margjinat e kohës vet e gjeta - i zhveshur fare Përcëllimi i diellit dhe vaji kumbues i bilbilit Vertikalisht më veshën në rroba vargu. . .

Page 39: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

39

2. (Metamorfoza Vertikale) Vertikalisht më veshën në rroba vargu Jo për të humbur por për t’u kthyer në vete Në labirinthin e origjinës sime kalova Gjersa rrahjet e shpirtit i kuptova si etje Si kurrë më parë këtë e ndjeva atëbotë Pa u kthyer në vete i shtrova gosti shpirtit Në piramidën e lashtë me mbishkrim Homeri Ku rritet tashmë dhe skifteri i anatemuar I kreshtave të shpërlara me lëngje limfatike S’di a vdesin klithmat e të uriturve ndjenjash Apo edhe ato mbijetojnë rënkimet e kohës ekliptike Për të falur mëkatet e hershme para Judës Ngaqë mallkimi për çdo ditë pëson metamorfozë Në mes saj dhe vertikales endet shpirti im 3. (Jeta vertikale) Në mes saj dhe vertikales endet shpirti im Del ditëpërditë për ta kërkuar veten Dhe gjithmonë zbulon diçka krejt tjetër Në pasqyrën e jetës autoportret zhubravitës Shqetësim, lemeri në damarët e mbushur pezm Rivalët më rrethuan me kamxhikë gladiatorësh Në vallen e tyre e futa veç trupin material Për ta hulumtuar galaktikën e jetës vertikale Njërën lëkurë e zhvesha dhe e hodha si zhangë Pasi u struka në strofullën e sigurt të artit

Page 40: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

40

4. (Dashuria vertikale) Pasi u struka në strofullën e sigurt të artit Dhe ndjeva freskinë e blertë të puhizës Tinëzisht përgjova miklimin e frymëzimit Tek ma përshkonte organizmin e dehur heshtjesh Tash vras mendjen për rrugëtimin tim të parë Ku hasa në pjerrtësinë e rrugës vertikale Ku pasha besën e pasha nderin më pruri dashuria Jo Afërdita e Dionës as Adonisi i Mirrës Por kumbimi i vargut dhe arti i shpirtit Presim dhe kurorëzimin në rilindje a gjetkë Në përcëllimin e diellit dhe vajin e bilbilit Në gurgullimin e gurrës dhe frymimin e natyrës Në lumin e kuq që rrjedh tremijë e sa vjet Ku me pamje vizuele shoh siluetën time. . . Si duket i rashë në gjurmë rrugëtimit tim të parë Gati u ktheva në vete pa u kurorëzuar akoma

Page 41: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

41

5. (Dënesje vertikale) Gati u ktheva në vete pa u kurorëzuar akoma Kudo shtegtova - deri në palcën e misterit arrita Pa zbuluar asgjë të re veç gjurmë të reja lash Që reliktet e kohës të jenë modele baladash Për jehonën e Zanave të Parajsës së nesërme Nuk është lehtë të dënesesh mbi relikte Në këtë rrugëtim të pakrye e plot zbrazëti Dhe të presësh kurorëzimin e materjes me inspirim Pa dashur thith frytin e epsheve shpirtërore E ndez zjarre e zjarre në çerdhen e këngës Për t’i ikur mallkimit me dënesje vertikale Vazhdoj prandaj rrugëtimin tim të parë Vertikalisht të flas zemër me zemër gojë me gojë Gjersa hija e vdekjes e përmort trupin 6. (Vdekja vertikale) Gjersa hija e vdekjes e përmort trupin Jam ëndërr futur nën qepallat e rënduara E kujtoj nisjen time vertikale Për t’ju gostitur me vargje e vargje E kujtoj rrugëtimin tim të parë Për të arritur në togun e xixave hyjnore E kujtoj ajrin e arsenosur në thithjen e parë Për ta zbërthyer simfoninë e të qenit gjallë E kujtoj horizontin me pamje vertikale Që vertikalisht të ec edhe përtej jetës E kujtoj. . . e kujtoj. . . e kujtoj. . . Të kaluarën e stuhishme me peizazhe vjeshte

Page 42: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

42

7. (Amshimi vertikal) Ajrin kur thitha s’pari sikur përbiva helmin Dhëmbë s’kisha ta përtypja dheun e shkriftë Përcëllimi i diellit dhe vaji kumbues i bilbilit Vertikalisht më veshën në rroba vargu Ngaqë mallkimi për çdo ditë pëson metamorfozë Në mes saj dhe vertikales endet shpirti im Njërën lëkurë e zhvesha dhe e hodha si zhangë Pasi u struka në strofullën e sigurt të artit Si duket i rashë në gjurmë rrugëtimit tim të parë Gati u ktheva në vete pa u kurorëzuar akoma Vertikalisht të flas zemër me zemër gojë me gojë Gjersa hija e vdekjes e përmort trupin tim E kujtoj. . . e kujtoj. . . e kujtoj. . . Të kaluarën e stuhishme me peizazhe vjeshte Për t'i ngelur besnik Diellit Bilbilit Artit Si dje si sot edhe nesër Gnothi Seauton

Prizren, Tetor '91

Page 43: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

43

Feniks i humbur endacak i verbër ndër djerrina mitesh strukur në andralla vorbullës së kohës as klithmën e parë pa kuptuar kurrë në ç’kohë e ç’vend e shënoi natyra cili është shtegu, a ekziston Itaka a ka lindja emër apo asgjë nuk lindi mbase u shfaq diku dhe dikur qëmoti nëse vërtet lindi shpirti i Feniksit kur do të vdes Jeta kur do të vdes Toka rrugët janë të ngushta dhe pa trotuarë në oazën e vetënjohjes të gjitha nuk shpiejnë veç dy kthesa has - e treta jam vet ku më vajti ora ta lexoj kujtesën dhe ashtu suptil të kthehem në ëndërr në një tjetër kohë në një tjetër jetë ku s’do të jam i humbur as pa koordinatë dhe çdo çast do të ndihem sikur në Itakë

Page 44: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

44

Lind me vdekje Duke parë pa sy Duke dëgjuar pa veshë Duke nuhatur pa hundë Duke folur pa gojë Duke ecur pa këmbë Duke shkruar pa duar Vdes çdo ditë nën dallgë Dhe çdo ditë kthehem në jetë Sepse në dashuri Ka fare pak dallim Në mes vajit dhe këngës Në mes jetës dhe vdekjes

Page 45: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

45

Protestë moderne (njeriut që akoma s’ka ardhur në jetë) Fjalisë ndoshta nuk do t’i vësh pikë siç i vumë ne këlthitje, dje e sot, a do ta ndalësh vajin tonë triptik apo imazhit të vrazhdë do t’i japësh hov? Fytyrën komike a do t’ia falësh pasqyrës siç ia falëm ne, Narcisë të shëmtuar? Po pluhurin syve, në mëshirë të mënxyrës do ta lësh si ne, Ciklopë të verbuar? Zërin e ndërgjegjes, a do ta bartësh prore apo do ta lësh të humbur në shkretëtirë? Ahengjet, dëfrimet, akoma humbje kohe do të duken katarsë, që shpiejnë në mugëtirë? Në konjukturën e kalbur, a do fshehesh si ne, o imzot, me imagjinatë të trishtuar? Dialogun e marrë, në Sinaj do ta shpikësh për t’u dukur zhgëndërr, ëndrra e trilluar?! Thinjat e kokës, a do t’i miklojë brenga për një kokërr kripë, për një kafshatë jetë, apo edhe ty do të lëngojë zemra për një çikë nder, për një çikë respekt?

Page 46: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

46

I përbaltur, i përjargur, a do të dukesh, në bërrakën e turbullt a do të pëlcet, apo në urnën e hirtë do të strukesh, pa lënë gjurmë, hi do bëhesh vet? Në obsesion jetë, a do sillesh vërdallë siç u sollëm ne, labirintheve plot frikë, apo çdo gjë, do të duket përrallë larg së vërtetës, mbërthyer në patetikë? Koleksionin e relikteve, a do ta lësh të qetë apo do ta shtosh për një ekzemplar? Dafrunga Hyjnore, a do thurrësh përjetë, apo, si ne, do shqyesh kalendarë? Si do ta pagëzosh epitafin e mikut tënd: me një varg, një fjalë, një shkronjë. . . ? Si do ta rimosh porosinë e gjallimit, si do ta mbyllësh të djeshmen në gëzhojë? Çdo të thuash për ne, ç’fjalë do të kesh, vetëm se lindëm dhe vdiqëm njeherë? Apo do të dhimbset ditari ta shkruash një rresht, në sirtarët e harresës, do t’na lësh përherë?!

Page 47: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

47

Koha në eklips Strukur ishte shpirti, së pari në mineral, Veshur dikur natyra, përdhunshëm pa gjelbërim, Shihja vegimin e ëndrrës ngarkuar mbi funeral, Frymëmarrjen e tokës përgjoja, thellësive oshëtimë. Koha sakaq zhdukej, hapësira zihej në zgrip, Rilindem për së dyti, natyrën gjej në eklips. Ngritur jam befasisht në kërcellin e një bime, Stolisur filizash, aromë Flore fund e krye, Rrënjët përgjojnë tokën, si dielli kurorën time, Gjersa u vyshk njëherë dhe më nuk u kthye. Koha sakaq zhdukej, hapësira zihej në zgrip, Rilindem për së treti, natyra sërish eklips. Përdredhur brenda shakullinës, spirales sillem vet, Trupi mish e kockë i humbur pa origjinë, Gërrithje ethe kafshësh në botën që sot i përket, Në sipërfaqe mbërrive, në qiell kur do mbërrin? Koha sërish vajti, hapësira mbeti në zgrip, Ngjallem për së katërti, s’shoh gjë veç eklips. Mbyllur në kafazin me prush zemre të ndezur, Flakën e kësaj jete me shpirt njeriu e mbaj në gji, Mos e ngjall urrejtjen se të dua heshtur, Gjurmo përreth vetes, kërko pak NJERI! E nxirë shfaqet jeta kur ngrysesh në bimë, Kur zhvesh ligësitë nga mëtimi i lumturisë, Vdes e ngjallem pa hequr vellon e dashurisë, Gërshetë për ta thurur himnin e LIRISË. Udhëtim botërash përshkuam, si unë edhe ti, Një emër tani kemi, do mbesim gjithmonë NJERI? E sotmja rrokullis çdo gjë, e nesërmja trajtën jep, Jo siç duam ne, por siç e ke gdhendur vet! Koha pres të tretet, hapësira të zihet në zgrip A do arrij në qiell apo do mbes përjetë eklips?

Page 48: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

48

Pesimistit

Kur sëmuret jeta nga melankolia shpresën mos e humb për shërim

se do mbetesh i verbër jo nga pleqëria

T’i hidhesh territ në qafë duhet për t’ia zënë frymën heshtjes

se ashti i guximit në shpresë ruhet ku ruhet dhe ilaçi i shërimit të vetvetes

Page 49: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

49

Optimistit

Nëse të pyes për vdekjen do t’më thuash jam i pavdekshëm

Nesër menatë, do të vishet natyra

me gjethet e blerta të stinës së jetës

E në majen e kurorës solemne do të sfidohet statuja e figurës sate

Kur dritat fiken rrugëve të jetës

t’i ndezësh duhet dhe aty ku s’janë gjithmonë besnik i shpresës dhe besës

se që të dyja një kuptim kanë

Page 50: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

50

Në kapakët e guaskës Shtrihem i vetmuar diku në thellësi. I padefinuar, vetëm fosil i qenjes njerëzore. I gropuar diku pa dritë e pa ajër. Koha nuk ekziston. Fate të njëllojta me gjallesat e kësaj toke. Në kapilarët e zverdhur S’ka më adrenalinë. Prapa nesh sërish të njëjtit numra. Vështroj. I pafuqishëm ta ndryshoj ngurtësimin e natyrës së zbehur. Njërën valë e tërheq tjetra. Të gjitha së bashku - tallase të tëra. Pres derisa dikush t’m’i numërojë rrahjet e zemrës. Tik - taku i fundit ka çrregulluar ritmin. Netët e përjetshme ma shtangën trupin. U fikën dritat e fundit të ekzistencës. Prej shpirtit tim vetëm iluzionet bredhin në univers. Shenja e parë dhe e fundit që kam ekzistuar.

Page 51: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

51

Në natyrë materjet rrokullisen. E njëjta katastrofë edhe për alkiminë bashkëkohore. As sa një thua vazhdoi përpara. Po ku, ju lutem, ku më mbetën emocionet? Lëshomëni. Dua ta gjurmoj veten. Lërini ëndrrat dhe këngët e mia. Kthimi në Itakë është episodi i mbramë. Sërish do shtrihem diku në thellësi. Do mbes pa dritë, pa shpresë e pa ajër. Të tjerët le t’ma ndiejnë ritmin e çrregulluar derisa zemra t’më pushojë së rrahuri.

Page 52: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

52

Nokturno

"Si mund ta njohim vdekjen kur akoma s’e njohim jetën?" Konfuçi Lindja nuk lind vetëm sa për të lindur: lindja lind edhe për të jetuar. Jeta nuk jeton vetëm sa për të jetuar: jeta jeton edhe përtej jetës. Jeta e përtejme nuk banon në vdekje: lindja banon në jetë jeta banon në vdekje vdekja banon. . .

Page 53: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

53

Dielli në ferr asgjë më shumë se një stuhi, asgjë t’i shpërlaj djersët e ballit të mekur e rrëbeshi t’m’i marrë mëkatet e vobekëta që ta kryej në qetësi lutjen e fundit, o imzot në tempullin e të vuajturve ndjenjash asgjë më shumë se një çerdhe, asgjë ta ngroh shpirtin e mërdhirë nga ngricat e kësaj nate të mallkuar ndoshta buzëqeshja ime e mbramë do ta nxjerr diellin nga ferri i unit tim të trazuar asgjë më shumë se një zemër gjak, asgjë t’i ushqej damarët me curril shpresash e të përjargem plazmë në hundë e gojë derisa ta vjell duhamën e fundit mbi kufomën e eterikut tim që më rri lugat nën qepalla vetëm një grusht dhê, asgjë më shumë ta varros fjalën e lënë peng dhe ritualin e artit solemn të durimit pa kuptuar pse dielli banon në ferr vazhdoj pa pra ta përsëris duvanë e gdhirjes së mëngjesit o imzot!

Page 54: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

54

“E vërteta është si drita, ajo shkëlqen gjithmonë. Gënjeshtra, përkundrazi, është si perëndimi i diellit, i cili i zbukuron gjërat

vetëm për një çast.“

Albert Camus

Page 55: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

55

T E S T A M E N T

( Z g j i m i ) Përfundimisht, çdo ligjërim për artin poetik fillon me apologjinë e së vërtetës, të thënë a të pathënë, e përfundon me irealen misterioze, por jo gjithmonë të paprekshme dhe të pakuptueshme për kutinë tonë të vogël trurore. Për të mos ekzistuar absolutizimi i së paprekshmes por relativizimi i pasqyrimit subjektiv të realitetit objektiv, do të ndihmonte një pohim i E. Roterdamit: ”Njerëzve më tepër u pëlqen një gënjeshtër e hijshme se sa një e vërtetë e shëmtuar”. Pa e mbllaçitur fare hijeshinë e gënjeshtrës, por gjithmonë duke e zbërthyer dhe njohur shëmtinë e së vërtetës, tezën e njohur për njejësin e vetës së parë që ka zënë të mbijë në njeriun modern, do ta sublimonim deri në një ligjërim poetik të çiltër e të mirëfilltë ku do të dominonte shumësi i vetës së parë.

Page 56: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

56

As në tokë as në qiell Fërgëllimë në tokë Fërgëllimë në qiell Mbushu frymë thellë Mos u ngjit në diell Zgjidhe shtegun tënd Dil nga mjegulla shtjellë Nuk sheh se je peng? Merr frymë thellë, thellë. . . Buzëqeshjet e humbura Zbuloji, ku të vanë? Për pak frymë në ajër Shpirti ende të qanë! Mos u frikëso fare Frymë merr thellë Gjurmo përreth vetes Mos u struk në shpellë

Page 57: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

57

I lirë fluturo Kaltërsive - vet Si flutura në ajër Si peshku në det Ç’idhull kërkon lart? Ç’zot fshihet në qiell? Në tokë ke çka ke! Në ajër merr frymë thellë Çdo gjë që sheh e prek Që është e s’është e kotë Përbën jetën tënde Që jetove dje dhe sot Çdo gjë që ndien e (s’)kupton Që merr e s’merr vesh Përbën jetën tënde Që nesër do ta kesh Sa më larg tokës Mos u ngjit në qiell Harro se kush je Në ajër merr frymë thellë Ulqin, gusht ’93

Page 58: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

58

Poezi e reinkarnuar Në intermecon e përgjumur të brendisë mistike të shpirtit ishe strukur kushedi se kur mbuluar me pluhurin e urnës sime Rastësisht të zbulova mes simboleve të universit në transin posthipnotik Kur të shkruaja moti në prologun e antitezës së huajtur kapërcyell shfaqej Drama e Ndërdijes para dyqind apo treqind vitesh në vendin e kentaurëve të robëruar Sot papritmas m’u shfaqe në Alfa gjendjen e shpirtit vetëm sa për ta vërtetuar teoremën e ekzistencës së ripërtëritjes Dhe u fute sërish në lëmshin e ëndrrallave për t’u dukur në një tjetër kohë pas dyqind apo treqind vitesh

Page 59: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

59

Evolucioni i dashurisë Prej ëndrrës në ëndërr - mendimi Prej mendimit në mendim - fjala Prej fjalës në fjalë - vargu Prej vargut në varg - kënga Prej këngës në këngë - jeta Prej jetës në jetë - dashuria Prej dashurisë në dashuri - pavdekësia Prej pavdekësisë në pavdekësi - prap ëndrra E dashur! Kush na i vodhi ëndrrat?

Page 60: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

60

Ekstazë dashurie Të mendoja flokëverdhë me ballin e shpaluar, të mendoja syzezë me fytyrë të praruar. M’u shfaqe në ëndërr me një psherëtimë ndër buzë, flokëverdhë më dole zhgëndër syzezë, siç të doja unë. Njëmijëherë atë natë shkrova një emër në letër, dhe njëmijëherë të tjera psherëtita më vete: -Oh, Vale. . . Valdete! Atje ku dielli puth detin, atje ku hëna shkëlqen në muzg, atje ku yjet qiellin veshin, tek shëndrisje, të pashë unë. Si balerinë vallëzoje, si flutur krahëlehtë, mes turmës sikur kërkoje pamjen time - siluetë. Kur më humbe nga syri në zemër më lëndove, si ngushëllim pastaj tog xixash lëshove. S'të kuptova pse vajte në vend pse më stepe? -Oh, Vale. . . Valdete!

Page 61: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

61

Në tingujt e kitarës që thurrin serenadën, në puhinë që sjellin valët erdhe bashkë me promenadën. Në fluturim mjellmash krahët t’i dallova, miklimin tënd ndjeva në prehër qetas pushova. Nganjëherë të shoh mes nimfash në strofullën hyjnore, nganjëherë e Bukur e Dheut si në botën përrallore. Herë m’u shfaqe herë m’u trete, po ti prap në mua mbete: -Oh, Vale. . . Valdete! Në njollën e kuqe të qershisë që ta spërkati buzën njëherë, zbulova sekretin e dashurisë dhe pamjen tënde pranverë. Në shushurimën e gjetheve të blerta rrahjet tua, ndjeva, në zemrën time, në freskinë e puhizave të mëngjesta me ty: ndër ëndrra, ndër vegime. . . Më beko me gjuhën e Doruntinës, më mbaj në gji me mallin e Angjelinës, prore më vështro me sytë e Dalilës, forcë e dritë më dhuro, me Besën e Hajries, më shoqëro në Parajsë me duart e Beatriçes, në amshim ta ndiej zërin e Euridikës! Se unë s’do praj as sonte ta shuaj këtë zemër të ndezur, por do flas, e do flas. . . më vete: -Të dua, Vale. . . Valdete!

Page 62: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

62

Gjysmëndërr Nuk më kujtohet në isha fjetur a zgjuar Nuk e di në ç’kohë e ç’vend isha strukur Desha vetëm ta zhgaravis emrin tënd në njëmijë ekzemplarë ulur në karrigen e thurrur me vargje Mbi tavolinë sall një tufë mimozash dhe një letër e bardhë e formatit A-4 Të vura re nga dritarja e hapur dykrahëshe tek afroheshe me shpatë ndër dhëmbë Nuk bëzava Ndjeva vetëm forcën e shpirtit dhe një klithmë nga brenda: Shkruaj! Ti s’munde të më vrasësh as dje as sot as nesër që kur u betova në dashurinë e fjalës së shkruar Në fund e hapa Kutinë e Pandorës dëshmitarë më kishin mbetur vetëm lapsi pa ngjyrë dhe letra e zhubravitur e formatit A-4

Page 63: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

63

Mbetëm të vetëm Vitet qenë plot ëndrra në zemër mbanim një diell por sot mbetëm të vetëm -emri im i vjetër dhe unë! Mëngjeset qenë të freskëta muzgjet e ngrohta ngjyra ari Në turma njerëzish gjithmonë të kam njohur kur edhe dritave të korzos lamtumirë u thashë për të mbetur sot në vetmi -emri im i vjetër dhe unë! Vitet qenë plot çudira zemrat mbushur egzaltime Gëzimet që kurrë nuk harrohen enden mbi prizmat e shkollës aty ku përherë është tretur rinia ime e parë. . . E sot mbetëm të vetëm -emri im i vjetër dhe unë! Vitet qenë plot ëndrra në zemër mbanim një diell por sot mbetëm të vetëm -emri im i vjetër dhe unë! Zenicë, maj '88

Page 64: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

64

Fundi i kohës Në djepin e jetës Përkundemi ninulë Symbylltas parakalojmë Shtegut të paqenë Pa arritur të zbulojmë Zërin tonë të humbur Kthejmë kokat pas shpine Një rreth kemi bërë Edhepse pas vetes Dekada kemi lënë Askush të na tregojë Askush të na rrëfejë Kur t’ia fillojmë Vrapit Solemn të vetnjohjes Të harbisur me duar kah dielli Për ta futur në gji një ditë Pa kuptuar se ai ka perënduar Symbylltas i kthehemi djepit Dhe letrës së zhvirgjër Që gjithmonë na mbetet në gjysmë Fundi erdhi - koha shkoi Më duket se më mbet Edhe diçka pa thënë

Page 65: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

65

Testament

Pas perëndimit të Diellit Dhe lindjes së tij gjetkë Ma ruaj të vërtetën. Të vërtetën mes vargjesh strukur, ma ruaj! Mbështjellur me çefinin e ngirë me vdekje. Pas vyshkjes së dafinave Dhe lulëzimit të tyre në pranverë Ma ruaj blerimin. Blerimin e mbushur aromë, në njomësinë e fytyrës, ma ruaj! Vetëm kështu do ta ndiej bekimin e vargjeve. Pas vdekjes më shkruaj, të lutem Një letër të shkurtër - sa jeta Dhe më trego a vdiset apo jetohet i vdekur. Më shkruaj për librin tim të parë Për ngjyrat e ylberit, më shkruaj. . . Në letër: pak fjalë. Ti e di mirë. Fjalët e shumta përfundojnë në hiç Në hiç, dhe heshtjet e pafund. Më shkruaj për shirat e vjeshtës Dhe vetëm: si jetohet në vdekje. Më prit një ditë. Do të vij. Për ty do të jetë ëndërr. Dhe porosi: Djepin që do të të përkund në amshim Gjeje në këtë botë. Më prit. Do të jetë mesnatë. Më shkruaj shkurt - sa jeta Për librin tim të parë. Mos griset? Dhe më trego si vdiset i gjallë Në daç të kuptosh Si jetohet i vdekur.

Page 66: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

66

PËRMBAJTJA

Odë përjetësie, 3

KRONIKË ANONIME (Somnulenca), 5

Renditja nuk ka rëndësi, 6 Himni i poezisë, 7

Kronikë anonime, 9 Pritje, 10

Bisedë e papritur me bustin, 11 Fluturimi i mjellmës, 12

Njerëzit në peshojën e jetës 1.(pësimi i pafajshëm), 13

2.(bota e dashurisë), 14 Kulla a Babilonit, 15 Vargje pa adresë, 16

KAFKA NË ITAKË (Katalepsia), 18

Përshëndetje, 19 Nata mbi Rajnë, 20 Vallja e vdekjes, 21

Antinjeri, 22 Simfonia e natës më të gjatë, 23

Kafka në Itakë, 25 Sekreti, 26

Robëria, 27 Peizazh Kosove, 28

Zgjimi ne tri akte (akti i pare: Bubullima), 29 (akti i dytë: Shtrëngata), 30

(akti i tretë: Loja me pranverën), 31 Dostojevski në tryezën e sotme, 32

Zia e ditës, 33

Page 67: Vellimi poetik "Koha ne eklips"

67

Antitezë, 34 Para ndërrimit të motmoteve, 35

FENIKS I HUMBUR (eklips), 37

Rrugëtimi i parë vertikal 1.(Lindja vertikale), 38

2.(Metamorfoza vertikale), 39 3.(Jeta vertikale), 39

4.(Dashuria vertikale), 40 5.(Dënesja vertikale), 41 6.(Vdekja vertikale), 41

7.(Amshimi vertikal), 42 Feniks i humbur, 43

Protestë moderne, 45 Koha në eklips, 47

Pesimistit, 48 Optimistit, 49

Në kapakët e guaskës, 50 Nokturno, 52

Dielli në ferr, 53

TESTAMENT (zgjimi), 55 As në tokë as në qiell, 56

Poezi e reinkarnuar, 58 Evolucioni i dashurisë, 59

Ekstazë dashurie, 60 Gjysmëndërr, 62

Mbetëm të vetëm, 63 Fundi i kohës, 64

Testament, 65 Përmbajtja, 66