republika e shqipËrisË kuvendi...milva ekonomi – faleminderit! a ka pyetje të tjera? nuk shikoj...
Post on 07-Nov-2020
9 Views
Preview:
TRANSCRIPT
1
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
Komisioni për Ekonominë dhe Financat
PROCESVERBAL
Tiranë, më 23.10.2020, ora 11:00
Drejton mbledhjen:
Milva Ekonomi– kryetare e Komisionit
Rendi i ditës:
1. Miratimi i procesverbaleve për mbledhjet e Komisionit për Ekonominë dhe
Financat datë 19 dhe 20 tetor 2020.
2. Miratimi i projektkalendarit të veçantë për shqyrtimin e Projektligjit “Për
buxhetin e vitit 2021”.
3. Shqyrtimi i projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së angazhimit
ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë përfaqësuar nga Ministria e
Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe Aleancës GAVI, për pjesëmarrjen në strukturën
globale të qasjes në vaksinat COVID-19”.
Marrin pjesë:
Milva Ekonomi, Arben Elezi, Xhevit Bushaj, Edlira Hyseni, Krenar Ryci, Antoneta
Dhima, Vullnet Sinaj, Blerina Gjylameti, Roland Xhelilaj, Anastas Angjeli, Korab Lita,
Senida Mesi, Ervin Bushati, Artur Roshi, Ylli Shehu, Reme Lala dhe Suzana Topi, Eljo
Hysko
Të ftuar:
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
1. Z. Albert Nikolla - zevendesminister
2
2. Znj. Gelardina Prodani - Sekretar I Pergjithshem
3. Dr. Albana Fico - Drejtor i Institutit te Shendetetit Publik
Ministria e Financave dhe Ekonomise
1. Z. Gentian Opre - Drejtori i Analizës dhe Programimit Buxhetor
3
HAPET MBLEDHJA
Milva Ekonomi – Mirëmëngjesi të gjithëve!
Jemi gati për të filluar mbledhjen e radhës së Komisionit për Ekonominë dhe Financat
dhe siç jeni njoftuar në postën tuaj elektronike, mbledhja e sotme ka tri çështje në rendin e
ditës:
Miratimin e procesverbaleve për mbledhjet e Komisionit për Ekonominë dhe Financat
me datat 19 dhe 20 tetor 2020, miratimi i projektkalendarit te veçantë për shqyrtimin e
Projektligjit “Për buxhetin e vitit 2021” dhe shqyrtimi i projektligjit “Për ratifikimin e
marrëveshjes së angazhimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë
përfaqësuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe Aleancës GAVI, për
pjesëmarrjen në strukturën globale të qasjes në vaksinat COVID-19”.
Për të diskutuar për këtë çështje ne kemi të ftuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe
Mbrojtjes Sociale, zotin Albert Nikolla, zëvendësministër, zonjën Gelardina Prodani,
sekretare e Përgjithshme dhe doktoreshë Albana Fico, Drejtoreshë e Institutit të Shëndetit
Publik, nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë kemi të ftuar zotin Gentian Opre, drejtori i
Analizës dhe Programimit Buxhetor.
Përpara se të kalojmë në diskutime unë dua t’ju them që relatore për këtë projektligj
jam unë dhe dua të bëj edhe një apel të pranisë: Milva Ekonomi, zoti Arben Elezi, Anastas
Angjeli, zonja Antoneta Dhima u lidh me ne, zonja Blerina Gjylameti, zoti Ervin Bushati,
zoti Roland Xhelilaj, zoti Xhevit Bushaj, zonja Reme Lala, zonja Senida Mesi nuk është
lidhur akoma, zoti Eljo Hysko nuk është lidhur akoma, zoti Vullnet Sinaj, zonja Edlira
Hyseni, zoti Krenar Ryçi nuk është lidhur akoma...
Është Krenari? Faleminderit Krenar!
Zoti Korab Lita, zoti Artur Roshi, zoti Ylli Shehu dhe zonja Suzana Topi. Domethënë
nga 18 veta janë të pranishëm 16.
Kush është dakord me miratimin e procesverbaleve?
I keni bërë vëzhgimet?
Dakord faleminderit!
Tani kalojmë te shqyrtimi i kalendarit të veçantë për projektligjin “Për buxhetin e
vitit 2021”. Ju e keni marrë të gjithë në postën tuaj elektronike, ky kalendar i veçantë kërkon
shumë angazhim, e para për të lexuar dokumentin voluminoz të buxhetit, e dyta për të qenë të
pranishëm në të gjitha takimet. Po ta keni vënë re kalendari ndahet në dy pjesë: në diskutimin
4
në parim, që ka një datë për t’u diskutuar në seancë plenare, dhe në diskutimin nen për nen,
që ka një datë tjetër.
I gjithë procesi përfundon më 3 dhjetor të këtij viti, prandaj do të doja shumë
angazhimin tuaj në diskutimin e projektbuxhetit, por njëkohësisht edhe një miratim të këtij
kalendari. Po ta keni venë re në kalendar ka dy momente që kërkohet prani fizike në
ambientet e Kuvendit.
Ditën e parë, kur zonja Denaj do të bëjë prezantimin e projektbuxhetit për komisionin,
ne do të jemi të gjithë te salla e grupeve në katin e katërt dhe ditën që do të kemi të ftuar
Guvernatorin e BSH-së kemi lënë që të zhvillojmë një takim fizik. Takimet e tjera do të
zhvillohen online për komisionin. Edhe kjo ju është bërë me dijeni në kalendar. Ndërkohë ka
një propozim paraprak që në kalendar të akomodojmë edhe dëgjesat për pushtetin vendor të
kërkuar nga zoti Roshi dhe zonja Hyseni, kështu që shumë shpejt do t’ju jepet një propozim
për një datë në kalendar.
A ka të tjera diskutime për projektkalendarin e veçantë?
Zoti Roshi, hapeni mikrofonin, ju lutem!
Artur Roshi – Jam dakord për mënyrën se si do ta organizojmë vetëm se kur të vijmë
te pjesa e dytë e kalendarit, që kemi të bëjmë me politikat sektoriale, do të ishte mirë të ishim
të pranishëm fizikisht në shumicën e mbledhjeve në Kuvend, sepse them që është shumë e
rëndësishme pjesa e dytë, jo për pjesën parimore.
Milva Ekonomi – Jam dakord me propozimin që bëtë, ta lëmë ta diskutojmë rast pas
rasti dhe të marrim një vendim, ndërkohë do t’i bëjmë më dijeni shërbimet e Kuvendit që do
të kemi nevojë për sallë, pra ta themi që tani, pastaj do të marrim vendime rast pas rasti.
A jeni dakord me projektkalendarin me këtë ndryshim që bëmë për të shtuar pushtetin
vendor?
Miratohet, se nuk shoh asnjë dorë kundër për këtë.
Faleminderit shumë!
Tani kalojmë te shqyrtimi i projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së angazhimit
ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë përfaqësuar nga Ministria e
Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe Aleancës GAVI, për pjesëmarrjen në strukturën
globale të qasjes në vaksinat COVID-19”.
Si fillim do t’ia kaloj fjalën Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Nuk e di kush do të flasë, zoti Nikolla, apo zonja Prodani.
Mirë se keni ardhur!
Zonjën Albana Fico nuk e shoh të lidhur me ne, prandaj ju drejtohem juve.
5
Albert Nikolla - Po them unë dy fjalë.
Zonja kryetare, ju përshëndes shumë, përshëndes edhe zonjat e nderuara, zonjën
Hyseni, zonjën Topi, zonjën Dhima dhe të gjithë zotërinjtë e nderuar të pranishëm!
Kjo përpjekje e qeverisë shqiptare për t’u futur në lidhjen e një projekti tashmë
europian, bashkëngjitur asaj të OBSH-së, është për mendimin tim një veprim politik
jashtëzakonisht pozitiv dhe interesant, por që ka edhe një ngarkesë të fortë morale nga
pikëpamja politike, sepse futet në atë përpjekje, që e bënë pararendëse dhe parashikuese
punën për qasjen ndaj vaksinës në momentin kur i gjithë itinerari shkencor do të jetë i
përfunduar edhe në fazën e tretë të testimit të vaksinave. Shumica e vendeve të Komisionit
Europian janë përfshirë në këtë marrëveshje, jo vetëm janë përfshirë, por kanë edhe shifra të
konsiderueshme në mbështetje për kompaninë farmaceutike në mënyrë që kjo vaksinë të dalë
sa më shpejt dhe të jetë sa më e efektshme nga pikëpamja shkencore. Për këtë arsye mendoj
se t’i paraprish një gjëje të tillë duke bërë një marrëveshje në momentin kur vaksina të jetë e
efektshme dhe do të dalë, do të thotë që ti përkujdesesh shumë për shëndetin e njerëzve të tu,
të atyre që janë më vulnerabël. Kjo vaksinë, në këtë masë që do të jetë, do të shkojë direkt për
personat më vulnerabël, për ata që janë në linjën e parë të luftës kundër COVID-19, si
mjekët, apo infermierët dhe të gjithë personat, të cilët janë në kontakt me publikun, persona
që janë në shërbim të shtetit shqiptar. Për këtë arsye mendoj që, dhe do t’ju ftoja ta shohim
me një sy dhe qasje mjaft pozitive këtë marrëveshje.
Për sa i përket anës teknike, zonja Geraldina Prodani, sekretare e Përgjithshme, ka një
përgatitje të përkryer për sa i përket çështjes teknike, sepse i ka ndjekur që nga fillimi i
COVID-19 të gjitha kontaktet që janë bërë për sa i përket kësaj çështjeje.
Ju falënderoj edhe për praninë këtu, sepse vetë prania juaj dëshmon edhe
përkushtimin, që keni ndaj një gjëje të tillë!
Faleminderit shumë!
Milva Ekonomi – Faleminderit, zoti Nikolla!
Zonja Prodani.
Geraldina Prodani – Përshëndetje!
Kënaqësi të jem në Komisionin e Ekonomisë.
Në fakt, GAVI është një nga aleatët ndërkombëtarë, i cili e udhëheq këtë marrëveshje,
kjo është arsyeja që Ministria e Shëndetësisë, miratuar nga qeveria, nënshkruan këtë
marrëveshje me GAVI-n. Instrumenti që përdoret në këtë rast është COVAX Facility, është
një instrument i përdorur nga OBSH-ja, nga BE-ja, nga vende të zhvilluara si Franca dhe
Anglia, të cilat u bëjnë thirrje vendeve anëtare, por edhe vendeve të vogla, për të qenë pjesë e
6
kësaj marrëveshjeje. COVAX Facility nuk merr përsipër vetëm prokurimin e vaksinës, ai
merr përsipër që në kërkim, është pjesë me të gjitha kompanitë jo fitimprurëse, fitimprurëse,
bashkohen shtetet, bashkohen shkencëtarët për të kërkuar dhe për të nxjerrë vaksinën
COVID-19, që më vonë ta certifikojnë dhe më pas ta sigurojnë atë nëpërmjet kontraktimit të
drejtpërdrejtë, që do t’i bëhet kompanisë, e cila do të zbulojë vaksinën. Pikërisht kjo heq
hallkat e ndërmjetme, që do të na sigurojnë që të kemi një vlerë financiare të vaksinës me një
kosto sa më të ulët.
Nga ana tjetër, duke pasur një kërkesë mbarëglobale në një sasi prej 2 miliardë
vaksina, edhe nëse nuk do të jemi pjesë e kësaj marrëveshjeje, do ta kemi shumë të vështirë
për të aksesuar vaksinën. Kjo është arsyeja që Shqipëria duhet patjetër të bëhet pjesë e kësaj
marrëveshjeje, me qëllim që të aksesojmë vaksinën në të njëjtën kohë me shumë vende që do
të jenë pjesë e kësaj e vaksine, që do ta kenë atë. Vijmë me këtë marrëveshje duke siguruar
dhe duke kërkuar 20% të popullatës, vaksinimin ndaj COVID-19, por alternativa, që kemi
zgjedhur është një alternativë fleksibël, e cila nuk nga mban stick kësaj marrëveshjeje. Nëse
vaksina do të zbulohet nga një kompani farmaceutike, e cila nuk është pjesë e kësaj
marrëveshjeje, atëherë ne mund ta lëmë këtë dhe të shkojmë të marrëveshja tjetër. Megjithatë
OBSH-ja dhe së fundmi BB-ja, i janë bashkuar kësaj iniciative për të lehtësuar aksesimin e të
gjitha vendeve që nuk do të kenë mundësi për ta financuar vaksinën. Së fundmi edhe Anglia,
Franca dhe Gjermania janë bërë pjesë e kësaj iniciative.
Mendoj që me këtë pandemi globale të jesh pjesë e kësaj marrëveshjeje është e vetmja
mënyrë që të mund të aksesojmë vaksinën, është e vetmja mënyrë që të jemi dhe të sillemi
njësoj si vendet e tjera të zhvilluara europiane dhe jo vetëm.
Faleminderit!
Milva Ekonomi – Faleminderit!
Zoti Opre, a keni nevojë të shtoni diçka për efektet financiare të marrëveshjes?
Gentian Opre - Përshëndetje të gjithëve!
Ne, nga ana jonë, e kemi parë këtë projektmarrëveshje dhe jemi shprehur dakord,
sepse është në interesin e të gjithëve ne, që kjo të materializohet në praktikë. Për këtë qëllim
ne kemi alokuar fonde në buxhetin e vitit 2020, po ashtu edhe në projektbuxhetin e vitit 2021,
që është tashmë në Kuvend për shqyrtim, sikurse e përmendët edhe në fillim. Kështu që ne
jemi shprehur dakord me këtë projektmarrëveshje dhe nuk kemi pasur komente për të shtuar.
Faleminderit!
Milva Ekonomi – Unë do të shtoja disa fjala përpara se të kalojmë në pyetje si
relatore për këtë projektligj. Ky projektligj vjen nga Këshilli i Ministrave, propozohet nga
7
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për këtë gjë vjen në komisionin tonë, si
komision për dhënie mendimi, pasi përgjegjës është Komisioni i Shëndetësisë dhe bazohet në
Rregullore nga neni 32 deri në nenin 38. Gjithashtu duhet të tregojmë shkurtimisht se çfarë
është GAVI dhe çfarë është ky mekanizmi COVAX Facility, gjë që është shumë e
rëndësishme, pasi nëpërmjet kësaj aleance, ashtu siç e theksoi edhe zonja Prodani, por unë
dua të ritheksoj, që është aleanca GAVI, prokurimi i vaksinës bëhet nëpërmjet një
instrumenti që të jep një vaksinë të certifikuar, të sigurt dhe mënyra e prokurimit të vaksinës
nuk ka kosto shtesë për shtetin shqiptar. Mekanizmi është që një grup shtetesh aderojnë për të
marrë një vaksinë të certifikuar dhe të sigurt. Ky mekanizëm është gjithashtu i ndërtuar për të
bërë një shpërndarje të barabartë të vaksinës në të gjithë globin dhe të gjithë kandidatët, që
janë pjesë e kësaj marrëveshjeje, përfitojë në mënyrë të barabartë, domethënë ka një
shpërndarje demokratike të vaksinave që do të prodhohen.
Tani gjërat e tjera për sasinë e vaksinës dhe për mënyrën se si do të procedohet, zonja
Prodani i theksoi, mendohet të prodhohen rreth 2 miliardë vaksina në të gjithë botën dhe
Shqipëria do të përfitojë një pjesë të tyre, duke qenë në ndjekje të situatës së COVID-19, por
kjo marrëveshje ka një gjë shumë të rëndësishme: nëse nuk do të kesh nevojë për vaksinën
nuk të heq mundësinë të tërhiqesh nga marrëveshja.
Pastaj një gjë tjetër të rëndësishme, që e theksoi zoti Opre, janë pagesat e parave të
pakthyeshme që bëhen për të qenë anëtar i aleancës GAVI dhe për të përfituar nga ky
mekanizëm fleksibël, që është COVAX-i. Shqipëria e ka marrë parasysh këtë gjë, e ka futur
në buxhet dhe e ka përllogaritur edhe në buxhetin e vitit që vjen te shpenzimet e Ministrisë së
Shëndetësisë, e cila për ne ishte shumë e rëndësishme ta kishim në dëgjesë të personalizuar
në komisionin tonë si pjesë e një barre të madhe që ajo mban këtë vit për shpenzimet
buxhetore. Kështu që do ta vëmë re me shumë kujdes dhe do ta kemi parasysh që kjo kërkon
një mbështetje. Nga ana tjetër vetë projektligji, që kemi këtu përpara, ka në të vërtetë vetëm
dy nene, një nen, që parashikon fillimin e marrëveshjes dhe neni 2, që parashikon hyrjen në
fuqi. Pra vetë mënyra si është hartuar marrëveshja duket që është një marrëveshje kuadër,
Shqipëria aderon duke ratifikuar një marrëveshje, që ekziston edhe për vendet e tjera dhe kjo
është shumë e rëndësishme të thuhet, sepse është horizontale, prek shumë vende.
Vetë projektligji ka këto efekte financiare, që shkojnë në 3 milionë e 990 mijë dollarë
amerikanë dhe përbëhet nga pagesa paraprake e pakthyeshme dhe shuma e garancisë së
rrezikut. Këto të dyja janë të ndara në projektligj.
Megjithatë, duke ardhur projektligji këtu bashkë me marrëveshjen, do të doja të vija
në dijeni përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që jo të gjitha
8
shtesat, anekset e kontratës, janë depozituar në Kuvend. Mbase mund t’i keni sjellë dorazi,
mbase nuk i kemi në postën elektronike, por para se të shkojmë në seancë plenare do t’ju
lutesha shumë që marrëveshja të shoqërohet e gjitha me anekset dhe shtesat që ka, për të
ardhur në mënyrë zyrtare në Kuvend.
Ne, edhe para se të vinit ju, duke bërë një diskutim me kolegët në mënyrë informale,
mendonim se kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe sidomos fakti
që kemi GAVI-n, ku ndër vite kemi përfituar nga prezenca në këtë aleancë dhe për cilësinë e
vaksinave të tjera. Jemi shumë mirënjohës që ju po bëni përpjekje për të hyrë sërish në këtë
aleancë të shpërndarjes së vaksinave.
Unë do t’u lutesha kolegëve, në qoftë se dëshirojnë, t’u bëjnë pyetje përfaqësuesve të
Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe më pas të kalojmë në procesin e
miratimit.
Shikoj që Edlira ka ngritur dorën, gjithashtu, Suzana dhe Xheviti, të cilët kanë pyetje.
Do t’ju lutesha t’i dëgjonim të tria pyetjet dhe më pas t’ua jepnim fjalën
përfaqësuesve të ministrisë për t’u përgjigjur.
Zonja Hyseni, fjala është për ju.
Edlira Hyseni – Faleminderit, kryetare!
Milva Ekonomi – Artur...
Artur Roshi – Mund të flisni, kryetare. Urdhëroni! E desha fjalën, por mund të flas
pas Edlirës, nuk ka problem.
Milva Ekonomi- E kishte fjalën Edlira. Mbas Xhevitit do ta merrni ju fjalën.
Artur Roshi – Dakord.
Milva Ekonomi- Po, Edlira.
Edlira Hyseni – Faleminderit!
Pa dyshim që e mbështes dhe do të votoj pro këtij projektligji, ashtu sikurse besoj se
të gjithë kolegët e Komisionit të Ekonomisë, duke shpresuar të kontribuoj në një zgjidhje sa
më të shpejtë të situatës së pandemisë, me të cilën po përballemi të gjithë, një rrezik që na
kanoset në jetën e përditshme.
Unë kisha dy pyetje të shkurtra, duke përfituar nga rasti që dy përfaqësuesit e
Ministrisë së Shëndetësisë janë më shumë të informuar se ne dhe mund të kenë ndonjë
informacion më tepër.
Nëse më lejoni, do të doja të bëja një pyetje direkte: meqenëse kjo është një ndër
çështjet kryesore për të cilën të gjithë interesohemi të dimë, në lidhje me se sa afër jemi
gjetjes së vaksinës, a kemi një ide se kush është më afër apo sa e shpejtë mund të jetë koha
9
kur ne të kemi një përgjigje pozitive të gjetjes së vaksinës për virusin COVID, për të cilën ne
po flasim sot dhe do të jemi pjesë e kësaj marrëveshjeje që na kërkohet? Pra, a mund të themi
diçka më specifike ose një informacion, shpresoj pozitiv, në lidhje me kohën kur mund të
kemi një akses në këtë vaksinë? Kjo ishte pyetja e parë.
Pyetja e dytë. Si gjithmonë, unë jam kureshtare për elementet financiare, meqenëse
komisioni ynë për dhënie mendimi e prek më shumë atë argument. Ju thatë, kryetare, që ka
një vlerë financiare të aderimit në këtë marrëveshje, e cila më pas do të përkthehet në
përfitimin e vaksinës pa kosto nga shteti shqiptar. Me sa kuptova, ne jemi, le të themi, duke e
parapaguar këtë mundësi, sepse këto janë pagesa pa kthim. Nëse ne nuk do ta kemi vaksinën
apo do të aderojmë diku tjetër për aksesimin në një firmë tjetër, që nuk është pjesë e kësaj
marrëveshjeje, këto janë eventualitete që akoma nuk i dimë. Prandaj mbetet vlera rreth 4
milionë dollarë, siç ju thatë, që është kostoja e aderimit në këtë marrëveshje.
Do të doja të dija, se ju thatë që pagesat janë të herëpashershme apo vjetore, kjo është
kostoja totale apo është vetëm për një vit dhe pastaj...? Se ishin në dy buxhete të ndara, në
2020-n dhe në 2021-shin. Rreth 4 milionë dollarë është totali që parashikohet në këtë kosto
apo është e ndarë me pagesa që përsëriten?
Do të doja edhe ndonjë informacion për daljen e vaksinës.
Gjithsesi, vota ime është pro dhe shpresoj që të shërbejë për zgjidhjen e shpejtë të
situatës.
Ju faleminderit!
Milva Ekonomi – Dakord.
Të lutem, Suzana!
Suzana Topi- Përshëndetje të gjithëve!
Falënderoj relatoren dhe pjesëmarrësit!
Edhe unë e përshëndes këtë marrëveshje, gjithashtu, dhe e shikoj shumë të nevojshme
për vetë situatën në vendin tonë, por edhe në të gjithë globin.
Pyetja ime është: sasia që do të ofrohet nga kjo kompani, që do të mbulojë rreth 20%
të popullatës me dy doza, a do të jetë e mjaftueshme për të sëmurët që janë të prekur apo për
ata që do të preken dhe a do të ketë një klasifikim në targetgrup, për shembull, për
grupmoshat? Si do të jetë shpërndarja e kësaj vaksine?
Milva Ekonomi – Po, Xhevit.
Xhevit Bushaj – Faleminderit, kryetare!
Faleminderit edhe përfaqësuesve të Ministrisë së Shëndetësisë për të gjithë ekspozenë
që i bënë kësaj marrëveshjeje kaq të rëndësishme!
10
Kjo marrëveshje që ne diskutojmë sot tregon edhe një herë kujdesin e qeverisë
shqiptare për qytetarët e saj dhe e vlerësoj maksimalisht.
Pyetja ime është: Ministria e Shëndetësisë, duke qenë një dikaster përgjegjës dhe
primar për këtë marrëveshje dhe për këtë vaksinë, që ne presim të vijë për të na shpëtuar nga
kjo kolerë e madhe, që ka mbërthyer të gjithë globin, a ka marrë masa paraprake ose a ka
ndonjë projekt në drejtim të menaxhimit korrekt dhe sa më shpejt të kësaj situate, sa të jepet
arsyeja e shpërndarjes apo sinjali i shpërndarjes? Çfarë masash konkrete do të merren ose
janë përgatitur për t’u shpërndarë me sa më efikasitet kjo vaksinë?
Faleminderit!
Milva Ekonomi – Faleminderit!
A ka pyetje të tjera, para se t’ua jap fjalën përfaqësuesve?
Më fal, Artur!
Artur Roshi – Kryetare, sigurisht që të gjithë e vlerësojmë ardhjen e një vaksine sa
më shpejt dhe garantimin e një marrëveshjeje serioze, ku marrin pjesë ndoshta edhe shumë
vende më të zhvilluara se yni.
Interesi, përveç çështjes shëndetësore, që është një interes i popullatës shqiptare dhe të
gjithë janë të shqetësuar, është i atij që e prodhon dhe e tregton. Prandaj edhe kjo
marrëveshje është si garanci, që të mos mbivlerësojmë më shumë këtë pjesën e shëndetit dhe
të biznesit që është në treg. Kështu që në këtë kontekst pyetja ime është: si e garantojmë ne
çmimin më të lirë të vaksinës?
A ka marrëveshje të tjera ku ne mund të bëhemi pjesë? A keni parë tri apo 4
marrëveshje dhe pse zgjodhëm këtë? E zgjodhëm për shkak të garancive, po themi, sepse
këtu janë vendet që e vlerësojnë shumë cilësinë e jetës, si: Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
Gjermania, Anglia dhe vende të tjera apo thjesht ne pamë çmimin e vaksinës dhe jemi në një,
si të thuash, optimalitet të asaj që ne duam në raport me shëndetin dhe ekonominë e vendit?
Për ta bërë më precize, sa për qind e popullatës mbulohet nga marrëveshja e parë? Do
të jenë nga fonde të ndryshme apo me faza të ndryshme? Si do të jetë furnizimi?
Sa do të jetë i gjithë fondi? A ka një parashikim?
Përtej këtyre që kanë të bëjnë me vaksinën, sa është numri i shtresës më vulnerabël të
shoqërisë, duke parë shtresën e pensionistëve, të cilët janë më të prekshëm dhe, në njëfarë
mënyre, janë shtresa më vulnerabël përballë kësaj sëmundjeje? Sigurisht, janë mjekët, të cilët
janë në vijën e parë dhe duhen mbrojtur. Sa është numri, për të parë diferencën e vaksinës që
vjen me atë që ne kemi domosdoshmëri?
11
Pra, ne kemi porositur një domosdoshmëri atje apo kemi porositur aq sa kemi
mundësi të përfitojmë nga marrëveshja në mënyrë proporcionale me popullsinë? Jo thjesht në
mënyrë të barabartë, se nuk ma merr mendja që është në mënyrë të barabartë në shpërndarje
demografike. Kjo është ideja.
Faleminderit!
Sigurisht që votën time, në funksion të pyetjeve, do ta mendoj.
Milva Ekonomi – Faleminderit!
A ka pyetje të tjera?
Krenar, do të bësh një pyetje? Pastaj e ka fjalën Korabi.
Po, Krenar.
Krenar Rryçi – Faleminderit, kryetare!
I dëgjova me vëmendje kolegët deputetë dhe pyetjet që ata bënë për vaksinën. Edhe
unë, në fakt, e mbështes këtë nismë, sepse bëhet për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve
shqiptarë, ashtu siç edhe vendet e tjera kanë marrë masa për të mbrojtur vendin e tyre,
popullatën.
Në këtë kontekst, meqenëse deri tani vaksinat nuk kanë qenë të vlefshme, nuk e di,
nga çfarë grupi apo institucioni, se ne po merremi dhe po e sigurojmë këtë vaksinë, po e
marrim vaksinën? Ku është tregu i vaksinës? Se deri më sot ne nuk kemi një vaksinë të saktë
të prodhuar nga një institucion, që edhe ne të përqendrohemi, ta marrim dhe ta sigurojmë. Me
të drejtë, ministria ndoshta kërkon ta miratojë fondin dhe ta ketë, por deri tani nuk ka vaksinë.
Kaq kisha.
Milva Ekonomi – Pa dyshim që bota po shkon para drejt vaksinës, Krenar, dhe ne
jemi pjesë e përpjekjeve që bën mbarë globi. Nuk mund të thuash që nuk ka një vaksinë dhe
nuk dimë se çfarë të bëjmë. Ne po e luftojmë globalisht pandeminë. Kështu që edhe Shqipëria
është pjesë globale...
Krenar Rryçi – Kryetare, më vjen keq! Thashë që nuk ka një vaksinë të saktë.
Milva Ekonomi – Nuk ka fare vaksinë, por ndërkohë bota këtë gjë po bën, po shkon
drejt vaksinës, po kërkon ta zbulojë.
Krenar Rryçi – Po, pra, me të gjitha mjetet e tjera. Ne e kemi mposhtur COVID-in,
sepse nuk jemi si në rastin e parë kur filloi COVID-i.
Megjithatë, unë jam pro dhe e mbështes, por dua të di me çfarë institucionesh apo me
çfarë vendi që ka prodhuar vaksinën kemi lidhur një kontratë?
Milva Ekonomi – Korab, fjala është për ju.
Korab Lita – Faleminderit, zonja kryetare!
12
Përshëndetje të gjithëve!
Përshëndetje të ftuarve!
Parimisht unë jam dakord me nismën, me projektin.
Shumica e pyetjeve u bënë, unë nuk dua të zgjatem, por dua të bëj vetëm një pyetje
shumë të thjeshtë. Duke qenë se institucioni, i cili do të nxjerrë vaksinën, kërkon garanci,
sigurisht, në këndvështrimin e biznesit është krejt normale, në këtë funksion desha të dija sa
shtete të tjera e kanë realizuar apo e kanë nënshkruar para nesh këtë marrëveshje apo këtë
garanci, qoftë edhe financiare, siç është rasti konkret, me këtë kompani? Nëse ka, cilat janë
shtetet, të cilat e kanë nënshkruar para nesh?
Faleminderit!
Milva Ekonomi – Faleminderit!
A ka pyetje të tjera? Nuk shikoj duar të ngritura.
Doja t’ju bëja me dije aspektin financiar, që e kemi pjesë të relacionit.
Neta, më fal, ke pyetje?
Antoneta Dhima – Po.
Milva Ekonomi – Se e shikoj që je në chat dhe po shënon. Të lutem, mund të
vazhdosh me pyetjen?
Antoneta Dhima – Faleminderit, zonja kryetare!
Falënderoj përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Financave për
prezantimin e kësaj marrëveshjeje, një marrëveshje shumë e rëndësishme për problematikën
që po kalon vendi në kushtet e situatës me COVID-19 dhe, patjetër, vlerësoj edhe punën e
qeverisë, Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Financave në... (Nuk dëgjohet) e këtij
procesi shumë të rëndësishëm dhe...(Nuk dëgjohet)
Zoti Opre në fjalën e tij tha që ne, si ministri, kemi planifikuar fonde në 2020-n dhe
në 2021-shin.
Unë do të doja të doja nga zoti Opre, këto fonde, të cilat janë parashikuar ose janë
shpenzuar në vitin 2020, për çfarë janë shpenzuar? Patjetër që ne do të jemi në diskutim për
buxhetin e vitit 2021 dhe do të kemi informacionin e nevojshëm nëse është planifikuar apo jo
kjo marrëveshje dhe ky fond nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, pasi ajo është ministria
përgjegjëse për ta ndjekur dhe zbatuar këtë marrëveshje në vitin 2021.
Shumë faleminderit!
Milva Ekonomi – Faleminderit, zonja Dhima!
Dua të sqaroj se efektet financiare i kemi pjesë të dokumenteve që na kanë ardhur në
postën tonë elektronike. Vlera totale e kësaj marrëveshjeje, siç e përmendi edhe Edlira, është
13
3 999 000 dollarë amerikanë dhe përbëhet nga dy pagesa. Pagesa e parë, e cila është pagesa
paraprake e pakthyeshme, ka të bëjë me qenien pjesë e instrumentit COVAX Facility për
kërkimin e vaksinës, që është rreth tre milionë e gjysmë dollarë, kurse gjysmë milioni dollarë
është shuma e garancisë së ndarjes së rrezikut.
Të gjitha këto janë pjesë të caktuara në marrëveshje, të dhëna edhe në relacion, që
shoqërohen edhe me mënyrën se si tërhiqemi, si marrim pjesë apo si përfitojmë në anekset
shtesë. Të gjitha këto që janë pjesë e marrëveshjes duhet të depozitohen në Kuvend, ndaj i
kërkuam Ministrisë së Mbrojtjes Sociale dhe Shëndetësisë të na i sjellë.
Për sa u përket pyetjeve të tjera, si për shembull sa vende aderojnë, sa vende si
Shqipëria kanë marrë pjesë, çfarë situate kemi, e të tjera, unë i bëj thirrje Ministrisë së
Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, zotit Nikolla dhe zonjës Prodani, të na japin një përgjigje
për këtë gjë. Gjithashtu, edhe zotit Opre për pyetjet e tjera.
Zonja Prodani, zoti Nikolla, fjala është për ju.
Geraldina Prodani - Për sa u takon pyetjeve, unë do të mundohem t’u jap përgjigje
në mënyrë të përmbledhur, ndaj nëse harroj diçka, ju lutem më kujtoni.
Për sa i takon sasisë së dozave që ne kemi porositur dhe jemi bërë pjesë e kësaj
marrëveshjeje, ka një vendim të Komitetit Kombëtar të Imunizimit, i cili i rekomandon
Ministrisë së Shëndetësisë që duhet të jetë patjetër pjesë e kësaj marrëveshjeje për të siguruar
vaksinën kundër COVID-19. Ata rekomandojnë që duhet të vaksinohet 20% e popullsisë,
përqindje e njëjtë me atë çka sigurohet për vaksinën e gripit. Pra, është i njëjti target - grup që
merr vaksinën e gripit, si grupe të rrezikuara nga COVID-19, që në përgjithësi janë moshat e
treta dhe personeli mjekësor në të gjitha nivelet.
Për sa i përket pyetjes sa afër jemi gjetjes së vaksinës, e gjithë bota është në kërkim të
vaksinës. Nga mbledhjet e koordinuara nga Bashkimi Europian, dimë që ata janë akoma
duke punuar, kërkuar dhe bashkëpunuar me të gjitha firmat farmaceutike dhe laboratorët
shkencore në kërkim të vaksinës. Pikërisht ky instrument e mbulon edhe këtë pjesë. Është
duke plotësuar jo thjesht gjetjen e vaksinës, por kërkimin dhe mbështetjen e firmave
farmaceutike. Ne të gjithë e kuptojmë që kjo ndërmarrje jashtëzakonisht e madhe kërkon
shumë fonde nga pas për të gjetur dhe zhvilluar një vaksinë të tillë.
Për sa i takon angazhimit, angazhimi është me kosto financiare 3 999 000 dollarë.
Fondi i garancisë për të qenë pjesë e kësaj marrëveshje është 456 000 dollarë, kurse për të
marrë vaksinën është fondi prej 3 534 000 dollarë.
Për sa i përket pyetjes pse ne mendojmë që kjo është mënyra e duhur për të shkuar te
vaksina, duke qenë një strukturë ndërkombëtare, një mekanizëm i cili ka imponuar të gjithë
14
aktorët, duke hequr hallkat e tepërta, si dhe duke mobilizuar dhe kërkuar një sasi prej 2
miliardësh, kuptohet që edhe çmimi do të ketë një vlerë të racionalizuar sesa ne do ta gjenim
vetë, sepse janë mundësitë shumë të vogla për ta gjetur vetë kur pjesa globale kërkon 2
miliardë vaksina.
Për sa i përket pyetjes a ka thirrje të tjera Shqipëria përveç GAV-it, jo nuk kemi pasur
thirrje të tjera. GAV-i duket si marrëveshja dhe mobilizimi i duhur. Ashtu sikurse e thamë,
OBSH-ja, UNICEF-i janë të specializuara sidomos për vaksinat e gripit, që edhe na e kanë
siguruar këtë ekspertizë, por edhe të gjitha organizatat ndërkombëtare. Janë 90 vende që e
kanë nënshkruar këtë marrëveshje me COVAX Facility. Së fundmi këtë marrëveshje e ka
nënshkruar Britania e Madhe, por edhe Kina dhe një sërë vendesh të zhvilluara si Franca dhe
Gjermania, të cilat janë pjesë e marrëveshjes. Ne besojmë që kjo është dera e duhur për të
trokitur dhe për të siguruar vaksinën.
Për sa i takon shpërndarjes së vaksinës, ne kemi të gjithë instrumentin për ta bërë
këtë gjë. Ashtu siç e thashë, është e njëjta dozë që ne përdorim për vaksinat e gripit. Kemi të
gjitha strukturat dhe instrumentin për ta shpërndarë në kohë reale në momentin që vaksina
sigurohet.
Për sa u takon fondeve, që janë pjesë e buxhetit, fondi prej 456 000 dollarë është i
planifikuar në buxhetin e Ministrisë Shëndetësisë. Me ratifikimin e marrëveshjes në
parlament do të paguhet fatura financiare e marrëveshjes me këtë organizatë. Nga ana tjetër,
fonde të tjera për të siguruar vaksinën do të pjesë e buxhetit të vitit 2021.
Nuk e di nëse munda të jepja informacion për pyetjet.
Milva Ekonomi – Doni të shtoni diçka, zoti Opre?
Gentian Opre – Për t’ju përgjigjur pyetjes së zonjës Dhima, unë e thashë edhe në
fjalën time që fondet janë parashikuar në buxhetin e vitit 2020. Në buxhetin e vitit 2020 janë
bërë tre akte normative që kanë pasur në fokusin e tyre studimet për luftën antiCovid. Paratë
janë të deklaruara që janë brenda buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes
Sociale. Në këtë aspekt deklarova që këto fonde janë aty dhe për këtë qëllim janë parashikuar
më tutje edhe për vitin 2021.
Faleminderit!
Milva Ekonomi – Faleminderit!
Kolegë, jeni gati të kalojmë në votim? Jeni të qartë me përgjigjet e pyetjeve?
Artur Roshi – Kryetare, jemi të qartë, por kam edhe një pyetje. Bëhet fjalë për 20%
të popullsisë që jeton sot në Shqipëri apo të 20% e kombësisë shqiptare? Po të jetë për kaq sa
jetojnë sot, jemi shumë pak. Sa është përqindja? Pak edhe me humor kjo.
15
Milva Ekonomi – Sipas të dhënave zyrtare ne jemi dy milionë e tetëqind mijë banorë
rezidentë.
Suzana Topi – Do të jetë i njëjti kontingjent që përdoret për vaksinat kundër gripit,
por që do ta përdorin më shumë të moshuarit.
Roland Xhelilaj – Arturi do pak apo më shumë njerëz. Si e ka hallin?
Edlira Hyseni – Po Italia aderon kryetare, sepse ajo ka vështirësinë më të madhe me
situatën e pandemisë?
Milva Ekonomi – Duhet të pyesim Ministrinë e Shëndetësisë.
Geraldina Prodani – Vendet janë ende në proces negocimi dhe bisedimi. Ashtu
sikurse e thashë, Anglia sapo e ratifikoi marrëveshjen. Nga informacioni që kemi, janë 90
vende, por nuk e kam listën e detajuar se cilat janë.
Artur Roshi - Mjafton Kina për qeverinë.
Milva Ekonomi – Zoti Korab, doni të shtoni diçka apo...?
Artur Roshi – Geraldina, i ke marrë emrin mbretëreshës, por ...
Korab Lita - Për sa i përket numrit të vendeve që kanë marrë pjesë në këtë
marrëveshje dhe që zonja tha që janë 90, unë dua të di disa nga vendet dhe nëse ka apo jo
vende europiane që marrin pjesë.
Si efekt i përgjigjes kam edhe një pyetje tjetër. Cili është ndryshimi midis një shteti që
e nënshkruan paraprakisht këtë marrëveshje dhe një shteti që nuk do ta nënshkruajë, por që
më vonë do të bëhet blerës i kësaj vaksine? Vendi që e nënshkruan më përpara ka benefite në
lidhje me çmimin, me sasinë apo sigurinë? Në një farë mënyre ne po bllokojmë para për të
blerë diçka që nuk është zbuluar akoma dhe ndoshta një shtet tjetër që nuk i ka bllokuar ato
para e blen me të njëjtin çmim. Normalisht, ne që i bllokojmë këto para duhet të kemi disa
benefite.
Milva Ekonomi – Ju përgjigjet zonja Prodani.
Geraldina Prodani – Ashtu sikurse e thashë, ftesa ka ardhur nga Bashkimi Europian.
Vendet e zhvilluara të Bashkimit Europian janë pjesë e marrëveshjes. Janë 90 vende që e
kanë nënshkruar. Nuk e kam listën e detajuar, por mund t’ia kërkoj misionit tonë në Gjenevë
për të na dhënë një status se ku janë me çmimet e marrëveshjeve midis vendeve. Problem
është akoma procesi dinamik i nënshkrimit dhe miratimit të vendeve nëpër parlamentet e tyre.
Nga informacionet që kam Britania sapo e ka nënshkruar. Patjetër, edhe Franca ka qenë një
nga promotorët e kësaj gjëje. Për të qenë e saktë, do të duhet një listë më e detajuar,
meqenëse është një proces dinamik. Në qoftë se nuk bëhemi pjesë e kësaj marrëveshjeje, do
të duhet të mbarojë njëherë kërkesa për 2 miliardë vaksina të kërkuara dhe pastaj do t’u jepet
16
mundësia vendeve të tjera për të plotësuar nevojat e tyre. Nga ana tjetër, nuk do të jetë i njëjti
çmim, sepse do të ketë një procedurë komplet tjetër dhe nuk është njësoj kur porosit 2
miliardë vaksina dhe kur porosit një sasi të vogël. Pra, ka shumë përfitime.
Milva Ekonomi – Faleminderit, zonja Prodani!
Tani kalojmë në votim.
Kush është dakord në parim për të miratuar projektligjin “Për ratifikimin e
marrëveshjes së angazhimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë,
përfaqësuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Aleancës GAVI për
pjesëmarrje në strukturën globale të qasjes në vaksinat COVID - 19 COVAX Facility?
Xhevit? Zoti Angjeli ka shkruar që është dakord.
Antoneta Dhima – Edhe zonja Reme ka shkruar që është dakord.
Milva Ekonomi – Po.
Artur Roshi – Kryetare, ka qenë ndonjëherë kundër Angjeli që të jetë sot?
Milva Ekonomi – Dakord, por ka shkruar mesazh.
Ju jeni dakord, zoti Roshi?
Artur Roshi – Po, dakord.
Milva Ekonomi – Të gjithë janë dakord.
Krenar, je dakord? Dakord.
Kush është dakord me nenin 1 të kësaj marrëveshjeje?
Roland Xhelilaj – Arturi ka vendosur të bëhet me ne, kështu që jemi në rregull.
Artur Roshi – Në atë krah fli ti!
Milva Ekonomi – Kush është dakord me nenin 1? Të gjithë janë dakord.
Dua t’ju them që në këtë votim ne kemi prezentë edhe zonjën Mesi. Pra, sot nuk është
lidhur vetëm zoti Hysko, kurse gjithë të tjerët kanë qenë prezentë.
Kush është dakord me nenin 2?
Kush është dakord për ta miratuar në tërësi këtë projektligj për këtë marrëveshje? Të
gjithë kemi qenë dakord.
Komisioni ishte shumë efektiv sot dhe pyetjet ishin shumë të mira. Kam përshtypjen
që ishin edhe për njohuri për vete, përveçse për marrëveshjen.
Shqipëria ratifikon në një mekanizëm që e lejon të marrë vaksina sapo të prodhohet.
Do të prodhohen 2 miliardë doza për të gjithë botën. Çmimi është preferencial dhe mbulon
20% të nevojave që ka vendi në momentin e parë, ndërkohë që sasia e parave të ratifikimit
paguhet me dy këste. Kësti i parë dhe kësti i dytë, që heq rrezikun.
17
Uroj që kërkimet shkencore në botë të shkojnë përpara dhe ata që janë kërkues të
mundohen të na e ofrojnë sa më shpejt këtë vaksinë!
Ju falenderoj shumë dhe ju uroj fundjavë të mbarë! Në ditët që vijnë do të kemi
shumë punë, si ligji “Për buxhetin”, sepse do të kemi ngjarje të tjera që do të shkojnë përpara
nga pikëpamja legjislative në komision.
Faleminderit dhe mirupafshim!
MBYLLET MBLEDHJA
Sekretar Përgjegjësja e Sektorit të Redaktorëve
Anastas Angjeli Euzheni Pengili
Sekretar i komisionit
Elvi Prifti
top related